28 Mars 2024

Kosova ofron ambient shumë të favorshëm për investitorët britanikë

Prishtinë, 15 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti një delegacion të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, të kryesuar nga deputeti Martin Vickers.

Gjatë takimit, u bisedua gjerësisht për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, për bashkëpunimin dhe partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve në rrethanat e reja, si dhe për zhvillimet në Kosovë dhe rajon.

Kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e qytetarëve dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen shumë të madhe të Mbretërisë së Bashkuar për shtetin e Kosovës, për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar si dhe për zhvillimin e gjithanshëm të vendit.

Kryeministri Mustafa veçoi fokusimin e Kosovës në zhvillimin ekonomik, duke shprehur interesimin për rritjen e investimeve britanike, ndërlidhur edhe me Forumin ekomomik të mbajtur pak kohë më parë në Londër.

“Kosova ofron ambient shumë të favorshëm për investitorët britanikë, të cilët kanë hapësirë të madhe për investime në Kosovë duke shfrytëzuar reformat ekonomike e fiskale, Ligjin për Investime Strategjike dhe resurset e konsiderueshme që janë në Kosovë”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, i njoftoi deputetët britanikë për zhvillimet tjera në Kosovë, për marrëdhëniet me fqinjët, për proceset euroatlantike si dhe aspektet tjera që lidhen me fuqizimin e stabilitetit në rajon. 

Anëtarët e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, të kryesuar nga deputeti Martin Vickers, vlerësuan progresin në Kosovë, duke theksuar mbështetjen e tyre për proceset zhvillimore. 

Deputetët britanikë, po ashtu, u interesuan për shumë aspekte të zhvillimeve konkrete në Kosovë dhe më gjerë, duke shfaqur qëndrimet dhe përkrahjen e tyre për avancimin e proceseve demokratike.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)