27 Prill 2024

Kosova me marrëveshje për mbrojtjen e investimeve me Turqinë

Ankara, 31 maj - Me qëllim të ngritjes së bashkëpunimin ekonomik, në veçanti në lidhje me investimet, Zëvendëskryeministrja/ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila nënshkroi marrëveshjen për promovimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të investimeve me ministrin e Ekonomisë së Turqisë, Zafer Caglayan.

Në takimin e saj me ministrin Caglayan, ajo tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje ka rëndësi tejet të madhe për ekonominë e Kosovës. “Kosova ka shumë nevojë për prodhim dhe zhvillim të industrisë, ndërsa bashkëpunimi me kompani turke tashmë është vërtetuar si mjaft i lehtë dhe i natyrshëm” – tha zëvendëskryeministrja Kusari – Lila. Ajo e informoi ministrin Caglayan për procesin e reformave ekonomike.

 “Ne jemi në përfundim të ligjit për zonat ekonomike. Ne do të dëshironim të marrim përvojat e juaja, por gjithashtu përmes jush të promovoni këto zona tek kompanitë turke të interesuara për të investuar në Kosovë. Përveç  afërsisë historike dhe kulturore të Kosovës me Turqinë, reformat e ndërmarra për përmirësimin e ambientit do të jenë arsye e fortë për të investuar në Kosovë.

“Si faza të ardhshme të bashkëpunimit ekonomik, ministrja përmendi  përgatitjen e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për fillimin e negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes për tregti të lirë dhe e informoi ministrin Caglayan se marrëveshja për revidimin e tatimit të dyfishtë është e gatshme dhe është çështje javësh se kur do të nënshkruhet.  “Kosova ka më tepër nevojë për Turqinë se sa Turqia për ne” – përfundoi ministrja Kusari – Lila.

Në anën tjetër, ministri i Ekonomisë Turke Zafer Caglayan  tha se garanton për promovim të investimeve. Ai tregoi lidhjet vëllazërore me Kosovën, duke thënë se qeveria turke i kushton rëndësi të veçantë Kosovës. Ai tha se kompanitë turke duhet të jenë si shembull i mirë për të gjitha kompanitë tjera të huaja në Kosovë. Ministri turk i Ekonomisë, Caglayan shprehu bindjen e plotë se Qeveria e Turqisë është e gatshme të nënshkruajë çdo marrëveshje për heqjen e barrierave ekonomike në mes të këtyre dy vendeve.

Ai gjithashtu tha se me shumë dëshirë mund të ndaëj eksperiencën e tyre për zonat e lira ekonomike, e cila është nën mbikëqyrjen e ministrisë që ai drejton. Në fund, ai falënderoi Qeverinë e Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të turqve në Kosovë.

Me anë të kësaj marrëveshje, e cila u nënshkrua në Ankara, palët kontraktuese do të nxisin, promovojnë dhe mbrojnë investimet në territorin e palës tjetër kontraktuese. Kjo marrëveshje ka për qëllim edhe krijimin e kushteve më të favorshme me qëllim të ngritjes së investimeve nga investitorët e Turqisë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, në kuadër të vizitës së saj në Turqi, ministrja Mimoza Kusari- Lila takoi edhe përfaqësuesit e Bankës Shtetërore të Turqisë, EximBank. Marrë parasysh që kjo bankë për dhënie të kredisë kërkon mbështetje të institucioneve qeveritare apo bankave shtetërore, ministrja Kusari – Lila diskutoi për gjetjen e një mekanizmi që bizneset kosovare që kanë bashkëpunime me kompani turke të kenë mundësi në marrjen e kredive nga kjo bankë. Në fund të takimit u dakorduan se bizneset të cilat dëshirojnë të marrin kredi mbi vlerën 250 milionë dollarë mund të marrin vetëm përmes ndonjë banke komerciale në Kosovë.

Në fund të vizitës së saj, ministrja takoi edhe Bordin Udhëheqës të Unionit të Odave për Shkëmbim të Mallrave. Znj. Kusari – Lila tregoi arsyet pse të investohet në Kosovë dhe i bëri thirrje këtij bordit të bëjnë promovim më të madh për Kosovën, duke marrë parasysh që ky union mbledh 365 oda tregtare dhe bursa dhe se ka 1 milion e 400 mijë anëtarë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)