20 Prill 2024

Ulen investimet e huaja në Shqipëri

Tiranë, 7 shkurt - Efektet e krizës ndërkombëtare në Shqipëri shfaqen edhe përmes rënies së investimeve të huaja direkte.

Sipas të dhënave nga Instituti i Studimeve Ekonomike të Vjenës, fluksi i investimeve të huaja direkte në Shqipëri ka rënë të paktën që nga viti 2008, atëherë kur filloi të konturohej edhe kriza ndërkombëtare.

Fatmirësisht në 2010 vendi pati rritje të fluksit të kapitalit të huaj, por rezultati më pas ishte i dobët duke zbritur në 650 milionë euro.

Ky fakt përforcohet edhe nga Banka e Shqipërisë, e cila duke analizuar të dhënat tre-mujore që prej vitit 2008 vëren se fluksi i investimeve direkte në Shqipëri ka ardhur në rënie.

Sipas bankës, kjo rënie lidhet ngushtësisht me pasiguritë e krijuara në vend dhe jashtë me ecurinë e ekonomisë, me normën e ulët të shfrytëzimit të kapaciteteve dhe me rënien e indeksit të besimit tek biznesi.

E parë në kontekstin e rajonit, vendi i parë që po njeh rritje të investimeve të huaja direkte mbetet Serbia e cila edhe pse e vendosur nën regjimin e FMN-së për shkak të përkeqësimit të stabilitetit të saj financiar ka mundur të tërheqë investitorë të huaj.

Shqipëria në rajon renditet mes vendit të dytë dhe të tretë me konkurrenten më të drejtpërdrejtë, Malin e zi.

Megjithatë, renditja ka ndryshuar gjatë këtyre viteve në varësi të reformave që kanë kryer qeveritë e vendeve të rajonit.

Tërheqja e kapitalit të huaj për Shqipërinë ka qenë përherë një sfidë, por në kontekstin e krizës ndërkombëtare ajo mbetet një masë emergjente.

Në raportin e fundit të Bankës Botërore të quajtur prospekti global, mes 30 vendeve në zhvillim nga e gjithë bota, Shqipëria renditet e treta si më e rrezikuar nga ngërçi i financimeve. Banka vëren se këtë vit nevoja për financime nga jashtë për Shqipërinë do të rriten në 21.3 për qind të prodhimit të përgjithshëm kombëtar.

Kjo gjendje e Shqipërisë e bën bankën të arrijë në konkluzione dramatike duke parashikuar edhe mbyllje të bizneseve vendase.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)