29 Mars 2024

Veseli: Kosova ka obligime ndaj mirëqenies së qytetarëve të Obiliqit

Obiliq, 30 shtator - Në kuadër të diskutimeve për Projektligjin për Zonën e Rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, i cili të premten do të shqyrtohet për herë të parë në mbledhjen plenare të Kuvendit, sot, kryetari Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar Komunën e Obiliqit.

Gjatë kësaj vizite, kryetari Veseli zhvilloi takime me strukturat e pushtetit lokal dhe qytetarë të kësaj komune, me të cilët bashkëbisedoi për rëndësinë e këtij projektligji dhe aspekte përmbajtësore të tij.

Kryetari Veseli përgëzoi kreun e Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi dhe drejtuesit e tjerë komunalë për punën e deritashme, ndërsa shtroi nevojën e një përkrahje më të madhe nga niveli qendror. Veseli tha se kjo do të mundësohet pas miratimit dhe hyrjes në fuqi e Projektligjit për Zonën e Rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij.

Kreu i Kuvendit vlerësoi se ky projektligj, ndonëse i vonuar, është emergjent dhe shumë  i domosdoshëm për qytetarët e Komunës së Obiliqit, të cilët janë duke pësuar jashtëzakonisht shumë në shëndetin dhe mirëqenien e tyre nga efektet e ndotjes industriale. Veseli tha se është momenti i fundit që të ndërmerren veprime parandaluese, duke krijuar bazën e nevojshme ligjore për ndërhyrje institucionale në ambientin e Komunës së Obiliqit.

“Institucionet tona kanë kapacitetet e nevojshme për ta ndryshuar gjendjen. Ky ligj i obligon institucionet tona karshi të drejtave të qytetarëve të Obiliqit për jetë të shëndetshme. Ne do ta nxjerrim këtë ligj dhe do të bëjmë gjithë presionin e duhur ligjor që ligji të fillojë të zbatohet menjëherë”, theksoi kryetari Veseli.

Kreu i Kuvendit tha se nëpërmjet këtij ligji, do të arrihen tre qëllime kryesore:

reduktimi i ndotjes së ajrit nga djegia e thëngjillit dhe grumbujt e thëngjillit dhe hirit industrial, rritja e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Obiliqit të prekur nga sëmundjet e shkaktuara nga ndotja industriale dhe krijimi i lehtësirave të ndryshme ekonomike e sociale për qytetarët e Obiliqit, nëpërmjet projekteve të ndryshme ambientale.

Kryetari i Komunës, Xhafer Gashi, nga ana e tij, vizitën e kryetarit të Kuvendit në Obiliq e konsideroi të një rëndësie të veçantë dhe mesazh të drejtpërdrejt të rritjes së interesimit e përkujdesjes ndaj qytetarëve të Obiliqit. Duke shprehur besimin se projektligji do të marrë përkrahjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Gashi tha se ai do të jetë një bazë e mirë për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen sot qytetarët e kësaj komune, duke u ofruar atyre trajtim më të veçantë në shumë aspekte.

Më pas, kryetari Veseli vizitoi edhe Qendrën e Mjekësisë Familjare në këtë komunë, ku u prit nga drejtues të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe të kësaj qendre.

Drejtoresha Atifete Shylemaja e njoftoi kryeparlamentarin Veseli me trendin shqetësues, gjithnjë e në rritje të sëmundjeve në komunën e Obiliqit, kryesisht të kancerit dhe atyre kardiovaskulare. Në funksion të parandalimit të tyre, ajo përcolli mesazhin për miratimin sa më të shpejtë të ligjit.

Agjenda e kryetarit të Kuvendit në Komunën e Obiliqit vazhdoi me vizita në disa familje të kësaj komune, të cilat bartin drejtpërdrejt pasojat e ndotjes ambientale. Kryefamiljarët Shaip Bllaca e Abdullah Selimi, potencuan vështirësitë me të cilat ata përballen në jetën e përditshme dhe shtruan nevojën e gjetjes së një zgjidhje për të parandaluar rrezikun nga ndotja.

Kryetari i Kuvendit, Veseli, theksoi se Kosova duhet t’ua shpërblejë sakrificën qytetarëve të Obiliqit. “Obiliqi e ndriçon dhe ngroh gjithë Kosovën dhe Kosova ka obligime ndaj mirëqenies së qytetarëve të saj”, theksoi kryetari Veseli. Në funksion të kësaj, ai shtoi se qytetarët e Komunës së Obiliqit duhet të kenë prioritet gjatë punësimit në Korporatën Energjetike të Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)