28 Mars 2024

Qeveria të intervenoj në Qendrën Historike të Prizrenit

Prizren, 6 maj - Rrënimi i objekteve të vjetra, që gëzojnë mbrojtje në bazë të legjislacionit në fuqi, nuk po ka të ndalur në Qendrën Historike të Prizrenit. Rasti i fundit, i shkatërrimit të vlerave të trashëgimisë kulturore në këtë zonë të mbrojtur ka ndodhur të enjten në rrugën “Marin Barleti”.

Sipas autoriteteve në të njëjtën rrugë ka edhe disa objekte të tjera që janë në prag të kolapsit. Tashmë ka kaluar kohë e konsiderueshme që prej se shteti nuk po ndërmerr veprime të duhura për ruajtjen e konservimin e këtyre ndërtesave, që paraqesin vlera të çmuara të trashëgimisë arktiketonike të Prizrenit.

Objektet në rrugën “Marin Barleti”, që kryesisht janë rezidenciale, tashmë janë në shkatërrim e sipër. Të gjitha këto objekte kanë status të mbrojtjes ligjore dhe bëjnë pjesë në Kompleksin e Nënkalasë, Pantelisë dhe Potok Mahallës, pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme (me numër unik të databazës 002983). Të njëjtat gëzojnë mbrojtje ligjore, bazuar edhe në nenin 4 paragrafi 2 të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, ku theksohet se “Qendra e mbrojtur historike e Prizrenit, si pronë e trashëgimisë kulturore në mbrojtje përfshihet në listën e trashëgimisë kulturore, në mbrojtje të përhershme të Republikës së Kosovës”.

Dhe tani është koha e fundit që institucionet e shtetit të Kosovës ta vënë në veprim këtë status të mbrojtjes ligjore. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk mund të qëndrojnë më indiferente në raport me zhvillimet e fundit në Qendrën Historike, e as të presin veprime nga Komuna e Prizrenit, e cila është treguar e pavullnetshme prej vitesh në këtë drejtim.

Prandaj, EC Ma Ndryshe i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërhyjë në Qendrën Historike, zonë në të cilën gjendja është jashtë kontrollit dhe shkatërrimi i trashëgimisë kulturore ka arritur përmasa alarmante.

Intervenimi urgjent është i nevojshëm sidomos në objektet në rrugën “Marin Barleti”, në mënyrë që ato të shpëtohen në afatin sa më të shkurtër kohor. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me organet tjera duhet të ndërmarrë veprime emergjente për parandalimin e shkatërrimit të mëtejmë të objekteve të vjetra në Qendrën Historike dhe të investojë në konservimin e tyre.

Në buxhetin e MKRS-së për vitin 2016 figuron se për Masat Preventive, intervenime emergjente janë të ndara 200 mijë euro. Gjatë vitit të kaluar, kjo Ministri nuk ka investuar asnjë cent nga ky buxhet në Qendrën Historike të Prizrenit, edhe pse gjendja e shumë objekteve tashmë disa vite është tejet e rënduar. Prandaj, EC Ma Ndryshe bën thirrje që MKRS urgjentisht t’i alokojë këto mjete për intervenime emergjente në Qendrën Historike të Prizrenit. Në të njëjtën kohë kërkon që Qeveria e Kuvendi i Kosovës të angazhohen për gjetjen e mjeteve shtesë gjatë procesit të rishikimit të buxhetit vjetor.

EC Ma Ndryshe përsërit thirrjen për ndjekjen penale të rasteve të dëmtimit të trashëgimisë kulturore. Ngathtësia e gjyqësorit për t’i trajtuar këto raste është inkurajim i drejtpërdrejtë për përsëritjen e veprës penale “dëmtim i trashëgimisë kulturore”. Përkundër dhjetëra rasteve të raportuara viteve të fundit, deri në këtë moment nuk ekziston asnjë vendim gjykate për dëmtimin e trashëgimisë brenda Qendrës Historike.

Përveç dëmit të madh ndaj trashëgimisë kulturore të vendit, rastet e fundit të shkatërrimit si dhe përsëritja eventuale e këtyre skenarëve do të ndikojnë edhe në forcim të argumenteve të kundërshtarëve të Kosovës për procesin e anëtarësimit në UNESCO.

 

“EC Ma Ndryshe” në korrik të vitit 2013 ka nisur zbatimin e projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm”, përkrahur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Projekti do të vazhdoj me monitorimin dhe publikimin e të gjeturave në sektorin e urbanizimit dhe planifikimit hapësinor, sikurse edhe me adresimin e përgjegjësisë institucionale. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)