28 Mars 2024

Klik Ekspo Group bashkon tregun Shqipëri-Kosovë

Tiranë, 24 nëntor - Edicioni i 21-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, që po mbahet në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë ka shpërfaqur mes të tjerave edhe zhvillimet e ekonomise kosovare.

Janë më shumë se 20 kompani që vijnë nga Kosova dhe që sjellin në stendat e këtij Panairi mallrat dhe shërbimet e tyre që kapin një gamë të gjerë që nga agropërpunimi, materialet e ndërtimit dhe fusha të tjera të biznesit.

Pjesëmarrja e shtuar e sipërmarrësve nga Kosova ofrohet me përqëndrim të lartë në materialet e ndërtimit, përpunimit të metaleve, të drurit, botimeve, industrisë agroushqimore, vreshtarisë, prodhimit të verërave dhe pijeve alkolike, lëngjeve të frutave etj.

Rëndësia dhe vëmendja që kompanitë Kosovare por edhe vetë qeveria e Kosovës i kishin kushtuar këtij eventi të rëndësishëm vjetor që organizohet nga Klik Ekspo Group ra në sy që në hapje të Panairit, ku mes autoriteteve pjesëmarrës në ceremoninë e hapjes ishin edhe dy ministra të qeverisë se Kosovës, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Ismet Mulaj dhe Ministri për Zhvillim Ekonomik i Kosovës Fadil Ismaili.

Pjesëmarrja e kompanive kosovare në Edicioni i 21-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga Klik Ekspo Group tregon për një interes në rritje të biznesit për të gjetur mundësi të reja në tregun shqiptar. Këtë e konfirmon edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Ismet Mulaj, i cili thotë se, \"marrëdhëniet tregtare Shqipëri - Kosovë në vitet e fundit kanë njohur një rritje të ndjeshme.

Kjo është mundësuar edhe falë një pune të vazhueshme për heqien e barrierave tregtare mes dy vendeve tona. Por edhe në këtë drejtim mbetet shumë për të bërë, e vecanërisht sa i takon eleminimit të paragjykimeve si edhe nagazhimit dypalesh për të lehtësuar më tej komunikimin tregtar mes vendeve tona\".

Mulaj duke veçuar arsyet dhe duke sjellë në shifra zhvillimet tregtare mes dy vendeve tona thekson se megjithatë mundësitë janë për shumë më tepër.

Ai thotë se, \"edhe pjesëmarrja e më shumë se 20 kompanive në këtë panair është një tregues i këtij bashkëpunimi.

Duke forcuar bashkëpunimin e bizneseve, ne krijojmë mundësinë e madhe për të \"konsumuar shqip\".

Duhet theksuar se Rruga e Kombit ka dhënë një impakt të ndjeshëm në rritjen e shkëmbimeve të cilat aktualisht janë në nivelin e 160 milion eurove. Por, kjo shifër tregon se ende jemi larg asaj që duhet të jemi, tregon se mundësitë për të shkëmbyer prodhime janë ende të mëdha\".

Duke folur për mundësite ende të pashfrytëzuara në bashkëpunimin tregtar dhe ekonomi mes vendeve tona, Ministri për Zhvillim Ekonomik i Kosovës Fadil Ismaili sjell një kendvështrim më realist dhe kërkon që pavarësisht asaj që është bërë deri më tani administratat përkatëse të angazhohen më shumë për harmoniziumin e legjislacionit dhe të tregojnë më shumë vëmendje për kërkesat e tregut dhe të bizneseve.

Ministri Ismaili tha se, \"megjithë zhvillimet e viteve të fundit, sa i takon bashkëpunimit në fushën ekonomike e posacërisht në tregti janë ende në nivele që nuk na kënaqin. Duhet thënë se, në këtë drejtim ne po punojmë dhe vetë pjesëmarrja e disa kompanive në këtë panair është një tregues për këtë. Por, mundësitë për më shumë janë të mëdha. Vlen të theksohet se siç ka ndodhur në muajt e fundit ende ka barriera për bashkëpunimin tregtar. Duhet të kuptojmë se ndërhyrjet e shtetit duhet të jenë sa më minimale dhe shumë prej këtyre barrierave duhet të lihen që t\'i zgjidhë vetë tregu\".

