20 Prill 2024

Biblioteka Kombëtare ka nevojë për shumëçka

Prishtinë, 29 korrik - Bedri Zyberaj para se të zgjidhet drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” ka qenë këshilltar për medie dhe marrëdhënie me publikun në PTK (Postë-Telekomin e Kosovës).

E ka lënë punën në PTK për ta dhënë një shembull të mirë të punës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, me të cilën ka qenë i lidhur që prej ditës së parë anëtarësimit në të, kur në tetor të vitit 1983 ishte ulur në një nga bankat e saj për të lexuar dhe i kishte ardhur libri i parë që kishte porositur.

Prandaj, sot, në këtë intervistë për “Epokën e re”, Bedri Zyberaj flet për gjendjen e dikurshme e të tashme të Bibliotekës Kombëtare, për investimet afatshkurta dhe afatgjata që do të bëhen në të, për ndarjen e Bibliotekës Kombëtare nga ajo Universitare, për raportet e tij me Këshillin Drejtues e për shumëçka tjetër.

“Epoka e re”: Z. Zyberaj, para se të zgjidheshit drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ku keni punuar?
Zyberaj: Para se të zgjidhem drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” kam qenë këshilltar për medie dhe marrëdhënie me publikun në PTK (Postë-Telekomin e Kosovës).

“Epoka e re”: Sa kam dëgjuar, në Postë-Telekom e keni pasur pagën edhe një herë e gjysmë më shumë se këtu ku jeni sot. Nëse është kështu, pra del se nuk është lartësia e pagës që ju ka tërhequr siç rëndom ndodh me shumicën e konkurrentëve për poste të këtilla. Atëherë, çfarë ju shtyri të konkurroni për drejtor të “Pjetër Bogdani”-t?
Zyberaj: Lidhjet e mia me Bibliotekën Kombëtare kanë qenë gjithmonë të veçanta.

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare, siç quhej deri në fund të vitit të kaluar, ka qenë një institucion i veçantë për mua që prej ditës së parë kur në mjediset e saj kam hyr si lexues i thjeshtë. Ka qenë kjo një nga ditët e para të tetorit të vitit 1983 kur, si student që sapo kisha filluar ligjëratat në vitin e parë të studimeve, jam ulur në njërën nga sallat e leximit dhe kam pritur të ma sjellin librin.

Për emërtim të BKK-së nuk di cilin do ta zgjidhja më parë, Pjetër Bogdanin apo Gjon Buzukun

“Epoka e re”: Ju pëlqen emërtimi i ri i Bibliotekës Kombëtare“Pjetër Bogdani”?

Zyberaj: Emërtimi “Pjetër Bogdani” është emri i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës që iu ka dhënë nga institucionet vendimmarrëse. Tani nuk dua ta komentoj, po për të do të flas tjetër herë. Por, kur jemi te pyetja nëse më pëlqen apo jo ky emër, pra emri “Pjetër Bogdani”, dua të them këtë gjë: si emër nuk është se nuk më pëlqen. Kam vetëm një dilemë, duke e kujtuar edhe një emër tjetër që e kam të vështirë se cilit t’i jap përparësi, njërit apo tjetrit.

“Epoka e re”: Cili është emri tjetër?

Zyberaj: Emri tjetër është ai i Gjon Buzukut. Po të më kërkohej përgjigje për njërin nga këta dy emra, gjatë do të mendoja se cilin ta përzgjedh. Buzuku ka meritën se është autori i librit të parë të gjuhës sonë - “Meshari”-t (1555), por Pjetër Bogdani është i pari që ka fatin e rëndë të zhvarrimit, jo vetëm pse ishte luftëtar, por për shkak se përfaqësonte një filozofi, një kulturë dhe një civilizim të avancuar për kohën dhe favorizues për të ardhmen. Në këto fakte bazohet dilema ime që ma vështirëson vendimin për t’u shprehur për njërin apo tjetrin. Unë mendoj të dy këta emra kanë peshë specifike në kulturën tonë dhe rëndësi të veçantë për historinë e saj.
Gjon Buzuku është i pari, ndërsa Bogdani është sinteza e tri B-ve të para: Buzukut, Budit dhe Bardhit dhe është figura më komplekse dhe më madhështore e kulturës dhe e mendimit tonë filozofik të para Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Të parit (Buzukut) i mungon kjo madhështi, ndërsa të dytit (Bogdanit) i mungon rëndësia e të parit. Kjo gjë më fut në dilemë dhe nuk shqitem dot. Pikërisht për këto arsye më shoqëron ajo dhe në përpjekjen për të përzgjedhur këtë apo emrin tjetër e kam të vështirë, për të mos thënë të pamundur, t’ju përgjigjem edhe sot.

