20 Prill 2024

Marrëveshja tregëtare mes 12 vendeve të Paqësorit

Tokio, 24 prill - Me përfundimin e luftës në Irak dhe pakësimin e përfshirjes ushtarake amerikane në Afganistan, Presidenti Barack Obama është përpjekur të zhvendosë përqendrimin e politikës së jashtme të vendit drejt Azisë.

Një nga aspektet e këtij vendimi është negocimi i një marrëveshjeje për tregti të lirë midis 12 vendeve të Paqësorit. Por Obama, që këtë javë udhëton në katër vende aziatike – Japoni, Kore e Jugut, Malajzi dhe Filipine – e ka pasur shumë të vështirë të përfundojë arritjen e marrëveshjes tregtare.
 
Amerika prodhon makina që dërgon në mbarë botën. Japonia bën të njëjtën gjë. Fermat amerikane u shesin mish viçi dhe derri shumë klientëve jashtë vendit, ndërsa Japonia eksporton produktet e saj elektronike në vende të largëta.

E gjithë kjo është vetëm një pjesë e vogël e tregtisë ndërkombëtare që ndodh çdo ditë. Tani, 12 shtete në bregun e Paqësorit po negociojnë mënyra për të rritur tregtinë, duke ulur ose duke hequr tarifat doganore dhe duke lehtësuar rregullat.

Partneriteti Trans-Paqësor është një shtyllë kryesore e angazhimit të presidentit Barak Obama në Azi dhe do të jetë me siguri një nga temat kryesore të bisedimeve gjatë udhëtimit të tij.

Sekretarja amerikane e Tregtisë Penny Pritzker thotë se marrëveshja tregtare është një prioritet i lartë i administratës Obama.

"Hapja e tregjeve të rajonit të Azi-Paqësorit ndaj eksporteve dhe investimeve amerikane do të ndihmojë rritjen ekonomike dhe shtimin e vendeve të punës këtu në Shtetet e Bashkuara, në shumë mënyra."

12 vendet përbëjnë rreth 40 për qind të ekonomisë botërore dhe 26 për qind të tregtisë së botës. Por, arritja e një marrëveshjeje tregtare të gjerë ka qenë kaq e komplikuar saqë disa shtete po negociojnë marrëveshje dypalëshe.

Australia ra dakord këtë muaj të lehtësojë detyrimet mbi produktet elektronike japoneze, ndërsa Tokio të ulë tarifat ndaj eksporteve australiane të mishit të derrit dhe viçit.

Shtetet e Bashkuara dhe Japonia janë përfshirë në bisedime të vështira për një marrëveshje mes tyre. Përfaqësuesi për Tregtinë i SHBA-së Michael Froman i përshkroi negociatat kohët e fundit.

"Ekipet tona mbërritën me idenë se bisedimet do të ishin të vështira dhe pritshmëria jonë u vërtetua."

Përpjekja e bashkëpunimit tregtar e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara synon pjesërisht të ndihmojë interesat amerikane në Azi, në një kohë kur ekonomia e dytë më e madhe në botë – Kina – po përjeton rritje të shpejtë dhe së shpejti do të mund të arrijë SHBA-në në pozicionin e kreut ekonomik të botës.

Por Kina nuk është pjesë e këtyre bisedimeve tregtare.

Analistja Barbara Kotschwar është me Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, me qendër në Uashington:

"Në fillim ekzistonte frika për të cilën flisnin shumë njerëz, mbajtja nën kontroll e Kinës. Mendoj se ajo frikë është pakësuar disi dhe shohim që Shtetet e Bashkuara dhe Kina konsiderojnë tashmë negociata për një traktat investimesh dypalësh."

Por, tani për tani, edhe pa përfshirjen e Kinës, 12 vendet e Paqësorit po hasin shumë probleme për arritjen e një marrëveshjeje mbi mënyra për të zgjeruar së bashku ekonomitë e tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)