19 Prill 2024

Gjermana dhe BE financojnë rrjetin e transmisionit në Kosovë

Prishtinë, 17 prill - Sot filluan punimet në avancimin e rrjetit të transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë. Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë Angelika Viets, Drejtori i KfW për Evropë Juglindore dhe Turqi, Christoph Tiskens, si dhe përfaqësues të tri kompanive ndërkombëtare të cilat janë kontraktuar për furnizim të pajisjeve dhe kryerje të punimeve nga KOSTT-i ishin të pranishëm në këtë ceremoni.

Rrjeti i transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë ka vuajtur pasojat e neglizhencës shumëvjeçare dhe nga mungesa e mirëmbajtjes dhe investimeve në të.

Me përkrahje financiare nga Bashkëpunimi Financiar Gjerman, në vitin 2009 u krye një studim i fizibilitetit i cili identifikoi nevojat për investim në modernizimin e rrjetit ekzistues të transmisionit të energjisë elektrike si dhe në zgjerimin e mëtejmë të tij.

Në këtë kontekst, në vitin 2009 Qeveria Gjermane dhe KfW përkrahën avancimin e rrjetit të transmisionit përmes financimit të ndërtimit të nënstacionit Peja 3 dhe largpërçuesve gjegjës.

Ky investim shënonte investimin më të madh të realizuar në rrjetin e transmisionit të energjisë elektrike në 30 vitet e fundit, i cili i ka kontribuar dukshëm stabilizimit të furnizimit të energjisë elektrike për gjysmën e territorit të Kosovës që nga realizimi i tij.

Edhe lidhja 400kV mes Kosovës dhe Shqipërisë, aktualisht në ndërtim e sipër, është duke u financuar me përkrahje të Qeverisë Gjermane dhe KfW-së.

Duke qenë se linja 400kV është e rëndësisë jetike për shtimin e bashkëpunimit rajonal dhe optimizimin e energjisë elektrike të prodhuar nga hidrocentralet shqiptare dhe energjisë elektrike të prodhuar nga termocentralet kosovare, Bashkëpunimi Financiar Gjerman dhe Bashkimi Evropian përmes fondeve të IPA kanë siguruar fondet e domosdoshme për financimin e masave për avancimin dhe përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike.

Pakoja financuese prej 30.8 milion euro përbëhet nga grant dhe një kredi e IDA të dhënë nga qeveria gjermane si dhe një grant i dhënë nga BE, të konsoliduara përmes një kredie të siguruar nga KfW.

Projekti ka të bëjë me rehabilitimin, zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit të transmisionit në Kosovë, në veçanti në nivel 110kV.

Masat investuese do duhej të përmbylleshin rreth dy vite pas fillimit të realizimit të tyre dhe do të kenë ndikim substancial në zvogëlimin e humbjeve të energjisë elektrike dhe ngritjen e qëndrueshme të sigurisë së furnizimit, përmirësimin e këmbimeve energjetike dhe integrimin e Kosovës në rrjetin rajonal të energjisë elektrike, si dhe arritjen e pajtueshmërisë me kërkesat e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemeve të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO-E).

Me këtë do t’i kontribuohet mbrojtjes së klimës dhe mjedisit dhe avancimit social dhe ekonomik të kushteve të jetesës të popullatës së Kosovës.

Banka Gjermane për Zhvillim – KfW, është banka më e madhe zhvillimore e Gjermanisë dhe pjesë integrale e KfW. Ajo realizon programin e Bashkëpunimit Financiar Gjerman (FC) me shtetet në zhvillim, në emër të Qeverisë Federale Gjermane.

Me 600 punonjës në selinë kryesore dhe rreth 200 specialistë në 66 zyrat lokale të saj, ajo bashkëpunon me partnerë anembanë botës.

Qëllimi i saj është luftimi i varfërisë, sigurimi i paqes, mbrojtja e mjedisit dhe klimës dhe realizimi i një globalizimi të drejtë. KfW është këshilltar kompetent dhe strategjik për çështje aktuale zhvillimore. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)