“Epoka e re”: Muajin e kaluar jeni zgjedhur drejtor i “Pjetër Bogdani”-t, kurse keni filluar punën këtë muaj. Si e gjetet këtë institucion?
Zyberaj: Po ta marrësh në përgjithësi, asgjë të papritur nuk kam gjetur. Ndërsa sa iu përket aspekteve dhe mjediseve të veçanta, mund të them se nuk i kam gjetur ashtu siç i kam paramenduar. Ka shumë sosh që i kam menduar ndryshe dhe i kam gjetur ndryshe, për të mirë dhe për keq. P.sh., depot e librit i kam paramenduar pak më të rrëmujshme, por ato janë shumë mirë të sistemuara, ndërsa gjendjen e rrjetit elektrik e kam gjetur më të dobët sesa që e kam menduar, dhe rrjedhimisht më pak funksional siç mund të them edhe për sistemin e ajrosjes.

“Epoka e re”: Për çfarë investimesh kishte nevojë Biblioteka Kombëtare?

Zyberaj: Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka nevojë për shumëçka. Për ta përmbledhur me dy-tri fjali më duhet t’ju them se ajo ka nevojë në rend të parë për investime kapitale që do të mundësonin një rivitalizim teknik të të gjithë objektit të Bibliotekës. Të bëhet izolimi nga jashtë dhe të mos depërtojë uji dhe lagështia në depot e librit; të rinovohen sistemet e veçanta teknike si: ai i ajrosjes dhe ventilimit, i ujësjellësit, i kanalizimi etj. Paralelisht me këtë është e nevojshme të ndryshohet edhe statusi i personelit.

Nga statusi i shërbyesit civil që ka tani ky personel, duhet të ndërrohet në status profesional, ngase shërbimin që ofrojnë dhe detyrat e punët që bëjnë ata është e një natyre krejt të veçantë nga ajo që bëjnë shërbyesit civilë. Unë e di se secili ka nevojë të ketë një pagë dhe një trajtim sa më të dinjitetshëm, por kur bëhet fjalë për punonjësit e Bibliotekës Kombëtare, kjo është një gjë e domosdoshme që duhet të bëhet në afat sa më të shkurtër. Pra është diçka emergjente. Meqë kjo gjë rregullohet me ligj, atëherë unë shpresoj që ekzekutivi i vendit, në të ardhmen e afërt do t’ia kushtojë vëmendjen e duhur kësaj çështjeje dhe do t’i procedojë në Kuvend të Kosovës pjesët e ligjit që kërkojnë ndryshim për këtë gjë.

Finalizimi i ndarjes së BKUK-së, miratimi i organogramit dhe i statutit...
 
“Epoka e re”: Biblioteka Kombëtare s’është qeveri e as nuk matet puna e drejtorit të saj me një njëqind ditësh por, po të matej, të bëhej një raport publik, për çfarë do të mund të mbaheshit mend gjatë një udhëheqje prej tre muaj? Pra, çfarë e keni ndërmend të bëni në muajt e parë të punës suaj?

Zyberaj: Tani gjithë interesimin e kemi përqendruar te finalizimi i procesit të ndarjes së BKUK-së së mëparshme në BKK dhe BQU. Pas përmbylljes së këtij procesi do të bëhet organizimi dhe sistemimi i bartësve të detyrave sipas organogramit të ri, i cili do të jetë shumë më përmbledhës sesa ai para tij.

