28 Mars 2024

VV kërkon rindërtimin e Kosovës A e jo ndërtimin e Kosovës së Re

Prishtinë, 4 shkurt - Lëvizja Vetëvendosje konsideron se ky vit shënon edhe gjendjen më të vështirë në sektorin e energjisë në Kosovë.

Nga njëra ana sipas Vetëvendosjes po tentohet të jetësohet marrëveshja për Energjinë me Serbinë, teksa janë vërtetuar dëmet nga privatizimi i KEDS-it.

E së fundi pushteti në mënyrë aspak serioze madje manipulative po merr vendime politike për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike duke iu nënshtruar interesit dhe fitimit të një kompanie private si Contour Global.

Për këtë arsye në vijim të kritikës dhe propozimit për dalje nga kjo krizë Lëvizja Vetëvendosje! mbajti një tryezë ku u paraqitën mundësitë për rindërtimin e Kosovës A dhe parandalimin e një marrëveshje nga më të dëmshmet për Kosovën siç është kjo me Contour Global.

Qëndrime e Vetëvendosje-s në këtë tryezë i paraqitën Visar Ymeri e Nagip Krasniqi. Ata theksuan se së pari është shumë e arsyeshme dhe e domosdoshme referuar kalendarit që kemi përpara sa i takon gjenerimit të energjisë në Kosovë që të fillohet nga puna për Rindërtimin e Kosovës A.

\"Kjo do të na siguronte gjenerimin e nevojshëm të energjisë në një afat shumë më të shkurtër. Së dyti, do të na lejonte që të projektonim e vendosnim jo në kushte të urgjencës për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike.\"

Ymeri e Krasniqi paraqitën detajet e skenarit që e nxjerr Kosovën nga kjo situatë i cili krahasuar me atë që propozon Qeveria është efikas dhe mbi të gjitha i padëmëshëm.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, tha se kjo kontratë është goditje e dyfishtë për Kosovën: e para, kostoja dhe çmimi me të cilin po futet MZhE-ja për ndërtimin e kapaciteteve të reja; dhe e dyta mirëmbajtja e tregut të importit të energjisë. Kurse, Hamdi Malushaj, u shpreh se sektori i energjisë është sabotuar nga qeveritë vazhdimisht, deri në këtë situatë që e ka sjellë.

Ylli Rugova theksoi se ideja për rindërtimin e Kosovës A me mjete vetanake, është hap shumë i mirë, përderisa ngriti shqetësimin që kjo marrëveshje e MZhE-së me Contour Global mund të kthehet në një AXOS të dytë.

Rinora Gojani nga KOSID tha ndër të tjera se Qeveria e Kosovës i mungon strategjia për energji, dhe si pasojë nuk ka bërë analiza të mirëfillta ashtu që të dihen nevojat, kërkesa për konsum, dhe cilët sektorë duhet t’i zhvillojmë, por ka shkuar direkt në një marrëveshje të tillë për 500 Mwh.

Dajana Berisha nga KOSID, tha se rreth 7000 qytetarë janë zhvendosur dhunshëm në vitin 2004 për t’i hapur rrugë mihjeve të reja, dhe atyre nuk u ka bërë zgjidhje Qeveria.

Deputeti Besnik Bislimi tha se ndërtimi i Kosovës së Re është i palogjikshëm, kurse rindërtimi i Kosovës A është alternativë e mundshme, prandaj janë projekte që nuk mund të krahasohen.

Sejdi Halimi nga Iniciativa Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit tha se rindërtimi i Kosovës A është edhe më i shpejtë, edhe më i arsyeshëm, për shkak se jemi 16 vjet me vonesë duke pritur projekte të ndryshme për një termo-elektranë.

Selim Thaçi nga FMN-së tha se studimi do të ishte shumë më i mirë nëse do analizohej edhe çështja e borxhit, dhe që të analizoheshin projektet e Qeverisë që do të mund të shkëputeshin ashtu që të rialokohen paratë në sektorin e energjisë.

Avni Kurshumliu u shpreh se është e padrejtë që një kompani private ta shfrytëzojë të gjithë infrastrukturën ekzistuese, dhe në fund prapë të ta kërkojë çmimin dyfish më shumë sesa do të kushtonte me rindërtimin e Kosovës A.

Nexhat Kryeziu tha se Qeveria përveç tjerash ka qenë shumë jotransparente në këtë projekt, dhe në shumë raste është munduar t’iu hedhë hi syve qytetarëve, si te çështja e normës së kthimit.

Në kushtet që jemi, nën kërcënimin e defekteve serioze në Kosovën A, nën presionin e importit të energjisë, nën presionin e favorizimeve pa asnjë arsyetim serioz për kompani private as nuk do të kemi zgjidhje serioze as të favorshme.

Në fund Kryetari Ymeri i tha të pranishmëve se Vetëvendosje! do të vijojë të kundërshtojë e protestojë që mos t\'i shtohet Kosovës një kontratë tjetër e dëmshme si kjo me Contour Global.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)