25 Prill 2024

Thaçi priti heroinat e xhudos, Majlinda Kelmendin dhe Nora Gjakovën

Prishtinë, 25 prill - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot Majlinda Kelmendin dhe Nora Gjakovën, fituese të medaljeve në Kampionatin Evropian në Xhudo, si dhe Kryetarin e Federatës së Xhudos, Agron Kuka dhe përzgjedhësin Driton Kuka, për t’i uruar për suksesin e radhës së tyre.

“Është kënaqësi t’ju takoj dhe t’ju uroj për suksesin e arritur. Suksesi juaj është edhe sukses i Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.

Duke folur për punën dhe sukseset e xhudistëve, presidenti Thaçi u shpreh se “Kosova është krenare me sukseset e juaja” dhe shtoi se “ju jeni imazhi i vërtetë i Kosovës, i rinisë që punon me përkushtim edhe kur kushtet nuk janë më të mirat, për të arritur sukses”.

Delegacioni i xhudistëve e njoftoi presidentin Thaçi për punën dhe sukseset e arritura.

Agron Kuka, Kryetar i Federatës së Xhudos, tregoi për punën që bëhet, përkundër kushteve të kufizuar, ndërsa përzgjedhësi Driton Kuka tregoi për rëndësinë që sukseset e dy xhudisteve kanë për gjasat e tyre në Lojërat Olimpike në Rio.

Dy xhudistet, Majlinda dhe Nora, treguan për garat e vështira, por edhe për gëzimin në suksesin e arritur. Të dyja u shprehën se i gëzohen mundësisë që të dëshmohen edhe në Lojërat Olimpike që do të mbahen në Rio.

Presidenti i Kosovës u shpreh se “shteti i Kosovës do të vazhdojë të mbështesë sportistët dhe sportin” dhe u uroi suksese xhudisteve dhe federatës së tyre.

“Majlindës dhe Norës i urojmë suksese në Lojërat Olimpike. Jemi të bindur në suksesin e tyre”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)