Këtë, para së gjithash, na imponon fakti që tani Biblioteka duhet të rifunksionalizohet në pajtim me misionin e ri që do ta ketë, duke qenë vetëm Bibliotekë Kombëtare.

“Epoka e re”: Pas këtyre projekteve që përmendni, mendoni se është i mjaftueshëm buxheti i ndarë për Bibliotekën Kombëtare, pak mbi pesëqind mijë euro, përfshirë në këtë shumë pagat për rreth 100 punonjësit e saj, për shpenzimet e mirëmbajtjes së objektit, rrymës, ujit, internetit, mëditjeve të punonjësve, aktiviteteve të saj të shumta?

Zyberaj: Kësaj pyetjeje, pjesërisht, besoj se iu përgjigja kur u interesuat se “Për çfarë investimesh kishte nevojë Biblioteka Kombëtare?”

Një buxhet i tillë nuk është aspak i mjaftueshëm për një institucion që pretendon dhe duhet të jetë institucion përfaqësues i një kulture të veçantë të një populli dhe të një shteti. Që të arrihet ky synim, natyrisht se duhet investim i shtuar nga ana e shtetit, por edhe përkushtim nga ana e personelit që është i angazhuar.
Personeli i Bibliotekës Kombëtare këtë përkushtim e ka. Tani radhën e ka një shtim i vëmendjes nga ana e organeve shtetërore dhe kur të angazhohemi të gjithë së bashku, besoj se do t’ia dalim ta bëjmë më të mirën për të gjithë ne.

Kërkesat e mia drejtuar Mistrisë së Kulturës do të jenë afatgjata

“Epoka e re”: Çfarë kërkesa shtesë do t’ia paraqisni Ministrisë së Kulturës rreth Bibliotekës Kombëtare?

Zyberaj: Kërkesat e mia që do të insistoj të miratohen nga ana e Mistrisë së Kulturës janë të tilla që nuk mund të realizohem brenda një kohe të shkurtër, për faktin se objekti i Bibliotekës ka nevojë të rinovohet. Dhe kjo mund të bëhet vetëm me investime kapitale. Në rastet e tilla, për realizimin e projekteve kërkohet të respektohen edhe procedurat ligjore që, po ashtu, kërkojnë kohë për t’u konkretizuar. Kështu që, efektet nuk duhet pritur shumë shpejt dhe menjëherë. Do pak kohë për të parë se po punohet.

Pastaj është edhe çështja e statusit të punëtorëve të BKK-së, të cilët, siç thashë më parë, janë të kategorizuar në rangun e shërbyesve civilë. Kjo duhet të ndryshohet dhe statusi i tyre duhet të jetë shërbyes profesionalë. Edhe kjo është një çështje që do kohë ngase ka procedura për të amendamentuar një ligj.

Një kërkesë që do t’ia shtroj Ministrisë së Kulturës për miratim dhe që konsideroj se mund t’i jepet një zgjidhje është rritja e nivelit të pagave të punëtorëve. Do të ishte me interes jo vetëm për punëtorët, por edhe për vetë Bibliotekën sikur kjo çështje të ketë një vëmendje pak më të madhe dhe pagat të jenë pak më të dinjitetshme për punonjësit e Bibliotekës. Këtë e dikton vetë natyra e punës së tyre që është pak më e veçantë sesa e të tjerëve. Me një veprim të tillë, statusi i tyre si punëtorë do të ishte më i dinjitetshëm, do t’i motivonte ata për përkushtim më të madh në punë dhe për përfaqësim më të mirë përballë të interesuarve që duhet t’u shërbejnë në Bibliotekë.

Rrjeti i energjisë elektrike po rrezikon librin

“Epoka e re”: Ku duhet intervenuar menjëherë në “Pjetër Bogdani”? Cili është rasti më emergjent?

