29 Mars 2024

Kosova duhet të liberalizojë tregun energjetik

Prishtinë, 22 maj - Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në kuadër të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) sot mbajti konferencën për media, ku u publikua studimi mbi “Mundësitë e Kosovës për Treg të Energjisë: Rasti i Energjisë Elektrike”.

Ky punim shtjellon gjendjen aktuale të liberalizimit të tregut energjetik në Kosovë si dhe rrugën e Kosovës drejt një tregu të lirë të energjisë elektrike. Pjesë kryesore e këtij punimi është krahasimi i procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektirike në Kosovë në raport me vendet e rajonit dhe disa nga vendet evropiane.

Visar Azemi nga KOSID u shpreh që “Procesi i liberalizmit të tregut të energjisë elektrike është proces i gjatë dhe i vazhdueshëm. Kosova ka çaluar në dy aspekte, atë legjislativ dhe teknik, në procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.”

Reformimi i sektorit të energjisë elektrike të Kosovës në përputhje me modelin evropian është detyrë e ndërlikuar. Sidoqoftë, kjo detyrë është parë si nevojë urgjente nga Traktati i Komunitetit të Energjisë, i nënshkruar nga UNMIK-u në emër të Kosovës në vitin 2005.
 
Kosova ka vetëm një furnizues të energjisë elektrike, andaj konsumatorët e kanë të pamundur të përfitojnë nga e drejta e tyre ligjore për ta zgjedhur subjektin nga i cili dëshirojnë ta blejnë energjinë elektrike.

Gent Ahmetaj nga INDEP tha: “Janë afro 470,000 konsumatorë jo të privilegjuar të cilët është dashur që nga 1 janari 2015 të jenë në gjendje të ndërrojnë furnizuesin, por një gjë e tillë ende nuk është e mundur duke marrë parasysh që ende nuk ka as furnizues tjetër që mund ta zgjedhin dhe as procedurë të standardizuar që të përcaktojë me saktësi se si bëhet një gjë e tillë.”

Nga hulumtimi është vlerësuar që edhe vendeve të tjera të përfshira në analizë i’u janë nevojitur minimum nëntë vite që tregu i energjisë elektrike të hapej për konkurrencë vendore dhe ndërkombëtare. Po ashtu, për funksionimin e mirë të tregut konkurrues të energjisë elektrike lypset një rregullator autoritativ dhe i qëndrueshëm që përkrahë konkurrencën dhe monitoron tregun.

Transparenca është dëshmuar të jetë instrument i fuqishëm për sigurimin e zhvillimit të vazhdueshëm drejt tregjeve më efektive të liberalizimit të energjisë elektrike.

Brenda sistemit të energjisë elektrike ka komponentë që janë monopole të natyrshme si Distribucioni dhe Transmisioni, dhe të tillë që janë potencialisht konkurrues - Prodhimi dhe Furnizimi. Andaj, shthurja e tyre duhet të jetë sa më efektive. Në thelb, synimi kryesor i shthurjes është ta pengojë diskriminimin në treg.

“Nëse një operator i sistemit të distribucionit ka degën e vet të shitjes së energjisë elektrike me pakicë, atëherë ky operator nuk do të ketë interes që t’ua lehtësojë konsumatorëve ndërrimin e furnizuesit të energjisë elektrike” shtoi Gent Ahmetaj.

Në Kosovë, konsumatorëve u është mohuar një alternativë e mirëfilltë, duke marrë parasysh që sistemi i distribucionit dhe furnizimit janë që të dyja në pronësi të konsorciumit turk, LIMAK & Çalik Holding. Sipas INDEP, një skenar i tillë paraqet pengesë për zhvillimin e konkurrencës së lirë, duke bërë që kompanitë e reja të furnizimit të jenë automatikisht në disavantazh që nga fillimi.

Për më tepër, ZRRE ka ushtruar rolin rregullator me vetëm tre anëtarë të bordit (nga pesë të kërkuar me ligjin për ZRRE-në) dhe si i tillë nuk ka arritur të vendosë një kornizë rregullative konkurruese që do të krijonte lehtësira për investitorët e rinj, veçanërisht për sa i përket furnizimit me energji elektrike.

Punimi përmban një sërë rekomandimesh për institucionet kryesore të vendit dhe hapa konkret të cilat janë konsideruar të domosdoshme për ndryshimin e gjendjes aktuale.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)