19 Prill 2024

Qeveria përkrah fuqishme zhvillimin e gjithanshëm të sportit

Prishtinë, 11 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur të enjten në takim të gjithë drejtuesit e federatave sportive të Kosovës.

Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për të përkrahur kërkesat, nevojat dhe për të adresuar sfidat e sportit kosovar.

“Ne mendojmë se përmes konsolidimit të sportit dhe zhvillimit të tij, ne drejtpërsëdrejti ndikojmë në konsolidimin e shtetit të Kosovës, njohjen e Kosovës dhe vlerave të saj në arenën ndërkombëtare”, tha kryeministri Mustafa, duke vlerësuar sukseset e jashtëzakonshme të sportistëve kosovarë gjatë këtyre viteve, në veçanti sukseset e Majlinda Kelmendit dhe sportistëve të tjerë që kanë arritur suksese kulmore.

Duke veçuar anëtarësimin e 15 federatave të Kosovës në federatat ndërkombëtare dhe anëtarësimin e Shoqatës së Gazetarëve Sportiv të Kosovës në Asociacionin Ndërkombëtar të Gazetarëve Sportiv, kryeministri Mustafa shprehu bindjen se edhe futbolli kosovar shumë shpejt do të anëtarësohet në FIFA dhe UEFA.

“Si Qeveri ne po bëjmë përpjekje që të punojmë në afirmimin e sportit”, tha kryeministri, duke premtuar investime të mëtejshme në sport.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, bëri të ditur se tani është në procedurë edhe Ligji për Sponsorizimin e Kulturës dhe Sportit, i cili ofron mbështetje dhe krijon kushte të reja për sportin.

Në fund, kryeministri Mustafa ka thënë se me qëllim që të arrihen të gjitha synimet e përbashkëta duhet që të gjitha proceset në Kosovë të zhvillohen në tryeza, me argumente dhe përmes këmbimit të mendimeve.

“Mundësitë për këto ekzistojnë, disponimi ekziston, dhe edhe kjo e sotmja është një shprehje e këtij vullneti dhe disponimi tonë që së bashku me ju të bisedojmë për këto çështje”, tha kryeministri Mustafa.

Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, përgëzoi federatat sportive për sukseset e arritura deri më tani.

“Ne jemi tani para një rrethane të re apo para një vendimi të ri që do të mund të merret edhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Ne jemi në një bashkëpunim të ngushtë me Federatën e Futbollit, ndërsa mendoj se kjo do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme, disponimi është i mirë, opinioni është shumë i mirë, është një mbështetje e gjerë për anëtarësimin tonë, që do të hapet një perspektivë jashtëzakonisht e madhe edhe sa i përket futbollit”, tha zëvendëskryeministri.

Zëvendëskryeministri Thaçi po ashtu tha se shumë shpejt do të përmbyllet edhe procesi për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar dhe se do të vazhdohet me punë më të madhe për Ligjin për Sponsorizime, që të filloj edhe implementimi.

Duke përmendur sukseset e jashtëzakonshme që janë arritur dhe pritet të arrihen, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e Kosovës në Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro, zëvendëskryeministri Thaçi, tha se për të arritur suksese të mëtejshme  duhet një imazh i mirë.

“Këtë imazh të Kosovës do të mund ta forconi ju edhe më tepër, ta afirmoni edhe më tepër. Por e theksoj përsëri çdo imazh i keq për çfarëdo çështje që paraqitet në Kosovë do të jetë edhe një lëndim edhe për sportin kosovar kudo që jeni. Qoftë imazh i keq në politikë ndikon edhe në mosafirmimin tuaj”, tha zëvendëskryeministri Hashim Thaçi.

Kujtim Shala, zëvendëskryeministër, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka vlerësuar punën e bërë deri më tani nga punëtorët sportivë në Kosovë.

“Unë besoj që hapi më i madh në raportet e  Qeverisë me Komitetin Olimpik dhe me Federatat është bashkëpunimi që kemi vendosur. Ne bashkë me ju dhe me Departamentin e Sportit kemi insistuar që së pari të bëjmë pavarësimin financiar të Komitetit Olimpik dhe të Federatave, dhe këtë e kemi arrit vitin që shkoi. Tani jemi në fazën e vlerësimit dhe po ashtu në fazën e licencimit të federatave, i cili është një proces tepër i rëndësishëm sepse përcakton raportin tonë për tri vitet e ardhshme”, tha ministri Shala, duke folur edhe për punën e madhe që po bëhet në fushën e legjislacionit.

Zëvendëskryeministri Shala ka theksuar edhe investimet e bëra në sport, në veçanti dinamikën e madhe në këtë drejtim gjatë vitit të kaluar.

“Po ndërtojmë palestra, janë në proces 7 palestra, pjesa më e madhe e të cilave do të kryhet sivjet, ndërkaq pjesa tjetër do të përfundoj vitin e ardhshëm. Po ashtu gjatë këtij viti do të fillojmë edhe katër palestra tjera”, tha Shala, duke folur edhe për përpjekjet që po bëhen për krijimin e një zone, një kampusi për objekte nacionale të sportit, i cili do të jetë në Prishtinë, në zonën e Bernicës.

Më tutje, zëvendëskryeministri Kujtim Shala ka përmendur rezultatet e vitit të kaluar, medaljen e Nora Gjakovës, kthimin e Majlindës pas lëndimit fuqishëm me rezultate të jashtëzakonshme, titullin e klubit të basketbollit Prishtina, organizimin e Kampionatit Botëror të vendeve në zhvillim në hendboll, etj.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, tha se ky takim dëshmon një kontinuitet të bashkëpunimit jashtëzakonisht të lartë dhe të mirë ndërmjet Qeverisë, Ministrisë, Komitetit Olimpik dhe federatave sportive.

“Padyshim se ky bashkëpunim ka dhënë edhe frytet e veta dhe sot pothuajse të gjitha federatat që nga viti 2003 kur për herë të parë është pranuar Federata e Pingpongut, janë 29 federata të pranuara, mbetet edhe Federata e Futbollit, dhe do të kurorëzohet ndërkombëtarizimi i sportit, e që padyshim një meritë e jashtëzakonshme u takon drejtuesve të sportit”, tha Hasani, duke shtuar se këto rezultate janë fryt i bashkëpunimit qeveritar dhe joqeveritar, por edhe  i rezultateve mahnitëse dhe spektakulare që kanë arritur sportistët e Kosovës së bashku me trajnerët e tyre.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)