Zyberaj: Rrjeti i energjisë elektrike është segmenti më i ndjeshëm dhe më me rrezik për librin, fondin librar të Bibliotekës dhe gjithë ndërtesën e saj. Sado që jam në ditët e para që kam pranuar detyrën e drejtorit, unë jam më se i angazhuar në këtë drejtim dhe për këtë gjë edhe kam bërë kontaktet e para me drejtuesit e KEDS-it, duke kërkuar bashkëpunim dhe ndihmë prej tyre që ta gjejmë një zgjidhje për këtë problem.

Premtimet nga ana e tyre janë shpresëdhënëse dhe besoj se ata do të na vijnë në ndihmë me kuadër profesional dhe ide për ta hartuar projektin dhe për ta rinovuar rrjetin elektrik. Përveç pagesës që do të bëjmë për punët që do të na i kryejnë, ne do t’u jemi mirënjohës atyre për këtë angazhim, ngase këtë e bëjnë vetëm për shkak të rëndësisë që ka Biblioteka për ta e jo për shkak se KEDS-i ka ndonjë detyrim ligjor për këtë. Detyrimet e tyre shtrihen deri te pika e njehsimit. Më tej ata mund ta bëjnë vetëm kur kanë qëllim të mirë. Dhe në këtë rast kanë pikërisht këtë qëllim.

“Epoka e re”: Në tre-katër vjetët e fundit disa punonjës të Bibliotekës Kombëtare kanë dalë në pension, disa të tjerë, ndjesë paçin, kanë vdekur, disa janë punësuar në institucione të tjera. Ndjehet zbrazëtia e tyre në departamentet që punonin? Keni plan të shpallni konkurs për punonjës të ri, pasi shumë punonjës të këtij institucioni kanë thënë se ka nevojë për punëtorë shtesë?

Zyberaj: Po. Kjo që thoni ju është e vërtetë, por konkurs nuk mund të shpallim për të gjithë për faktin se tani duhet që Biblioteka Kombëtare të riorganizohet në pajtim me misionin e ri që duhet të ketë, kur ka mbetur vetëm Bibliotekë Kombëtare, ngase prej saj është ndarë gjysma tjetër që ishte deri në këtë kohë, Biblioteka Universitare. Dhe punëtorët që i duhen Bibliotekës Kombëtare mund të dihen vetëm pasi të miratohen statuti dhe organogrami i ri dhe pasi të bëhet përshkrimi i detyrave të punëtorëve që do të jenë pjesë e stafit të përgjithshëm të Bibliotekës. Vetëm kur të përfundojë ky proces do të mund të shikojmë se për çfarë numri punëtorësh kemi nevojë. Tani për tani nuk mund të përgjigjem me saktësi për këtë çështje.

Raportet me Këshillin Drejtues do të jenë të mira

“Epoka e re”: Këshilli Drejtues i Bibliotekës Kombëtare krenohet se ka kompetenca më të mëdha se drejtori, por punët e mëdha i keni dhe i bëni ju, se jeni drejtor, nuk jeni organ këshillëdhënës. Çfarë raportesh keni me Këshillin Drejtues?
Zyberaj: Kompetencat për Këshillin Drejtues të Bibliotekës Kombëtare dhe për drejtorin janë të përcaktuara me Ligjin për Bibliotekat dhe statutin që buron prej ti e që pritet të miratohet së shpejti nga ana e ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe rregulloreve të tjera të punës. Nëse mbështetemi në këto akte normative (s’ka se si të ndodhë dhe s’duhet të ndodhë ndryshe), të cilat janë miratuar nga organet kompetente, atëherë jam shumë i sigurt se edhe raportet do të jenë të mira. Dhe s’ka se pse të mos jenë.

“Epoka e re”: Sa mbledhje i keni mbajtur deri tash me Këshillin Drejtues dhe të çfarë natyre kanë qenë temat që keni diskutuar?
Zyberaj: Kanë qenë disa sosh. Kanë qenë më shumë sesa që janë të parashikuara. Kjo ka ndodhur për shkak të disa angazhimeve që na është dashtë t’i kemi rreth përmbylljes së procesit të ndarjes së Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare. Disa prej tyre kanë qenë të përbashkëta edhe me Këshillin Drejtues të Bibliotekës Qendrore Universitare (BQU) siç quhet tani, dhe koordinatorin e saj, prof. dr. Muhamet Malën.