Zhvillimet e deritanishme kanë krijuar bazën për ndërtimin e strategjive zhvillimore. Ministri Ismet Mulaj thotë se, \"e ardhmja duhet të ecë patjetër në këtë drejtim. Me një rëndësi të veçantë është që të ndërmerren edhe studime të veçanta për të mundur të krijojmë dhe ofrojmë një produkt të përbashkët.\"

\"Kjo mund të arrihet më së miri në turizëm për shembull. Drejt synimeve tona mund të ecet duke krijuar edhe më shumë incentiva dhe administrata në dy vendet tona mund ta bëjnë më së miri këtë. Mundësitë për të rritur bashkëpunimin janë të shumta. Ne duhet të ecim në këtë drejtim sa më shpejt, duke harmonizuar në radhë të parë legjislacionin. Duhet theksuar se, deri më tani institucionet e Kosovës kanë patur një angazhim maksimal për të ndihmuar bashkëpunimin mes bizneseve\".

Nëse ka një fushë ku pritet të kemi një treg të përbashkët Shqiperi Kosovë ajo është energjetika. Të qënit komplementar, të dy sistemet pritet të krijojnë një pavarësi energjetike për të dy vendet tona. Tashmë nuk është më diçka e re dhe e panjohur që objektivi i dy vendeve tona është synimi për të krijuar një treg të përbashkët. Ka shumë fusha të ekonomisë që mund ta paraprijnë këtë synim.

Agropërpunimi është një mundësi e madhe për bashkëpunimin e bizneseve mes Shqipërisë e Kosovës, por fusha ku ne planifikojmë të ecim më shpejt është energjetika. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Ismet Mulaj e thekson me forcë këtë.

\"Tashmë nuk është më diçka e re dhe e panjohur që objektivi i dy vendeve tona është synimi për të krijuar një treg të përbashkët. Ka shumë fusha të ekonomisë që mund ta paraprijnë këtë synim. Agropërpunimi është një mundësi e madhe për bashkëpunimin e bizneseve mes Shqipërisë e Kosovës, por fusha ku ne planifikojmë të ecim më shpejt është energjetika\".

Ndërsa ministri kosovar i Zhvillimit Ekonomik e qartëson edhe më tej rëndësinë e bashkëpunimit energjetik mes dy vendeve tona. Fadil Ismaili thotë se, \"mes Shqipërisë e Kosovës ka zhvillime shumë të ndjeshme pozitive. Këtu dua të veçoj energjetikën. Dje kam patur një takim me ministrin Damian Gjiknuri me të cilin veç të tjerave kemi diskutuar për avancimin në ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV.\"

\"Në pjesën e Kosovës punimet kanë avancuar më shumë. Shpresoj që, kjo të ndodhë edhe brenda kufirit të Shqipërisë. Ne mbetemi më shpresën që, në fund të vitit të ardhshëm të lëshojmë rrymën në këtë linjë. Ky do të jetë një zhvillim shumë i madh në bashkëpunimin mes vendeve tona.

Ndërtimi i një tregu të përbashkët energjetik mes Shqipërisë e Kosovës nuk është vetëm hapi i parë i unifikimit të tregjeve mes dy vendeve tona, por është edhe modeli i parë rajonal në këtë drejtim.

Sipas ministrit Ismaili, \"ndërtimi i linjës mundëson krijimin e një tregu të përbashkët energjetik mes Shqipërisë e Kosovës. Ky lloj bashkëpunimi është modeli i parë ndër vendet e Europës Juglindore. Ne kemi ngritur grupet e punës për harmonizimin e legjislacionit. Krijimi i këtij tregu do të sjellë pavarësinë energjetike të dy vendeve tona, si edhe hapësirën që konsumatorët të kenë mundësinë që zgjedhin furnizuesin. Do të jetë një zhvillim vërtet shumë i madh. Ne po punojmë fort për këtë.\"

 

/Shekulli/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)