19 Prill 2024

Nesër nis edicioni IV i Festivalit të Teatrove të Kukullave

Prishtinë, 23 shtator -  Nga data 24-27, nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në Teatrin e Qytetit të Prishtinës “Dodona”, mbahet edicioni IV i Festivalit të Teatrove të Kukullave.

Gjatë këtyre katër ditëve do të prezantohen 8 shfaqje, ndërsa marrin pjesë trupat nga Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Serbia, si dhe Kosovën e përfaqëson trupa e Teatrit “Dodona”.

Në konferencën për media, drejtori i ri i Teatrit të të Rinjve, Fëmijëve e Kukullave “Dodona”, Agron Shala, tha se nga dita në ditë ky festival është duke u bërë një ngjarje kulturore e veçantë në Kosovë që është duke zgjuar interes tek trupat e jashtme që të jenë pjesë e këtij festivali.

“Festivali është organizuar nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Të gjitha shpenzimet janë mbuluar nga Komuna e Prishtinës. Edhe ky edicion nuk është konkurrues, por trupat prezantohen, takohen njëra me tjetrën, këmbejnë përvojat. Ndoshta nga viti i ardhshëm, festivali do të bëhet me karakter garues”, u shpreh Shala.

Drejtuesja e kabinetit, Fitore Pacolli tha se ky festival nga dita në ditë po pasurohet me shfaqje të ndryshme nga vende të tjera të rajonit dhe botës.

“Festivale të tillë sjellin njohuri të reja për kulturat e ndryshme dhe tradita të popujve të pranë e larg nesh. Prishtina është kryeqendër e cila edhe përmes festivaleve krijon imazhin e një shteti. Që nga fillimi kemi thënë se rëndësi të veçantë do t’i kushtojmë fëmijëve, sidomos edukimit të tyre. Në të ardhmen do të shikojmë mundësitë buxhetore që të investojmë sa më shumë në Teatrin e Kukullave me qëllim që fëmijët të jenë më afër me artin dhe kulturën. Ne do të investojmë që ky teatër të zhvillohet në një Teatër sa më të mirë”, tha Pacolli.

Aktorja Melihate Qena shprehu dëshirën që ky festival të pasurohet në të ardhmen, që publiku të njoftohet me zhanret dhe llojin e kukullave.

“Nuk kemi pasur rast të punojmë me marioneta dhe lloje të tjera të kukullave, e nuk kemi pas madje fare rast që të rritet ky teatër, të zmadhohet dhe të kemi edhe shfaqje me kukulla për të rritur sepse në botë vihen në skenë shfaqje të tilla. Ndërsa fatkeqësisht, prej se është ndërtuar ky teatër nuk e ka pasur kujdesin e merituar, mirëpo shpresojë se meqë Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, po kujdeset për mbarëvajtjen fizike të fëmijëve, që të jenë fizikisht më të aftë dhe të përgatitur, shpresoj se do të kujdeset edhe për anën shpirtërore dhe do t’i ndihmojë teatrit të vetëm për fëmijë, i cili nuk do të mund të mbijetojë nëse vazhdon sikurse ka qenë deri më tani dhe do të shuhet”, tha Qena.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)