28 Mars 2024

Qendra Historike e Prizrenit, po degradohet

Prishtinë, 29 pril l - Qendra Historike e Prizrenit, po degradohet në vazhdimësi nga Komuna e Prizrenit.
                                           

Qendra Historike e Prizrenit ka status të zonës së veçantë të mbrojtur dhe mbrohet përmes ligjeve, respektivisht Ligjit Nr. 04/L-066 për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjit Nr. 02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore.

Bazuar në Ligjin për Qendrën historike, Komuna e Prizrenit është institucioni kompetent për zbatimin e këtij ligji, për të siguruar koordinimin e veprimeve që lidhen me mbrojtjen, zhvillimin dhe promovimin e Qendrës Historike të Prizrenit.
Duke u bazuar në raportin tremujor (Janar – Mars 2016) të përgatitur nga Këshilli për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit  dhe në bazë të përcjelljes së punës së këtij Këshilli për këtë periudhë, nuk kemi ndonjë vërejtje apo koment sa i përket aktiviteteve dhe angazhimit të tij.

Komentet  dhe vërejtjet do t’i drejtojmë ndaj Drejtorive përkatëse të Komunës, respektivisht asaj të Planifikimit Urban dhe Inspekcionit, Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe asaj për Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm.
Komuna e Prizrenit, bazuar në ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, Neni 21, është e obliguar të themelojë Zyrën e Qendrës Historike, e cila do të shërbej si pikë koordinuese ndërmjet aktiviteteve brenda qendrës, dhe ndërmjet palëve përkatëse të interesit.

Kjo zyre nga Komuna e Prizrenit ende nuk është themeluar, dhe si rrjedhojë në terren paraqiten raste të shumta të tejkalimeve të lejeve, të ndërhyrjeve pa leje, dhe të shkatërrimit të vlerave të trashëgimisë kulturore brenda qendrës historike të Prizrenit.

Në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme 2015-2016, përfshihen monumente të shumta nga komuna e Prizrenit, pronar i së cilës është Komuna e Prizrenit.

Përkundër parashikimit të buxhetit për restaurim, rehabilitimi dhe mirëmbajtje të monumenteve të trashëgimisë kulturore për vitet 2016-2017, Komuna nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshme për të përmirësuar gjendjen e kësaj trashëgimie.
Shtëpia e Musa Shehzades - Restaurimi ka ndodhur në vitet 2012 dhe 2013; Shuma e restaurimit 55 mijë euro; Donatori Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe Komuna e Prizrenit; Destinimi i menduar/planifikuar Muze Etnologjik; OJQ Numizmatika menaxhon me hapësirën muzeale të monumentit.

Sa është arritur promovimi i Muzeut në nivel lokal, kombëtar e regjional? Mënyra e menaxhimit, prezantimi i shtëpisë dhe ekspozitës së përkohshme brenda shtëpisë nuk i afrohet aspak standardeve ndërkombëtare të menaxhimit dhe funksionimit të muzeve. Komuna duhet të hartojë një plan menaxhimi dhe të punoj në funksionalizimin e këtij monumenti si një Muze komunal etnografik, bazuar në standardet ndërkombëtare.


Shtëpia e Shuaip Spahiut – Rekonstruimi total i shtëpisë ka ndodhur në vitet 2010 dhe 2011 Shuma e restaurimit 120 mijë euro- Donatori Komuna e Prizrenit;
Destinimi i menduar/planifikuar Selia e Akademisë Diplomatike të Kosovës;
Gjendja e tanishme: Punët restauruese të papërfunduara në enterier; Pa ndonjë funksion; Pa ndonjë marrëveshje për të vazhduar më tutje.

Ndërtesa e Shkollës së mesme Ruzhdije – është monument nën mbrojtje, në pronësi të Komunës së Prizrenit. Gjatë viteve 2016-2017 Komuna e Prizrenit pa paraparë buxhet për ndërtimin e Bibliotekës regjionale të Prizrenit, në parcelën ngjitur me ndërtesën e Ruzhdijes. Përderisa po investohet në ndërtimin e një ndërtesë të re, ngjitur me Ruzhdijen, asnjë planifikim buxhetor nuk është paraparë për rehabilitimin dhe integrimin e saj në kuadër të kompleksit të bibliotekës regjionale.
Duke marrë parasysh përgjegjësitë ligjore të Komunës për ruajtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe faktit që Ruzhdija është pronë komunale, projektet kapitale duhet të përfshijnë edhe trajtimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore.
Në kuadër të projektit të ndërtimit të Bibliotekës Regjionale të Prizrenit, duhet të përfshihet edhe trajtimi i Ndërtesës së Ruzhdijes.
Shtëpia e Ymer Prizrenit – Komuna e Prizrenit ka investuar në restaurimin e kësaj ndërtese.
Cilat janë planet për të ardhmen e këtij monumenti të trashëgimisë kulturore? A do të hapet për vizitorë? Kush do të menaxhojë me këtë monument? Apo do të ketë fatin e Shtëpisë së Shuaip Pashës të mbetet i mbyllur?
Shtëpia e Shani Efendiut – Kati përdhes i kësaj ndërtese është pronë publike. Punimet restauruese kanë ndodhur gjatë viteve 2013 dhe 2014, Shuma e restaurimit 55 mijë dollarë financuar nga Ambasada Amerikane, Komuna e Prizrenit, participimi i familjes. Info Qendra Turistike e pajisur me inventar dhe materiale promovuese, por Komuna e Prizrenit ka dështuar në sigurimin e aktivitetit ditor.
Gati një vit, kjo zyre qëndron e mbyllur dhe pa funksion. Numri i madh i vizitorëve të huaj dhe vendor që po e vizitojnë Prizrenit, nuk kanë asnjë vend se ku të informohen për të dhënat bazike rreth asaj se çka ofron qyteti. Madje asnjë hartë me pozitë të monumenteve, lokaleve dhe shërbimeve nuk është e mundur të sigurohet.
Kinemaja e parë e qytetit – është ndërtesa e cila gjendet në rrugën “Ismet Jashari Kumanova”. Përdhesa e ndërtesës është pronë e Komunës së Prizrenit, dhe për një kohë është dhënë në shfrytëzim për Shoqatën e Shurdh-Memecëve.
Gjendja e kësaj ndërtese është shumë e keqe.
A ka ndërmarrë Komuna ndonjë hap në bashkëpunim me institucionet kompetente për të bërë vlerësimin e gjendjes fizike, dhe të kostos për ndërhyrje konservuese në këtë monument? A ka ndarë Komuna ndonjë buxhet për rehabilitimin e këtij monumenti?

