29 Mars 2024

Thaçi: Pjesëmarrja jonë në Rio, fitorja e parë olimpike

Prishtinë, 20 korrik - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot Presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasanin.

Presidenti Thaçi ka përgëzuar drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës për punën që kanë bërë për një prezantim të dinjitetshëm të shtetit tonë në Lojërat Olimpike, Rio 2016.

“Po i afrohemi ditëve historike kur Kosova për herë të parë do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike në Rio. Kjo ka qenë një punë e madhe dhe këmbëngulëse që ka bërë edhe kryetari Hasani, edhe ekipi e tij, edhe gjithë bordi, gjithë sportistët kosovarë që një mrekulli e tillë të ndodhë këtë vit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai është shprehur i bindur se nga Rio, ekipi i Kosovës i përbërë nga tetë atletë do të kthehet si fitues dhe me medalje. Sipas tij, vetë pjesëmarrja është një mrekulli për shtetin e Kosovës, meqë po ndodh për herë të parë në histori.

“Si president i vendit, në të gjitha këto aktivitete, në këto përkushtime, jo vetëm si Komitet Olimpik i sportit kosovar, por gjithë sporti kosovar do ta kenë mbështetjen time të plotë”, ka theksuar Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se pjesëmarrja jonë në Rio është fitorja e parë olimpike e Kosovës.

Nga ana tjetër, Besim Hasani, President i Komitetit Olimpik të Kosovës, ka falënderuar presidentin Thaçi për një bashkëpunim të mirëfilltë që ka mundësuar njohjen e Komitetit Olimpik të Kosovës nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

“Kosova merr pjesë me tetë sportistë në këto Lojëra Olimpike dhe dy sportistë janë me normë olimpike, që në mënyrë automatike na radhisin në mesin e 50 shteteve më të mira, me sport më të zhvilluar. Po ashtu janë edhe këta gjashtë sportistët e tjerë, sportistët më të mirë që i ka Kosova”, ka thënë Hasani.

Ai ka theksuar se Kosova synon medalje, por përtej medaljeve rëndësi të jashtëzakonshme ka pjesëmarrja jonë e parë në Lojërat Olimpike.

“Unë ju falënderoj edhe për gatishmërinë tuaj, që gjatë këtyre ditëve, kampanjën për promovimin e ekipit olimpik të Kosovës ta bëjmë në bashkëpunim, në koordinim edhe me juve, edhe me kryeministrin, edhe me ministrin e sportit, sepse kjo ngjarje ka rëndësi të jashtëzakonshme për sportin e Kosovës, por besoj edhe për Kosovën në përgjithësi”, ka thënë Hasani. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)