29 Mars 2024

Shala përgëzoi FFK-në për punën e madhe dhe suksesin historik

Prishtinë, 5 maj - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka organizuar sot në kabinetin e tij një pritje për drejtuesit e FFK-së, kryetarin Fadil Vokrri dhe Bordin Ekzekutiv të FFK-së, të cilët i përgëzoi për anëtarësimin e FFK-së në UEFA.

Në këtë takim mori pjesë edhe nënkryetari i Federatës Gjermane të Futbollit, Rainer Millkoreit.

Ministri Shala më këtë rast uroi drejtuesit FFK-së për punën e madhe dhe për suksesin historik që ka shënuar futbolli i Kosovës me anëtarësimin në UEFA, akt ky i cili i kurorëzoi ëndrrat e shumë brezave që kanë sakrifikuar shumë për futbollin e Kosovës.

Shala më tej shprehu përkushtimin dhe gatishmërinë e MKRS-së dhe Qeverisë së Kosovës për të ndihmuar futbollin e Kosovës, veçmas me investime në fushën e infrastrukturës sportive.

Më tej Shala i uroi fat FFK-së edhe ne kongresin e FIFA-së, me çka do të përmbyllet procesi i pranimit të Kosovës në federatat e mëdha të sportit botëror.

Ndërsa kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri ka falënderuar ministrin Shala për mbështetjen dhe përkushtimin që ka treguar për të ndihmuar FFK-në në këtë proces tejet të rëndësishëm për Kosovën.

Ai më tej u shpreh se pranimi i Kosovës në UEFA është ëndërr e gjeneratave të reja, dhe falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë drejtim, e veçanërisht ministrin për shtytjen e vazhdueshme që i ka dhënë këtij procesi.

Në takim i pranishëm ishte edhe nënkryetari i Federatës së Futbollit të Gjermanisë, Rainer Millkoreit, i cili tha se pranimi i Kosovës në UEFA është sukses i jashtëzakonshëm për FFK-në, për shtetin e Kosovës dhe sidomos për të rinjtë e Kosovës. Ai më tej shprehu përkushtimin e tij dhe të Federatës Gjermane të Futbollit për të vazhduar bashkëpunimin me FFK-në në funksion të ngritjes së futbollit të Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)