28 Mars 2024

Filluan punimet për rehabilitimin e rrjetit ekzistues të ngrohjes

Prishtinë, 25 maj - Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” Sh.A, z. Naser Canolli me menaxhmentin e ndërmarrjes, ka inauguruar sot fillimin e punimeve për rehabilitimin e rrjetit ekzistues të ngrohjes, që do të zhvillohen në kuadër fazës së dytë të Projektit të kogjenerimit.

Në këtë fazë planifikohet ndërrimi i 10 km të gypave të rrjetit ekzistues të ngrohjes në disa pozicione të ndryshme në qytet, të cilat janë identifikuar si pikat më kritike të humbjes së energjisë termike gjatë sezonave të kaluara ngrohëse.

Fillimisht punimet kanë nisur në afërsi të rrethrrotullimit në afërsi të QKUK-së, ku do të bëhet ndërrimi i gypit magjistral të ngrohjes, i cili furnizon me ngrohje “Lagjen e spitalit” si dhe do të shërbejë për planifikimet për zgjerimin e rrjetit në lagjen “Mati 1”.

Pas përfundimit të punimeve në këtë pozicion do të vazhdohet me punimet për ndërrimin e gypave të vjetër me gypa të rinj të paraizoluar, në të gjitha pozicionet e identifikuara si kritike në kryeqytet.

Në kuadër të fazës së dytë të Projektit të kogjenerimit, njëkohësisht, janë duke u zhvilluar punimet edhe për rehabilitimin e 50 nënstacioneve termike, intervenime të cilat do të ndikojnë dukshëm në përmirësimin e cilësisë së ngrohjes në ato objekte banesore, që kanë pasur ngrohje më të dobët.

Vlera e investimeve në rehabilitimin e rrjetit ekzistues të ngrohjes dhe 50 nënstacioneve termike kap vlerën e rreth 5 milion eurove, të cilat janë siguruar nga fondet e përbashkëta të Komisionit Evropian, Qeverisë gjermane, Qeverisë së Suedisë dhe Qeverisë së Luksemburgut, të menaxhuara nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW).

NP “Termokos” Sh.A, falënderon gjithë donatorët e këtij projekti, institucionet relevante vendore, MZHE-në, MF-në dhe Komunën e Prishtinës, që kanë ndihmuar dhe përkrahur realizimin e deritanishëm të Projektit të kogjenerimit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)