19 Prill 2024

Bajrami: MSA-ja lejon qasje në treg të 500 milionë konsumatorëve

Prishtinë, 19 nëntor - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) mori pjesë në tryezën informuese me tematikë: \"Roli dhe funksioni i infrastrukturës së cilësisë në zhvillimin ekonomik të Kosovës\", që u organizua nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me përkrahje të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në diskutimin e saj, ministrja Hykmete Bajrami shprehu konsideratën e saj ndaj Bashkimit Evropian për përkrahjen e vazhdueshme që po ofron në të gjitha fushat për fuqizimin e institucioneve të infrastrukturës së cilësisë, që është asistencë e cila ofrohet përmes projektit aktual të Bashkimit Evropian “Lëvizja e Lirë e Mallrave” dhe njëherësh është në funksion të zhvillimit të sektorit privat në Kosovë.

Ministrja Bajrami tha se jemi të vetëdijshëm për nivelin e zhvillimit të të gjitha institucioneve të infrastrukturës së cilësisë dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet që në kuadër të procesit të Integrimit Evropian, më saktë në kuadër të Procesit të Stabilizim Asociimit, të arrijmë t’i funksionalizojmë plotësisht këto institucione, duke shtuar se përpos aktiviteteve të zhvillimit dhe ngritjes së kapaciteteve në kuadër të IC, MTI-ja ka ndërmarrë edhe  fushata ndërgjegjësuese rreth rolit dhe funksionit të Infrastrukturës së Cilësisë në zhvillimin ekonomik të vendit, duke organizuar kështu takime informative me bizneset dhe qytetarët nëpër të gjitha rajonet e Kosovës.

Ajo me theks të veçantë foli për ndërlidhjen e të gjithë komponentëve, që kanë të bëjnë me Infrastrukturën e Cilësisë dhe se mosfunksionimi i ndonjërit komponent pamundëson funksionimin efikas të këtij sistemi në tërësi. “Për shkak të rëndësisë së tyre, ne si MTI po punojmë me të gjitha institucionet tjera qeveritare në ngritjen dhe zhvillimin e këtyre institucioneve” theksoi ministrja Bajrami.

Ajo, po ashtu ceku: “MSA-ja u mundëson kompanive tona qasje në një treg prej afër 500 milionë konsumatorëve, që nënkupton se njëkohësisht rritet edhe konkurrenca, andaj ne si institucione duhet të ndihmojmë bizneset në rrugën e zhvillimit të konkurrencës së mirëfilltë”, u shpreh ministrja Bajrami.

Gjithashtu, ajo bëri të ditur: “Ministria jonë tanimë ka paraqitur kërkesë pranë zyrës së BE-së, në kuadër të fondeve të IPA-s II për projekte të certifikimit të produkteve për standarde të cilësisë. Ideja e projektit është që kompanive vendore t’u mundësohet certifikimi i produkteve për standarde ndërkombëtare të cilësisë. Bizneset vendore do të ndihmohen nga ky projekt që ato të arrijnë të prodhojnë produkte cilësore, konkurruese jo vetëm në tregun vendor, por edhe në atë ndërkombëtar”, tha ministrja Bajrami.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)