01 Maj 2024

Investimet e huaja shënojnë rënie

Prishtinë, 16 korrik - Investimet e huaja të drejtpërdrejta kanë shënuar rënie gjatë tremujorit të parë të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Por sipas autoriteteve, vlera e investimeve mund të rritet gjatë vitit.

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë thonë se vakuumi institucional nuk ndikon fare tek investitorët e huaj, përderisa analistët ekonomikë pohojnë se gjendja aktuale nuk përcjell mesazh të mirë tek ata.
 
Gjatë tre muajve të parë të këtij viti vlera e investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Kosovë ka arritur në 38 milionë euro, që paraqet një vlerë shumë më të ultë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur ishin rreth 60 milionë euro. Por trendi i tyre mund të ndryshojë gjatë pjesës tjetër të vitit, thotë Gëzim Gjikolli, drejtor i drejtorisë për promovimin e sektorit privat në ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
 
“Kjo është e zakonshme edhe në vendet tjera të botës, ngase investimet varësisht nga disponimi i investitorëve në disa muaj e sidomos në periudha kaq të shkurtra, mund të oscilojnë. Mirëpo nuk do të thotë se trendi i investimeve është në rënie”, thotë ai.
 
Sipas Gjikollit, vakuumi institucional nuk i brengos dhe nuk ndikon fare tek investitorët e huaj.
 
“Investitorët më shumë i shqetësojnë trazirat, por assesi një qeveri në themelim, nuk i shqetëson fare. Ne investitorët jemi duke i pritur çdo ditë në institucionet tona dhe asnjëherë nuk më ka rastis që këto javët e fundit ata ta shprehin këtë si brengë”, thekson ai.
 
Por hulumtuesi i Institutit RIINVEST, Alban Hashani, thotë se gjendja aktuale mund të ndikojë në aspektin e investimeve të huaja.
 
“Mendoj se nuk është mirë për sinjalet që dërgojmë jashtë dhe për pasojë nuk pritet ndonjë përmirësim i madh në tërheqjen e investimeve. Mendoj që ky vakuum real institucional do të dobësojë atraktivitetin e Kosovës në tërheqjen e investimeve të jashtme”, thekson Hashani.

Hashani thotë se Kosova nuk ka mjedis shumë miqësor për tërheqjen e investimeve të huaja, pasi ka barriera të shumta.
 
“Ka një mjedis ku mbizotëron korrupsioni, informaliteti, evazioni fiskal, konkurrenca e pandershme, por edhe probleme që lidhen me infrastrukturën, problemet me shkathtësitë e punëtorëve e kështu me radhë”, shton ai.
 
Ndryshe, investimet e huaja të drejtpërdrejta kishin pësuar rënie prej vitit 2008 deri në vitin 2012, kurse gjatë vitit 2013, vlera e tyre arriti në rreth 260 milionë, me një rritje prej 13 për qind krahasuar me vitin 2012.

/RTK/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)