20 Prill 2024

Behët zbulimi i shtatores së Ismail Qemalit në Prishtinë

Prishtinë, 23 maj - Me intonimin e himnit kombëtar nga kori i filarmonisë së Kosovës sot u bë zbulimi ceremonial i shtatores së Ismail Qemalit nga ana e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, në një fjalë rasti falënderojë të gjithë pjesëmarrësit e veçanërisht të gjithë ata që kontribuuan për vendosjen e shtatores së Ismail Qemalit në një prej pjesëve kryesore të kryeqytetit.

Gjatë fjalimit të tij, kryetari Ahmeti tha se deri në fund të vitit pritet që të dërgohet edhe shtatorja e Hasan Prishtinës në Vlorë, pjesë kjo e marrëveshjes midis Komunës së Prishtinës dhe institucioneve qeveritare në Vlorë.

“Shtetndërtimi dhe bashkimi janë dy porositë që na la Ismail Qemal Vlora. Këto janë dy gjëra të cilat i gjejmë në fjalët dhe veprat e Ismail Qemal Vlorës. Nëse flasim për shtetndërtimin nuk flasim vetëm për faktin se për dy vite sa ishte kryetar i qeverisë së parë shqiptare vendosi bazamentet e shtetit shqiptar, mirëpo edhe gjatë veprimtarisë së tij në të kaluarën, pra në administratën e perandorisë otomane, ishte një ndër njohësit dhe reformatorët më të mëdhenj që i ka pas kjo perandori në atë kohë.\"

\"Dhe po ashtu, ishte një ndër njohësit më të shkolluar që i kishte në dispozicion jo vetëm ky regjion, por edhe më gjerë”, tha kryetari Ahmeti, i cili u shpreh se Ismail Qemali gjatë jetës së tij ishte i përkushtuar edhe për të drejtat e njeriut dhe të drejtat politike të shqiptarëve si dhe ishte një reformator i denjë.

Kryetari Ahmeti me këtë rast tha se ne duam vetëm bashkimin dhe unitetin e shqiptarëve, përparimin intelektual dhe ekonomik tonin me qëllim që të bëhemi të fortë për të kundërshtuar atë që synon të na përpijë si komb. Sipas tij, shqiptarët mjafton të reflektojmë dhe ta zbatojnë në praktikë atë që kanë thënë dhe bërë Ismail Qemali dhe rilindësit e tjerë të asaj kohe.

Ndërsa, kryeministri Edi Rama në fjalën e tij tha se sot para nesh është pavarësia dhe sovraniteti i shqiptarëve që shpallet dhe rishpallet. Është streha e shqipeve që duke u kthyer në foletë e tyre, siç e tha papa Françesko në Tiranë, dizejnojnë dhe përngjallin hijshëm rrugëtimin tonë të mundimshëm në drejtimin e duhur të mëvetësisë, por jo të mbylljes në vetvete, të vetëvendosjes por jo të vetëmjaftueshmërisë.

“Shtatorja e Ismail Qemalit del për të mos lëvizur më mbi këtë shesh si gur i rënd në vendin e vet. Qysh prej 1912 rrugëtimi i shëmbëlltyrës të bronztë të kësaj figure të madhe të kombit tonë me gjithë ndalesat në sheshe të ndryshme të qyteteve shqiptare, edhe të qyteteve evropiane, nuk do të ishte i përmbushur nëse nuk do të ishte ndalur edhe në Prishtinë, në këtë vend të themelit të qytetërimit shqiptar në këto troje”, tha kryeministri Rama.

Të pranishmit në një fjalë rasti i përshëndeti edhe përfaqësuesi i intelektualëve të Vlorës, z. Gëzim Zilja.

Pjesë e kësaj ceremonie ishin edhe disa pika artistike që u interpretuan nga artistë nga Kosova dhe Shqipëria.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)