20 Prill 2024

Kosova dhe KE diskutojnë për tregtinë, industrinë, doganat dhe tatimet

Prishtinë, 22 prill - Temat kryesore që u diskutuan në takimin për Dialogun për Procesin e Stabilizim Asociimit (DPSA), i cili u mbaj në Prishtinë, ishin tregtia, industria, politika e NVM, doganat, tatimet dhe lëvizja e lirë e mallrave.

Në takim u vlerësuan zhvillimet kryesore në këto fusha, të cilat zënë vend të dukshëm në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) dhe Programin për Reformën Ekonomike.

Në mesin e çështjeve të diskutuara gjatë takimit ishin integrimi i tregtisë së Kosovës, bilanci i tregtisë Kosovë - BE dhe planet për qasje në OBT. Përveç kësaj, Kosova e ka prezantuar gjendjen aktuale në negocimin e shërbimeve në kuadër të CEFTA-s dhe Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Turqinë.

Në fushën e doganave dhe tatimeve janë diskutuar kapacitetet administrative dhe performanca e të dyja autoriteteve.

Pas progresit të rëndësishëm të bërë vitin e kaluar në zgjidhjen e rasteve të pazgjidhura në kuadër të Bordit të Pavarur për Shqyrtim, është vërejtur një akumulim i rasteve të pazgjidhura në divizionet fiskale të gjykatave themelore. Luftimi më i fuqishëm kundër ekonomisë jo formale është identifikuar si çelësi për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik.

Komisioni Evropian ka inkurajuar Kosovën në miratimin e kornizës së nevojshme ligjore që do të marrë parasysh zhdukjen e derivateve të naftës pas importimit të tyre.

Sa i përket sektorit të Industrisë dhe zhvillimit të NVM, janë diskutuar përgatitjet për Indeksin e ardhshëm të Politikave të NVM-ve 2015/2016 në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi. Përveç kësaj, Kosova i ka prezantuar edhe aktivitetet dhe prioritetet në fushën e përmirësimit të qasjes në financa dhe heqjen e ngarkesave administrative ndaj bizneseve. U diskutua edhe gjendja aktuale në zbatimin e strategjisë për zhvillimin e sektorit privat.

Në kuadër të lëvizjes së lirë të mallrave është identifikuar progresi i arritur dhe veprimet përcjellëse në fushat e standardizimit, vlerësimit të konformitetit, akreditimit, metrologjisë dhe mbikëqyrjes së tregut.

Takimet e Dialogut për PSA, përfundimet e të cilave hyjnë në Raportin e ardhshëm të Progresit, organizohen së bashku me Ministrinë e Integrimit Evropian.
Historiku

Dialogu për PSA është një kornizë në kuadër të së cilës Komisioni Evropian dhe administrata e  Kosovës diskutojnë rregullisht çështjet teknike dhe të politikave në lidhje me agjendën Evropiane.

Dialogu i PSA monitoron dhe përcjell përmbushjen e reformave nga Kosova dhe identifikon mënyrat se si mund të ndihmojë BE-ja në këtë proces. Takimet sektoriale dhe plenare të Dialogut për PSA bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe qeveria. Secili takim rezulton në veprime pasuese të dakorduara bashkërisht që duhet të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës.

Ekzistojnë shtatë fusha që mbulohen në takimet sektoriale dhe ato ndjekin nga afër formatin e dialogut që BE-ja ka me kandidatët tjerë dhe kandidatët potencialë. Këta shtatë sektorë janë:

-    Drejtësia, Liria dhe Siguria
-    Inovacioni, Shoqëria Informative, Politikat Sociale, Arsimi dhe Kultura
-    Tregtia, Industria, Doganat dhe Tatimet
-    Tregu i Brendshëm, Konkurrenca, Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit
-    Bujqësia, Peshkataria, Pylltaria, Siguria e ushqimit
-    Transporti, Mjedisi, Energjia, Zhvillimi Rajonal
-    Ekonomia dhe Çështjet Financiare, Statistikat
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)