29 Mars 2024

Filloi Shkolla e Stafit dhe Komandës Policore

Vushtrri, 20 shkurt - Sot në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike filloi trajnimi dhjete javor i Shkollës së Stafit dhe Komandës Policore, i cili po mbahet për të pestën herë.

Në hapje të këtij trajnimi morën pjesë zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, Menaxheri i Programit të ICITAP në Kosovë, William Bochter, zyrtarja e lart e programit të ICITAP-it  Drita Perezic, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së, Ismail Smakiqi, si dhe zyrtarë të tjerë nga këto institucione.

Në fjalën e tij, Bochter foli për rëndësinë e këtij trajnimi, ku mësimdhënësit janë nga Universiteti Northwestern nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai u shpreh mirënjohës për kontributin që AKSP ka dhënë gjithmonë në përkrahjen për mbajtjen e këtij trajnimi, duke vënë në pah gjithmonë ngritjen e nivelit të pjesëmarrësve pas përfundimit të tij.

“ICITAP-i i është mirënjohës Akademisë për mbështetjen e këtij trajnimi dhe të gjitha aktiviteteve të cilat i zhvillon në partneritet, duke i falënderuar për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë këtyre viteve”- tha Zoti Bochter.

Në fjalën e tij, Drejtori i Akademisë, Ismail Smakiqi, pasi  foli për historinë e mbajtjes së këtij trajnimi në AKSP, ai rikujtoi edhe karakterin regjional që ka pasur ky trajnim  gjatë katër herëve të kaluara.

Drejtori Smakiqi vazhdoi të flasë për nivelin e lartë të trajnimit të ofruar nga mësimdhënësit prestigjiozë të Universitetit Northwestern nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Trajnimi dhe arsimimi i zbatuesve të ligjit, të cilat në themel kanë trajtimin e barabartë dhe të drejtë të gjithë qytetarëve dhe respektimin e të drejtave të njeriut, sot është pa dyshim parimi fondamental i shoqërive moderne, duke përfshirë institucionet e trajnimit dhe arsimimit të zbatueseve të ligjit”, shtoi Smakiqi.

Duke iu drejtuar studentëve Drejtori Smakiqi më tej tha: “Shfrytëzoni këtë rast unik në karrierën tuaj të përfitoni nga ky trajnim. Ju keni detyrë të jeni të përkushtuar.

Suksesi do të iu bëjë krenar jo vetëm ju dhe familjet tuaja, suksesi juaj do të bëjë krenar të gjithë kolegët tuaj e në veçanti ata të cilët iu përzgjidhen të jeni pjesë e këtij trajnimi”.

Ndërsa zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, foli me konsideratën më ta lartë për cilësinë që ofron trajnimi në këtë Shkollë, duke ndarë me të pranishmit edhe përvojën e vet personale, kur ishte vijues i këtij trajnimi në gjeneratën e parë.

Ndërsa për AKSP-në Hoxha tha se, me seriozitetin dhe nivelin që po tregon, tashmë është e cilësuar si njëra nga Akademitë më të njohura në rajonin tonë.

Zëvendësministri Hoxha foli për sukseset e Policisë së Kosovës, duke u shprehur se sot “Policia e Kosovës është institucioni më i besueshëm jo vetëm në Kosovë po edhe në regjion, për çka flasin edhe raporte të institucioneve hulumtuese me kredibilitet ndërkombëtar”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Shpend Maxhuni, po ashtu u shpreh mirënjohës për organizatorët e këtij trajnimi, programin e ICITAP në Kosovë, si dhe falënderoi AKSP-në për mbështetjen që i ka dhënë gjithmonë këtij aktiviteti të rëndësishëm.

Në vazhdim të fjalës së tij, Drejtori Maxhuni foli për rëndësinë e të gjithë zyrtarëve pjesëmarrës në këtë trajnim, e veçanërisht të atyre nga policia, të cilëve, sipas tij, ky trajnim do të ju mundësojë që të avancohen dhe profesionalizohen më tej në pozita të larta udhëheqëse brenda kësaj organizate.

Drejtori Maxhuni më tej tha se “pjesa dërmuese e oficereve policor të cilët kanë ndjek këtë trajnim, sot ndodhën në pozita menaxheriale në Policinë e Kosovës”.

Shkolla e Stafit dhe Komandës Policore po mbahet në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike për të pestën herë.

Kjo Shkollë organizohet nga programi i ICITAP në Kosovë. Pjesëmarrës të saj kanë qenë zyrtarë të lartë në fushat e sigurisë publike nga të gjitha vendet e regjionit të Evropës Jug-Lindore. Përderisa kësaj here ajo është organizuar vetëm për zyrtarët e sigurisë publike nga Kosova.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)