23 Prill 2024

Nikaj priti përfaqësueset e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës

Prishtinë, 22 prill - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, priti sot në një takim përfaqësueset e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, që kryesohej nga drejtorja ekzekutive e saj, Lendita Kastrati.

Në këtë takim u diskutua për sfidat me të cilat po përballen gratë në ndërmarrësi, mundësitë për të përmirësuar pozitën e gruas në ndërmarrësi si dhe projektet e  Dhomës Ekonomike të Grave, që janë në shërbim të fuqizimit të gruas në ekonominë kosovare. Ministri Nikaj, përgëzoj përfaqësueset e Dhomës Ekonomike për angazhimin e tyre në përmirësimin e pozitës së gruas në ndërmarrësi.

Ai u premtoi përkrahje të mëtejme dhe njëherësh i inkurajoi gratë ndërmarrëse të jenë pjesë e projekteve që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i ka iniciuar së fundi në mbështetje të ndërmarrjeve Mikro të Vogla dhe të Mesme.

“Ministria që unë drejtoj do të mbështesë çdo iniciativë të Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, që do të shërbente në fuqizimin e gruas në ekonominë kosovare. Çdo probleme me të cilin përballen gratë ndërmarrëse do të adresohet me prioritet nga ministria jonë”, tha ministri Nikaj.

Ai i ftoj përfaqësueset e Dhomës Ekonomike të Gruas që të njoftojnë gratë ndërmarrëse për projektin granteve, në vlerë prej katër milionë euro, dhe t’i inkurajojnë anëtarët e tyre të aplikojnë me projektet e tyre.

Drejtoresha ekzekutive e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, Lendita Kastrati, duke falënderuar ministrin Nikaj për mbështetjen e vazhdueshme, tha se bashkëpunimi mes dy institucioneve është i domosdoshëm për përmirësimin e pozitës së gruas ndërmarrëse.

“Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës është institucion në shërbim të fuqizimit të gruas në ekonominë kosovare. Kjo nuk do të mund të bëhet realitet pa përkrahjen edhe të institucioneve tjera relevante. Ne ju falënderojmë për përkrahjen e gjertanishme dhe njëkohësisht presim mbështetje të mëtejme në projektet tona”, tha Kastrati.

Ajo njoftoi  gjithashtu edhe për përgatitjet që janë duke u bërë për pjesëmarrjen e Dhomës Ekonomike të Grave në Samitin Ndërkombëtar të Gruas në Paris, si dhe përgatitjet për ceremoninë e ndarjes së çmimit “Gruaja ndërmarrëse më e suksesshme e vitit”.

Në takim u diskutua për mundësinë e rritjes së rolit të gruas në ndërmarrësi si dhe shumë çështje të tjera që e preokupojnë Dhomën Ekonomike të Grave të Kosovës dhe gruan ndërmarrëse në veçanti.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)