24 Prill 2024

500 mijë euro për renovimin e stadiumit të qytetit në Prishtinë

Prishtinë, 15 prill - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka pritur sot në takim kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me të cilin kanë diskutuar për realizimin e disa projekteve të përbashkëta, në fushën e sportit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

Me theks të veçantë është biseduar për renovimin e stadiumit të qytetit, ndërtimin e një stadiumi ndihmës të futbollit, investime nga MKRS-ja, ndërtimi i pishinës olimpike me bashkëfinancim nga Komuna dhe MKRS-ja, ndërtimin e Pallatit Olimpik, objekt për federata dhe që është projekt i MKRS-së, ndërtimin e një qendre rinore nga buxheti i MKRS-së, si dhe mundësia e bashkëfinancimit të Sallës Universale, projekt i Komunës së Prishtinës.

Në konferencën për shtyp, ministri Krasniqi shprehu kënaqësinë që kanë gjetur një mirëkuptim me kryetarin Ahmeti që këto projekte të realizohen në bashkëpunim mes dy institucioneve, dhe në afat sa më të shpejtë. Ai shtoi se ka disa muaj që ekipet e të dy institucioneve kanë mbajtur takime të rregullta për të koordinuar hapat për këto projekte.

“Jemi në rrugë të mbarë për të filluar në implementimin e projekteve konkrete. Këto projekte janë në interes të qytetarëve dhe veçanërisht në interes të performuesve të fushave të caktuara dhe ne jemi të interesuar që t’i procedojmë sa më shpejt që të jetë e mundur në bazë të legjislacionit në fuqi”, tha ministri duke shprehu besimin se shumë shpejtë do t’i konkretizojnë veprimet për të realizuar këto projekte, përmes nënshkrimit të një memorandumi të mirëkuptimit. Ai shtoi se MKRS-ja e ka të gatshëm buxhetin për secilin projekt.

Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Ahmeti, falënderoi ministrin për pritjen dhe tha se kanë diskutuar për projektet që kanë qenë kërkesë e MKRS-së dhe të cilat janë të parapara në buxhet. Ai veçoi projektin për investime në stadiumin e Prishtinës.

“Ne u dakorduam që ta shpallim besoj bashkërisht një konkurs për rregullimet në stadium të cilat janë të nevojshme dhe të cilat duhet të përfundojnë sivjet”, tha Ahmeti duke theksuar se do të shohin në bazë të buxhetit se sa fonde mund të ndajë Komuna për këtë projekt të përbashkët.

“Ne si komunë natyrisht që jemi të interesuar që çdo projekt që është në interesin e qytetarëve dhe ku përfitojnë qytetarët e Komunës së Prishtinës, ta realizojmë sa më shpejtë”.

MKRS-ja ndërkaq është zotuar se mund të investojë deri në 500 mijë euro për investime në renovimin e stadiumit të qytetit në Prishtinë.

Ahmeti theksoi se pret që në muajin maj, kërkesat e MKRS-së për parcela për Pallatin Olimpik, stadiumin ndihmës dhe qendër rinore të jenë në rend dite në asamblenë komunale.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)