18 Prill 2024

Mbahet konferenca “Mbështetja Institucionale për Ndërmarrësit e Diasporës”

Düsseldorf, 19 Mars - Në Düsseldorf u mbajt konferenca për mbështetje institucionale të ndërmarrësve nga diaspora për investime në Kosovë. Në këtë konferencë morën pjesë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ministri i Diasporës, Valon Murati, ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani  Skender Xhakaliu, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu si dhe përfaqësues të bizneseve të diasporës.

Në këtë forum ministrja Bajrami ka shpalosur programin ekonomik të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ambientin e biznesit dhe klimën e investimeve si dhe për nevojat jetike për investime në Kosovë. Në fjalën e saj, ministrja ka vënë në pah se ekonomia e Kosovës mbetet ende një sfidë, përkundër rritjes së vazhdueshme gjatë viteve të fundit.

“Ne besojmë që zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik është i mundur vetëm përmes biznesit privat dhe jo shpenzimeve publike, prandaj Qeveria e Kosovës po ndërmerr të gjithë hapat e mundshëm që të përkrah bizneset në zgjerimin e tyre dhe si rrjedhojë të krijojnë vende të reja pune. Po i rishikojmë politikat fiskale dhe do t’i iniciojmë ndryshimet e nevojshme që të lehtësojmë barrën tatimore për bizneset, sidomos për pajisjet prodhuese dhe lëndën e parë që nuk mund të prodhohet në Kosovë”, tha ministrja Bajrami.

Ministrja i informoi të pranishmit se do të ulet pragu i TVSH-së nga 50,000 në 30,000 Euro si dhe do të përshkallëzohet TVSH-ja, ku për produktet bazë TVSH-ja do të zbritet në 8%, ndërsa për produktet e tjera do të ngritët në 18 %. Po ndryshohet ligji për tatimin në fitim, ku do të aplikohen pushime tatimore për biznese të caktuara, varësisht nga numri i vendeve të reja të punës që do të krijohen nga bizneset dhe niveli i investimeve.

Ministrja Bajrami më tej shtoi se po e skanojnë rajonin, po shohin kushtet që i ofrojnë fqinjët për investitorët e jashtëm dhe do të mundohemi të jemi sa më konkurrentë me ta.

“Në bujqësi, po u ndihmojmë fermerëve që të zgjerojnë aktivitetet e tyre, por edhe këtu na duhen më shumë kapacitete përpunuese. Besojmë që ekziston një potencial i madh në këtë fushë, pasi që na duhet të zëvendësojmë produktet e importit që sot përbëjnë pothuajse 80% të gjërave që konsumojmë, por në të njëjtën kohë duhet të rrisim cilësinë e produkteve dhe të shërbimeve tona dhe t’i eksportojmë ato edhe në tregjet rajonale dhe evropiane”, tha ministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami.

Ministrja theksoi se diaspora mund të luaj një rol të rëndësishëm, qoftë duke bërë investime të drejtpërdrejta, qoftë duke u bërë partnerë me investitorët e huaj që të vijnë e të investojnë në Kosovë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)