29 Mars 2024

Komuna e Prizrenit vazhdon punimet pa pëlqimin e MKRS-së

Prishtinë, 30 mars - EC Ma Ndryshe gjatë ditëve të fundit ka përcjellë me vëmendje zhvillimet rreth projektit për ndërtimin e bibliotekës në afërsi të shkollës së vjetër \"Ryzhdije\".

Në bazë të informatave të marra nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve rezulton se ky dikaster ende nuk e ka dhënë pëlqimin përfundimtar për projektin e ndërtimit të Bibliotekës. Ndërkohë në saje të vëzhgimit në terren shihet se tashmë punimet në këtë hapësirë kanë nisur.

Në shkresën elektronike të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore të MKRS-së theksohet se kjo ministri ka shqyrtuar projektin e dorëzuar nga Komuna e Prizrenit, konform rekomandimeve të Komisionit ku është kërkuar rishikimi dhe plotësimi i projektit.

“I njëjti projekt nuk është plotësuar në tërësi. Për këtë kemi kontaktuar me drejtoritë përkatëse të Komunës, dhe me gjithë vullnetin dhe zotimin e tyre projekti ende nuk është dorëzuar i plotësuar. Si i tillë nuk është i miratuar nga MKRS”, thuhet në shkresën e MKRS-së.

MKRS ka konfirmuar po ashtu se është informuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren për fillimin e punimeve dhe se tashmë ka pranuar edhe raportin e parë të vizitës në terren.

Në këtë situatë është e qartë se për realizimin e këtij projekti, Komuna e Prizrenit ende nuk i ka përmbushur procedurat e duhura ligjore. EC Ma Ndryshe në muajin janar ka evidentuar se Komuna e Prizrenit ka vënë gurthemelin për ndërtimin e Bibliotekës pa e marrë pëlqimin e MKRS-së, derisa tanimë edhe po i vijon punimet pa  i përfillur kriteret ligjore.        

EC Ma Ndryshe përkujton se ish-shkolla e Ryzhdijes është pronë e mbrojtur e Trashëgimisë Kulturore, në listën e mbrojtjes së përkohshme të MKRS-së, dhe se si e tillë meriton që të ketë një kujdes më të shtuar nga institucionet.

Për këtë arsye EC Ma Ndryshe i bën thirrje Komunës së Prizrenit që të ndërpresë menjëherë të gjitha punimet në ndërtimin e bibliotekës dhe të ndjekë rrugën ligjore të pajisjes me pëlqime nga institucionet kompetente. 

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës duhet të reagoj me veprime konkrete në mënyrë që të sigurojë ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në këtë zonë të mbrojtur. 

“EC Ma Ndryshe” në korrik të vitit 2013 ka nisur zbatimin e projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm”, përkrahur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Projekti do të vazhdoj me monitorimin dhe publikimin e të gjeturave në sektorin e urbanizimit dhe planifikimit hapësinor, sikurse edhe me adresimin e përgjegjësisë institucionale.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)