25 Prill 2024

Bien përsëri aksionet në Kinë

Pekin, 26 gusht - Në Kinë, bursa pësoi një tjetër goditje, duke u mbyllur me një rënie prej 7.6 përqind. Shqetësimet rreth ekonomisë së Kinës kanë çuar në rënien e çmimeve të aksioneve dhe të naftës kudo në botë, ndërkohë që sot, tregjet në SHBA e rimorën veten pas tronditjes së djeshme.

 Treguesi kryesor i bursës së Shangait ra mjaft në hapje të tregjeve të aksioneve, por më vonë u rrit dhe në mbyllje rënia ishte rreth 4 përqind. Tregjet në Japoni dhe në Hong Kong që fillimisht kishin shënuar rritje, pasdite u mbyllën përgjithësisht me rënie.

Treguesi Nikkei i bursës japoneze u mbyll me një rënie prej rreth 4 përqind, ndërsa ai Hang Seng i Hong Kongut përfundoi me vështirësi në territor pozitiv.

Ndërkohë, bursat në Britani, Gjermani dhe Francë patën një rritje prej më shumë se 2 përqind në hapje të bursës.

Dje, shqetësimet rreth ekonomisë së Kinës çuan në rënien e çmimeve të aksioneve dhe të naftës kudo në botë, duke përfshirë një rënie prej 8 përqind në Kinë.

Goditje morën dje edhe tregjet e aksioneve në SHBA, me luhatje të mëdha që në fund u mbyllën me një rënie prej të paktën 3.6 përqind, ndërkohë që sot tregjet e rimorën veten dhe deri në mesditë kishin  kompensuar një pjesë të humbjes.

Ekspertët thanë se tregu i aksioneve nuk mund ta shmangte dot një korrigjim të madh, pas pothuajse një trefishimi që nga viti 2009.

Joshua Brockwell i firmës Azzad Asset Management thotë se rënie të tilla shërbejnë si një mekanizëm vetëkorrigjues, që garantojnë një vlerësim më të drejtë të aksioneve.

\"Nëse e mendon si lëkundje dhe jo si tërmet, kjo do të thotë se toka lejon pak avull të dalë jashtë. Kështu edhe me tregun dhe kjo është e shëndetshme në vështrim afatgjatë,” thotë eksperti.

Ai thotë se korrigjimet e tregut mund t’i shqetësojnë investitorët, por për ekonominë janë diçka e mirë sepse nuk i lejon çmimet e aksioneve të rriten artificialisht.

“Pas kësaj tërheqjeje këto ditët e fundit, aksionet janë kthyer në vlera më racionale, pra ky është një rast për të blerë për ata që investojnë në kuptimin afatgjatë,” thotë zoti Brockwell.

Dje, rënie pësuan edhe çmimet e shumë mallrave, mes tyre nafta bruto ra më shumë se 4 përqind, çmimi më i ulët në më tepër se 6 vjet.

Prej shumë vitesh, ekonomia në rritje e Kinës ka qenë një treg i madh për të gjitha llojet e mallrave.

Një seri tronditjesh ekonomike, si rënia e aksioneve dhe zhvlerësimi i papritur i monedhës i kanë bërë investuesit ta vënë në pikëpyetje shëndetin e ekonomisë së dytë më të madhe të botës. Një ekonomi që rritet ngadalë ka nevojë për më pak energji dhe u ofron më pak shanse investuesve në shumë fusha.

\"Ne mendonim se ekonomia kineze po rritej me ritmin 7 përqind. Ndoshta rritja është sa gjysma e kësaj shifre. Dhe kjo pasqyrohet një tregjet e aksioneve dhe të mallrave,” thotë Ben Willis, i bursës së Nju Jorkut.

Zoti Willis thotë se në tregje po pasqyrohet një mungesë transparence në të dhënat ekonomike nga ana e Kinës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)