29 Mars 2024

BB konfirmon mbështetjen për projektet energjetike në Kosovë

Prishtinë, 3 prill - Për herë të parë Banka Botërore ka filluar të  hartojë Strategjinë për Partneritet me Kosovën që  tregon që grupi i BB-së po e trajton Republikën e Kosovën si shtet duke qenë anëtare me të drejta të barabarta në këtë organizëm, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj gjatë një konference për media me Zv.presidentin e BB-së për Evropë dhe Azinë Qendrore, Philippe Le Houerou.

Ministri Beqaj tha se në takimet që ka zhvilluar dje dhe sot me delegacionin e Bankës Botërore ku përveç zv.Presidentit Le Houerou ishin të pranishëm edhe zëvendëspresidenti i IFC-së (International Finance Corporation) Dimitris Tsitsiragos dhe  zëvendëspresidenti i MIGA (Multilateral Investment Guarantee Agency) Michel Ëormser, ka marrë mbështetjen e tyre për projektet që janë duke u zhvilluar në Kosovë, veçanërisht në fushën e energjisë.

“Në projektet e energjisë kemi një përkrahje të jashtëzakonshme nga Banka Botërore në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve të reja pra të TC ”Kosova  e Re” prej 600 MW, një projekt i cili është konfirmuar me studimin e opsioneve nga BB, me vizitën dhe studimin që është bërë nga paneli i pavarur i ekspertëve i cili është pasuar me letër nga BB për gatishmërinë e dhënies në parim të garancionit të rrezikut të pjesshëm”, tha Beqaj.

Ministri tha se vizita e delegacionit të Bankës Botërore në këtë kohë është edhe një garancë shtesë për investitorët në këtë sektor, ndërsa theksoi gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që të përmbushë obligimet e marra.

“Ne si Qeveri kemi marrë obligimet tona konform marrëveshjeve ndërkombëtare dhe BB-së që në ndërtimin e kapaciteteve të reja do të respektojmë standardet më të larta ambientaliste, duke pasur parasysh nevojën për furnizim stabil me energji elektrike, mundësitë e qytetarëve për të paguar energjinë, shëndetin publik të qytetarëve dhe këtu kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me BB-në”, tha Beqaj.
        
Kreu i MZHE-së ka theksuar se paralel me ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, Qeveria konform obligimeve nga TKE, do të mbyllë TC “Kosova A” deri në vitin 2017 dhe njëkohësisht do të promovojë fuqishëm resurset e ripërtërishme dhe efiçiencën e energjisë për të reduktuar kërkesën për energji elektrike.

Nga ana e tij, Zv/presidenti i Bankës Botërore për Evropë dhe Azinë Qendrore, Philippe Le Houerou tha se strategjia e parë e partneritetit në mes të shtetit të Kosovës dhe Bankës Botërore paraqet një marrëdhënie të rëndësishme në mes të dy palëve.

Ai tha se Strategjia parasheh ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese që siguron furnizimin me energji, rivitalizimin e TC “Kosova B”, mbylljen e TC “Kosova A” dhe rritjen e shfrytëzimit të burimeve të ripërtrishme të energjisë.

“Do të jetë një strategji e cila është në pajtueshmëri me Strategjinë e Qeverisë. Gjithashtu do të kemi ndërveprime dhe konsultime me sektorin privat dhe shoqërinë civile në përgjithësi”, tha Le Houerou, duke shtuar se ajo përmban dy shtylla kryesore.
Sipas tij, shtylla e parë është rritja dhe punësimi që është kritike dhe e rëndësisë së veçantë për zhvillimin ekonomik, ndërsa shtylla tjetër është menaxhimi mjedisor.

“Ne Brenda këtyre dy shtyllave jemi duke diskutuar se çfarë operime do të ndërmarrim për katër vite, periudhë e cila do të mbulohet nga strategjia, gjithashtu do të shohim se çfarë pune analitike do të kërkohet nga strategjia brenda këtyre vitesh, natyrisht të sjelljes së përfitimeve për popullatën kosovare”, tha ai.

Delegacioni i Bankës Botërore ka vlerësuar qasjen e Qeverisë së Kosovës në zhvillimin e projekteve energjetike duke rikonfirmuar mbështetjen e këtij organizmi financiar.

Ndryshe, duke iu përgjigjur interesimit të mediave nëse ka pasur ankesa në adresë të Bankës Botërore nga ndonjëri prej katër ofertuesve në projektin e TC “Kosova e Re”, zv/presidenti Le Houerou është përgjigjur prerë se nuk ka pasur asnjë ankesë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)