26 Prill 2024

Sa isha në Panairin e Librit “Tirana 2014” pashë...

Berat Armagedoni

Edhe sivjet, ashtu sikurse vjet, isha në Panairin e Librit “Tirana 2014”. Por, sivjet, ishte ndryshe nga vjet. Tri ditë sa ndenja aty, kishte pjesëmarrje të madhe të shtëpive botuese, rreth 100; kishte pjesëmarrje të madhe të vizitorëve, kishte shumë libra, por s’kishte shumë blerës siç kishte vjet e as libra të rinj aq sa vjet.

S’kishte shumë aktivitete në ditët e panairit siç organizohen përurime të librave në Panairin e Librit në Prishtinë. Megjithatë, dukej një dasmë e madhe, por jo e kuqe. Pak njerëz festonin për libër. Të lihej përshtypja se je në stacion të trenit, i rrethuar me plot të panjohur, të cilët presin trenin e fundit të kthehen për kurbet dhe t’u rrëfejnë pastaj shokëve, si unë në këtë rast: mora pjesë në Panairin e Librit “Tirana 2014”, kishte plot njerëz, por pak blerës.

Për këtë dasmë të madhe, me pak dhurata (botime), më foli edhe kryetari i Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë, Petrit Ymeri, i cili më njoftoi se në vitin 2012 ishin botuar 2 866 tituj të rinj, kurse 1 086 tituj në 2013-n. Për 2014-n, edhe pse u interesova të dija se mos kishte rënie edhe të mëtutjeshme të botimeve, më tha se nuk kishte numër të saktë, por aq sa kishte mbledhur informata nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në këtë vit kishin rënie të dukshme botimet e librave të rinj, edhe shitjet e librave. S’është e kotë fjala popullore: “Çfarë mbjellësh do të korrësh”.

Edhe pse në Kosovë botuesit nuk janë të kujdesshëm sikurse ata të Shqipërisë, të cilët për çdo vit botojnë katalogë të librave më të rinj të botuar nga ta e i shpërndajnë në panaire, as këtu nuk e dimë se sa libra botohen gjatë një viti, se vetë botuesit nuk e respektojnë sa duhet Ligjin për Bibliotekat, i cili i obligon ato që për çdo titull të ri të librit, nga pesë ekzemplarë t’ia dërgojnë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, përndryshe merren masa ndaj tyre. Por, fatkeqësisht, s’po merren ende.

Por, pse kjo rënie e botimit të librave për çdo vit?, - e pyeta Petritin, e ai m’u përgjigj: “Djalosh, kështu sot është në gjithë Evropën, por jo kaq e theksueshme si te ne. Edhe në Kosovë ka rënie të madhe të botimit të librave të rinj. Unë kam bashkëpunim me botuesit atje dhe më treguan sot se as atje nuk po shitet libri, por as botime të reja, siç kishte në vitet e kaluara, s’po ka”. Derisa u ndamë me të, bëra një lutje: “Teknologji, të pafsha në ferr!”. Kurse ai, duke buzëqeshur e zgjatur dorën nga unë, më tha: “Teknologjia ta bëjë punën e vet, ne tonën. Ta ulim çmimin për libër dhe të bëjmë fushata të promovimit të librit”. Atëherë, i thashë, “Teknologjia të na rrojë, pra!”

Pakkush e nderoi De Radën

Të kujtoj se në ditën e dytë të Panairit të Librit, në Sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve në Tiranë, së bashku me drejtorin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Bedri Zyberaj, i cili kishte ftesë për pjesëmarrje, morëm pjesë aty ku disa studiues ishin mbledhur të diskutonin për De Radën.
Shoqata e Botuesve Shqiptarë kishte organizuar një tryezë shkencore për nder të 200-vjetorit të lindjes së De Radës. Pa dashur t’ua ha hakun referuesve, konferenca qe njëmend shkencore, se referuan doktorë të shkencave filologjike, të cilët sollën para të pranishmeve qasje të ndryshme për veprat e De Radës. Por, dikush (Moikom Zeqo) tha aty se është një konferencë e dështuar që në nisje.

