29 Mars 2024

Ministrja Bajrami ftoi bizneset ndërkombëtare të investojnë në Kosovë

Prishtinë, 23 nëntor - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami mori pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës e cila theksoi se Qeveria e Kosovës po punon në mënyrë konstruktive në promovimin e bashkëpunimit regjional në të gjitha segmentet, përfshirë bashkëpunimin ekonomik.

Ajo i informoi pjesëmarrësit e Forumit Ekonomik të Vjenës se Kosova sapo ka nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, e cila do të hapë rrugë të reja për bizneset kosovare drejt integrimit të tyre në tregun evropian. Kosova, tha ministrja, tashmë është anëtare në mjaft organizata të rëndësishme ndërkombëtare, si: FMN, BERZH, dhe se është në përgatitje edhe sa i përket anëtarësimit në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Ministrja shtoi se Kosova është anëtare edhe e Këshillit për Bashkëpunim Regjional, i cili këshill ka për qëllim t’i ndihmojë vendet e Evropës Juglindore që të koordinohen rreth implementimit të Strategjisë 2020.

Më tej, znj. Bajrami foli rreth reformave të cilat i ka ndërmarrë Qeveria e Republikës së Kosovës sa i përket krijimit të kushteve sa më të favorshme për tërheqje të investimeve.

Falë incentivave të përfshira në pakon e re fiskale dhe legjislative kemi rritje të ndjeshme të investimeve të huaja direkte në vend, ku për periudhën tetëmuajshe  të vitit 2015 investimet e huaja kanë arritur në 240 milionë euro, që është niveli më i lartë në katër vitet e fundit, theksoi ajo.

Ministrja Bajrami tha se Qeveria e Kosovës është mbështetëse e procesit të Berlinit i cili i dedikohet Ballkanit, dhe shprehu shpresën se Samiti i Vjenës, i mbajtur në muajin gusht të këtij viti, do të sjellë rezultate konkrete dhe të prekshme sa i takon përkushtimit të partnerëve evropianë rreth mbështetjes së vendeve të rajonit me projekte infrastrukturore dhe financime tjera që do të ndikojnë në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.  

Ajo, më tej shtoi se Kosova është shumë e përkushtuar në zbatimin e agjendës integruese evropiane dhe tha se liberalizmi i vizave për kosovarët do të ndikojë pozitivisht tek bizneset në mënyrë që ato të komunikojnë të papenguara me partnerët e tyre në Evropë.

Nëse flasim për internacionalizim të ndërmarrjeve në kontekstin evropian, ne konsiderojmë se bizneset kosovare nuk duhet lënë të izoluara nga ky proces. Ministrja i bëri thirrje qeverisë austriake si dhe qeverive tjera evropiane që të punojnë me vendin tonë rreth gjetjes së mundësive për punë sezonale të kosovarëve në vendet evropiane.

Ministrja Bajrami foli edhe për instrumentet financiare të BE-së që kanë të bëjnë me  mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, për të cilat tha se Kosovës i duhet dhënë mundësi më e madhe e qasjes në këto fonde, sepse në këtë mënyrë bizneset kosovare do të rrisnin qasjen e tyre në financa gjë e cila do t’i ndihmonte ato të jenë më konkurruese në tregun evropian.

Në kuadër të sesionit ku u diskutua rreth gjetjes së zgjidhjeve për rritjen ekonomike dhe bashkëpunimin regjional dhe mbarë-evropian, Ministrja Bajrami shprehu pikëpamjet e Qeverisë së Kosovës, duke mbështetur parimet integruese të BE-së, ruajtjes së kohezionit ekonomik dhe social brenda BE-së, dhe integrimin e plotë të vendeve të Ballkanit në këtë organizatë.       

Ajo i ftoi bizneset ndërkombëtare, të cilat ishin të pranishme në forum, që të investojnë në Kosovë, sepse vendi Kosova sipas saj tashmë paraqet njërin nga vendet më konkurruese dhe më miqësore për investitorët, deklaroi ministrja.

Në margjinat e Forumit, ministrja Bajrami zhvilloi edhe takime të drejtpërdrejta me përfaqësues biznesesh dhe të institucioneve austriake dhe evropiane ku i garantoi ata se qeveria e vendit do të jetë derë e hapur për secilin investitorë të interesuar për investime në vendin tonë.
  

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)