03 Maj 2024

Kosova anëtarsohet në Rrjetin e Mbrojtjes Ndërkombëtare të Konsumatorit

Prishtinë, 14 maj - Me rastin e pranimit të Kosovës në Rrjetin e Mbrojtjes Ndërkombëtare të Konsumatorit (International Consumer Protection and Enforcement Network -ICPEN), ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, bashkë me përfaqësuesin e Organizatës Kosovare për Mbrojtjen e Konsumatorit, Selatin Kaçanikun, vizituan kompaninë “Meridian’” në Prishtinë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, gjatë vizitës në këtë kompani potencoi se pranimi i Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare për të Drejtat dhe Fuqizimin e Konsumatorit tregon për të arriturat që janë bërë në vitet e fundit në drejtim të mbrojtjes së konsumatorit.

“Ne, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë e shohim konsumatorin dhe të drejtat e konsumatorit si shumë të rëndësishme dhe se për këtë arsye e kemi themeluar Këshillin Kombëtar për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe e kemi fuqizuar Zyrën për Mbrojtjen e Konsumatorit për të dalë sa më mirë përpara kërkesave dhe ankesave të konsumatorëve në Kosovë, meqë kemi parë një vetëdijesim të theksuar të konsumatorëve gjatë viteve të fundit."

"Gjatë vitit 2010 kemi pasur 100 telefonata gjatë gjithë vitit, por në momentin  kur kanë parë konsumatorët se ministria po u përgjigjet tashmë është rritur numri dhe se kemi një bashkëpunim të vazhdueshëm me konsumatorët”, theksoi Nikaj.

Ai shtoi se ne kemi një Këshill shumë bashkëpunues, ku të gjithë anëtarët e Këshillit shikojnë se si të bashkëpunojnë gjithë së bashku me partnerët t’i mbrojmë sa më mirë konsumatorët dhe të arrijmë tek standardet evropiane për të drejtat e konsumatorit.

“Me këtë rast duhet falënderuar përfaqësuesit e kompanisë “Meridian” që na kanë pritur sot dhe për përpjekjet e tyre në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorit që i kanë bërë deri më tani, por që së bashku me  organizatën “Konsumatori” dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë do të vazhdojnë t’i bëjnë edhe në të ardhmen”, tha ministri Nikaj.

Selatin Kaçaniku, përfaqësues i organizatës “Konsumatori”, me këtë rast tha: “Mendoj se kemi arsye dhe të jemi krenar me këtë të arritur për pranimin e Kosovës në këtë strukturë ndërkombëtare, që është një vlerë që valorizon të arriturat tona dhe se dëshmon se është një arritur e madhe për Kosovën dhe organizatën “Konsumatori” dhe fuqizon partneritetin tonë me institucione me të cilat ne jemi përpjekur të kemi bashkëpunim të mirë”, theksoi Kaçaniku.

Ai ka shtuar se ky shpërblim po bëhet në kuadër të 11 Majit - Ditës Botërore të Tregtisë së Barabartë, ku ne si Kosovë jemi të interesuar shumë për një tregti të tillë, sepse ne kemi pasur shumë telashe me CEFTA-n dhe se Organizata Botërore e Tregtisë nuk ka kohë te merret me ne, por ne duhet të merremi me problemet tona.

“Ndërsa në kuadër të kësaj dite dhe me këtë shpërblim ne duam t’u japim mesazh të gjitha shteteve importuese në Kosovës, që të kenë kujdes se ashtu siç i respektojnë të drejtat e konsumatorëve të tyre t’i respektojnë edhe të drejtat e konsumatorëve të Kosovës”, ka theksuar përfaqësuesi i konsumatorëve Selatin Kaçaniku.

Agon Gashi, drejtor në kompaninë “Meridian” tha se konsumatori për ne është primar dhe neve na vjen mirë që ka filluar të vetëdijesohet.

“Ne si kompani kemi mesatarisht rreth 12 mijë konsumatorë në ditë, kështu që për ne është shumë e rëndësishme përshtypja e parë dhe ofrimi i një shërbimi sa më të mirë dhe se ekipi i Marketingut i Kompanisë mundohet me të gjitha teknikat që të ofrojë një shërbim sa më të mirë për konsumatorin”, theksoi Gashi.

Ai shtoi se ne jemi shumë të hapur dhe besojmë se iu kemi ofruar mundësitë që i nevojitet konsumatorit për të pasur një qasje sa më të lehtë në shërbime.

“Apeloj edhe te kompanitë tjera, qoftë konkurrente qoftë partnere, që t’i japim mundësi më shumë konsumatorit sepse varemi prej konsumatorit, respektivisht shpenzimeve të konsumatorit”, potencoi Gashi.

Kosova zyrtarisht është njohur si partnere e Rrjetit të Mbrojtjes Ndërkombëtare të Konsumatorit “International Consumer Protection and Enforcement Network” (ICPEN).

Kjo organizatë është e përbërë nga autoritetet e më shumë se 50 vendeve te botës për mbrojtjen e konsumatorit, që kanë për qëllim mbrojtjen e interesave ekonomike të konsumatorëve në të gjithë botën,  shkëmbimin e informacioneve në lidhje me praktikat tregtare të cilat mund te dëmtojnë mirëqenien e konsumatorit, si dhe bashkëpunimin global në mes organeve përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)