 Moikomi kishte të drejtë, se të pranishëm, përpos pesë referuesve dhe tetë-nëntë mysafirëve nga Kosova, të cilët kishin ardhur t’i dëgjonin ligjëratat e tyre, s’qenë aty punonjësit e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, s’ishte kush aty as nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Vërehej kurrfarë bashkëpunimi kulturor Shqipëri - Kosovë. S’kishte të pranishëm as punonjës të instituteve e as të institucioneve (as të Institutit Albanologjik të Prishtinës, as të Qendrës Albanologjike të Tiranës, as të Fakultetit të Historisë së Tiranës).

Madje s’ishin të pranishëm, edhe pse referuesit besoj se kanë shoqëri të gjerë e studentë në fakultetet ku ligjërojnë, as ata. Prandaj organizatorit i mjaftoi, duke e parë Sallën Ovale të zbrazët, ta mbushë me nxënës të shkollës së mesme dhe me gazetarë të medieve të shkruara e elektronike. Realisht, De Radën mospjesëmarrësit e zbritën në tokë, nuk e nderuan, por referuesit e ngritën në qiell, thuren lavde për veprat e tij edhe 200 vjet pas lindjes së tij.

“Zonja Z”, më shumë e Shqipërisë sesa e Kosovës

Kam pritur që sivjet - në Panairin e Librit në Tiranë - libri më i shitur do të jetë “Zonja Z” i Albatros Rexhajt. Por, edhe sivjet prinë të tjerët. Është e çuditshme pse këtë autor e duan jashtëzakonisht shumë në Shqipëri, shumë pak në Kosovë. Mos është atje kultura e leximit të librave më para nesh? Mos i kuptojnë më mirë se ne ose i keqkuptojnë para nesh librat lexuesit e Shqipërisë sesa ata të Kosovës? Për çfarë arsye u pëlqen Albatrosi? Pse duhet të shitet më shumë libri i tij atje (në Shqipëri) dhe këtu (në Kosovë) sesa, ta zëmë, një libër i Rexhep Qosjes, një i Agim Vincës, një i Basri Çapriqit, një i kujt tjetër...

Po të ishte Albatrosi femër e bukur, do të thosha se femrat e kanë simpati, kurse meshkujt i lëpijnë buzët ta zënë ta pallojnë. Por, ta duan e lexojnë femrat (një pjesë e madhe edhe e meshkujve) këtë roman të këtij mashkulli jo fort të bukur, do të thotë se shkrimi i tij u pëlqen më shumë se i cilido tjetër shkrimtar të Kosovës, sidomos i të rinjve. Megjithatë, do të më kishte ardhur mirë nëse sivjet Albatrosi me “Zonjën Z” do ta merrte çmimin e Panairit të Librit. Edhe pse s’ia dhanë çmimin, “Zonjën Z” ia blenë shumë, veçanërisht të rinjtë, me të cilët, dëgjova teksa flisnin të enjten gazetarët e televizionit “Ora News”, “ka gjetur kodin e komunikimit dhe po u përshtatet shumë mirë”.

Së këndejmi, s’di nëse është shitur më shumë vjet “Edithi”, apo sivjet “Zonja z”, por dyshimin se i janë shitur të dytë shumë, ia kam hequr vetes pasi kam vizituar edhe vitin e kaluar shtëpinë botuese të “Edithi”-t, edhe këtë vit shtëpinë e “Zonjës Z”, aty ku Albatrosi u jepte autografe lexuesve e i bënte marketing vetes e zonjës së vet. Por, më dukej, kur hidhte foto në profilin e vet në “Facebook” gjatë pjesëmarrjes në panaire të librit, duke pritur blerësit e librit për ta marrë autografin nga ai, se po na mashtron. Por, kur vitin e kaluar dhe sivjet e pashë rendin e gjatë të blerësve përskaj tij, e hoqa dyshimin për shitjen e shumtë të librave të tij.

Dhe duhet thënë ashiqare se është një prej shkrimtarëve më të pëlqyer këndej e andej kufirit. Një kurorë prozaike në Kosovë, një portret i madh e i njohur në Shqipëri, i cili pas pak vitesh do t’u bëjë konkurrencë të fortë edhe librave publicistikë të autorëve të Shqipërisë me romane të natyrës së “Edithi”-t dhe të “Zonjës Z”.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)