Kompleksi i Kishës Katolike – Në kuadër të këtij kompleksi, ndërtesat një katëshe nga qerpiçi, të cilët shtrihen përskaj rrugës Ismet Jashari Kumanova, u dëmtuan nga zjarri i cili u shkaktua tri herë radhazi. Si do të veprojë Komuna për gjetjen dhe dënimin e shkaktarëve dhe dëmtuesve të trashëgimisë kulturore?

Muzeu i Nënës Terrezë – Kjo ndërtesë është ndërtuar nga fondet e Ministrisë së Kulturës, në pronën publike të Komunës së Prizrenit. Dy vite pas përfundimit të ndërtesës, ajo mbetet e mbyllur dhe pa ndonjë funksion.
Si do të bëhet funksionalizimi dhe themelimi i muzeut?

Rehabilitimi i fasadave brenda qendrës historike – gjatë vitit të kaluar drejtoria për zhvillim ekonomik dhe turizëm nuk ka realizuar asnjë ndërhyrje në kuadër të kësaj linje buxhetore.

Në shtëpinë e Familjes Shehu – që është gjithashtu monument i trashëgimisë kulturore, janë vendosur skelet nga ana e kompanisë së angazhuar nga Komuna, respektivisht DTZHE, dhe pothuajse gati 6 muaj nuk kanë filluar punimet. Kjo shkakton rrezik për banorët e ndërtesës dhe nuk ndikon në përmirësimin e gjendjes fizike të këtij monumenti.
Për vitin 2016 kjo Drejtori do të duhej të dyfishonte numrin e fasadave të rehabilituara për të plotësuar mospunën e vitit të kaluar.
Shtëpitë në rrugën Marin Barleti, prapa Kishës Ortodokse Shën Gjergji,  janë në gjendje të rëndë fizike, duke paraqitur rrezik të dyfishtë: shkatërrimin e trashëgimisë kulturore dhe rrezik për qytetarët (banorët e lagjes dhe kalimtarët).
Komuna e Prizrenit është përgjegjëse për gjetjen e zgjidhjes së këtij problemi: Duhet të arrihet kontakti me pronarët e shtëpive; Të sigurohen fondet për restaurimin e këtyre shtëpive që janë pjesë e Kompleksit të mbrojtur të Nënkalasë, Pantelisë dhe Potokmahallës.
Rehabilitimi dhe restaurimi i rrugëve brenda Qendrës Historike të Prizrenit – Në kuadër të projektit për rregullimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit brenda qendrës historike të Prizrenit, Hidro-regjioni Jugor ka paraparë ndërrimin e gypave që përshkojnë zonat e shtruara me kalldrëm.
Duke marrë parasysh që Prizreni është qytet i vizituar nga turistët, gjatë sezonit Pranverë- Verë nuk duhet lejuar që brenda qendrës historike të kryhen punime infrastrukturore që do të dëmtonin zhvillimin ekonomik në vend.
Ky projekt duhet të bëhet paralel me Komunën, e cila në kuadër të Drejtorisë për Planifikim urban, ka paraparë buxhet për: Restaurimin e rrugicave në qendrën historike (35.000 euro). Mendojmë që ky buxhet është i pamjaftueshëm dhe duhet të rritet.


Komuna e Prizrenit është njëra prej përfituesve kryesorë të të mirave që sjell trashëgimia kulturore dhe turizmi kulturor i zhvilluar brenda Qendrës Historike të Prizrenit. Komuna është përgjegjëse kryesore për ruajtjen, mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vlerave të trashëgimisë në këtë zonë.

Kjo përgjegjësi nuk duhet të kufizohet vetëm me dhënien e pëlqimeve dhe inspektimet në terren, por duhet të zgjerohet dhe të tejkalojë linjat buxhetore të parapara, për të siguruar fonde shtesë për rehabilitimin e Qendrës Historike të Prizrenit.
Mbrojtja e vlerave të trashëgimisë kulturore nuk arrihet vetëm duke refuzuar kërkesat për ndërhyrje në monumente, por duke zhvilluar politika që do t’i ndihmojnë pronarëve të trashëgimisë kulturore të mirëmbajnë dhe të konservojnë pronat e tyre, dhe të sigurojnë bazat e një zhvillimi të qëndrueshëm lokal.

Komuna e Prizrenit nuk duhet të qëndroj shikuese karshi këtyre fenomeneve negative që po degradojnë vlerat e Qendrës Historike të Prizrenit dhe të pres nga Institucionet Qendrore për ndërhyrje kapitale.
Komuna duhet të merr rolin udhëheqës dhe në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjëse, të udhëheq programin për Mbrojtjen, Promovimin dhe Zhvillimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, si një prej potencialeve kryesore që i posedon Komuna e Prizrenit.

                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                        
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)