“Epoka e re”: Sivjet, në fund të nëntorit, i cili po afron sa hap e mbyll sytë, është 70-vjetori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Çfarë aktivitetesh do të mbahen me rastin e këtij viti jubilar? Çfarë do të paraqitni në këtë festë të bibliotekës?

Zyberaj: Është e vërtetë se shumë afër e kemi nëntorin e këtij viti, kur Biblioteka do ta festojë 70-vjetorin e saj. Aktivitetet do të jenë në vazhdën e punëve dhe planifikimeve të mëhershme që Biblioteka ka bërë për këtë jubile. Do të ketë disa veprimtari, por kryesore do të jetë finalizimi dhe promovimi i “Bibliografisë së librit shqip në ish-Jugosllavi”, i cili do të jetë mjaft voluminoz. Hartuesit dhe autorët e kësaj bibliografie e kanë planifikuar një botim prej tre vëllimesh.

Marrëveshja për ndarje të dy bibliotekave s’ka qenë e as nuk është e dhimbshme për askënd

“Epoka e re”: Biblioteka Universitare është ndarë nga kjo Kombëtare, të cilën e udhëhiqni ju. Por, duket se kanë mbetur disa pakënaqësi për këtë ndarje “të dhimbshme”. Disa punonjës të Bibliotekës Kombëtare s’duan të dalin në Universitare. Si do ta zgjidhni punën e tyre, kur në një marrëveshje mes Rektoratit, Ministrisë së Arsimit, asaj të Kulturës dhe Bibliotekës Kombëtare është bërë me dije se njëzet punonjës të Bibliotekës Kombëtare do të kalojnë në Universitare, e në këtë të fundit kanë filluar punën këtë javë vetëm pesë veta.

Zyberaj: Kjo që ju e quani, “të dhimbshme”, është rezultat i një perceptimi të gabuar. Nuk ka asnjë arsye që në këtë proces të ndarjes, shkuarja me njërën ose bibliotekën tjetër të përjetohet si diçka e dhimbshme. Ndarja ka për qëllim të mundësojë një funksionalizim të ri më të mirë dhe më efektiv të këtyre dy institucioneve që deri tani kanë qenë nën një kupolë të përbashkët. Në të gjitha vendet më të zhvilluara bibliotekat kombëtare janë të ndara, vetëm te ne patën ngelur deri në këtë kohë bashkë Biblioteka Kombëtare dhe Universitare, që nuk ishte asgjë tjetër përpos reminishencë e një të kaluare jo edhe aq të këndshme. Prej asaj kohe kishte vetëm një ndryshim formal. Bibliotekës Popullore dhe Universitare të dikurshme (emërtimet e praktikës moniste lindore) iu kishte ndërruar vetëm emri në: Bibliotekë Kombëtare dhe Universitare

“Epoka e re”: Para se t’ia fillonim bërjen e kësaj interviste, na njoftuat se e keqja e përbashkët këtu është se punonjësit kanë paga të ulëta. Prandaj, po ju pyesim, kur do të ketë rritje të pagave për ta?

Zyberaj: Nuk mund të jap afate kohore se kur do të ketë rritje të pagave, por se do të jem maksimalisht i angazhuar për këtë gjë, këtë ju premtoj. Unë shpresoj se në këtë përpjekje time do ta kem edhe përkrahjen e organeve të tjera të Ministrisë së Kulturës dhe dëshirën e arsyeshme të punonjësve për një pagë me të dinjitetshme për punën që bëjnë ata do ta jetësojmë shumë shpejt.

“Epoka e re”: Këshilli Drejtues i Bibliotekës, së bashku me juve, jeni duke e hartuar organogramin e ri të bibliotekës. Mund të na tregoni pak strukturën e organogramit të ri të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”?

