25 Prill 2024

Studentët kosovarë mirëpriten të studiojnë në Universitetin e Zagrebit

Prishtinë, 24 qershor - Anëtarët e  Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, përkatësisht, Nait Hasani, kryetar i Komisionit, Sali Morina, nënkryetar, si dhe Shpëtim Bulliqi e Ismail Kurteshi, anëtarë të Komisionit, pritën  sot rektorin e Universitetit të Zagrebit, Damir Boras.

Gjatë takimit, i cili u zhvillua në një atmosferë miqësore, është biseduar për bashkëpunimin e deritashëm, si dhe mundësitë e një bashkëpunimi edhe në të ngushtë në të ardhmen.

Kryetari i Komisionit Hasani, fillimisht e falënderoi rektorin e Universitetit të Zagrebit Boras, për ndihmën e deritashme, ndërkaq, vuri në pah nevojën e një bashkëpunimi edhe më të ngushtë në të ardhmen.

Hasni, po ashtu vuri në spikamë bashkëpunimin e mëhershëm ndërmjet universiteteve përkatëse, me theks të veçantë atë të paraluftës.  Lidhur me këtë, ai solli në kujtesë shumë nga studentët shqiptarë të këtij Universiteti, të cilët pas mbarimit të studimeve atje, i janë bashkangjitur luftës çlirimtare, duke mos kursyer as jetën.

“Për këtë, dhe gatishmërinë e shprehur që të na ndihmoni edhe në të ardhmen, përjetësisht iu jemi mirënjohës”, tha kryetari i Komisionit, Hasani.

Për ndihmën e ofruar nga Universiteti i Zagrebit, Universitetit të Prishtinës, Boras është falënderuar edhe nga anëtarët e tjerë të komisionit. Ata  vlerësuan se bashkëpunimi është nevojë imediate, në mënyrë  që studentët e universiteteve përkatëse të ndajnë vlerat dhe të këmbejnë dijen e tyre, për t’iu bashkëngjitur familjes evropiane.

Rektori i Universitetit të Zagrebit, Damir Boras, ndërkaq, pasi falënderoi anëtarët e komisionit për pritjen e ngrohtë që i ofruan, i siguroi ata se bashkëpunimi ndërmjet dy universiteteve, si dhe bashkëpunimi në të gjitha fushat e arsimit, në të ardhmen,  do të realizohet me një intensitet edhe më të madh.

‘‘Jemi të hapur që studentët kosovarë të vijnë dhe të studiojnë në Universitetin e Zagrebit, në mënyrë që të kem mundësi të ndajmë vlerat që kemi në zemër- vlerat evropiane’’, tha  Rektori i  Universitetit të Zagrebit, Damir Boras.

Me këtë rast, në fund të takimit, në shenjë miqësie, janë këmbyer edhe dhurata.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)