Zyberaj: Organogrami i ri i BKK-së do të jetë më përmbledhës sesa ai që ka qenë deri tani. Arsyeja e parë është se tani BKK-ja është më specifike për nga misioni dhe funksioni që do të ketë për kulturën tonë; shërbimet që do të ofrojë do të jenë më të reduktuara për nga vëllimi, por më përfaqësuese për nga përmbajtja. Ato do të jenë shërbime më elitare. Në qendër të tyre do të jetë libri, dhe shërbimin do ta përfitojnë vetëm ata që kanë interes për ta shfrytëzuar librin, ndryshe nga praktika e deritanishme që në BKUK janë shfrytëzuar tavolina dhe karrigia.

Drafti i Organogramit që ne e kemi dërguar për miratim në ministri ka atë strukturë që e dikton ligji për organizimin e administratës publike. Pas drejtorit vijnë katër (4) drejtorate (një term që gjuhësisht duket jo i qëlluar, por ligji këtë e dikton), e në përbërje të tyre janë nëntë (9) sektorë. Tani ne duhet të presim që këtë ta miratojë ministri i Kulturës, e vetëm pasi të bëhet kjo do ta fillojmë riorganizimin mbi bazën e tij.

Biblioteka nuk është treguar muzë edhe aq e suksesshme

“Epoka e re”: Dhe për fund, pas botimit të tre-katër librave nga fusha e albanologjisë, do të vazhdoni të merreni me studime, apo të shkruani poezi se, duket se, biblioteka, siç u ka ngjarë drejtorëve të mëparshëm të këtij institucioni, është njëfarë muze e poezisë?

Zyberaj: Më së paku do të doja që kjo që thoni të jetë ironizim me punën e ish-drejtorëve. Disa prej tyre i kam njohur personalisht. Disa i kam pasur profesorë. Dhe për aq sa më kujtohet, secili nga ata që mund të mendoni ju kanë botuar para se të bëheshin drejtor të BKUK-së ose Bibliotekës Popullore dhe Universitare të dikurshme. Asnjëri nga ata nuk ka arritur ta tejkalojë formatin e vet krijues që e kishin para se të shkonin në pozitën e drejtorit.

Ky është mendimi im dhe mbase mund të jetë i gabuar, por unë kështu gjykoj për profilin e tyre krijues. Biblioteka në këtë rast nuk është treguar muzë edhe aq e suksesshme. Por, që na kanë lënë një institucion me peshë, këtë e them me përgjegjësi të plotë. Dhe uroj që këtë të mos e degradojmë dhe devalvojmë ne tani që po thirremi në profesionalizëm e shkallë të lartë të angazhimit.

Vërtet Biblioteka, përkatësisht puna në Bibliotekë, nuk është poezi, bile as poezi e mirë, por ama më së paku e meriton që në emër të kësaj “këshille” të shndërrohet në një tregim (më falni për anakronizmin tim se nuk e thashë storie) të keq. Në BKK nuk kam ardhur për tangërllëk sa për të dëshmuar se kam këtë apo atë titull dhe as se kam këtë apo atë meritë. Kam ardhur për të investuar energjinë time në të mirë të saj dhe kulturës sonë në përgjithësi siç kam bërë deri tani kudo që kam qenë sipas fatit dhe asaj që më ka diktuar jeta.

Përveç librave dhe diplomave që i kam nga e kaluara, në vete barti edhe rezultatet e disa testeve të pashkruar përmes të cilave më ka sfiduar jeta, por edhe e kam sfiduar veten dhe në të gjitha rastet besoj se ia kam dal me sukses. Ky sukses, para së gjithash, nënkupton faqen e bardhë, pa çka se në të shumtën e rasteve edhe me dëme në aspektin material.

Në shkollë kam qenë më i miri (më falni për mungesën e modestisë) në Matematikë. Por, në jetën e përditshme asnjëherë nuk i kam bërë llogarit duke iu referuar si pikë fillestare egos time. I tillë kam qenë deri tani dhe i tillë do të mbetem edhe këtej e tutje.

“Epoka e re”: Drejtor Zyberaj, ju shkofshin punët mbarë në detyrën e re!
Zyberaj: Të mbara dhe të mira paçi ju dhe lexuesit e gazetës suaj!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)