19 Prill 2024

UP hap dyert e konferencës së parë ndërkombëtare studentore

Prishtinë, 3 maj - Konferenca Ndërkombëtare Stundentore e Universitetit të Prishtinës, e njohur si UPISC’16 – shkurtesë nga University of Prishtina International Student Conference 2016 – është ngjarja studentore e parë e këtij lloji në këtë format, e cila organizohet nga studentët e Universitetit të Prishtinës, përkatësisht Fakulteteve Ekonomik dhe Juridik.

Kjo konferencë hap dyert e saj për studentët vendor dhe të huaj nga mbi njëzet shtete, duke përfshirë këtu edhe shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo ngjarje historike për Universitetin e Prishtinës shënon një hap të madh drejt ndërkombëtarizimit të sistemit të arsimit të lartë publik të vendit tonë.

Në Ceremoninë e Hapjes së UPISC’16, e cila mbahet të martën me datën 3 maj 2016 në Amfiteatrin e Madh të Fakultetit Ekonomik, me fillim nga ora 09:00, tashmë veç e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre disa profesorë, dekanë e ministra, por edhe ambasadorë, siç është zonja Maryse Daviet, ambasadore e Francës në Kosovë. Pritet pjesëmarrja e kryeministrit, kryeparlamentarit dhe presidentit të vendit.

Kjo ceremoni shënon hapjen zyrtare të konferencës, e cila si qëllim kryesor ka ngritjen e debatit në nivel akademik përmes prezantimeve të punimeve shkencore si dhe rrjetëzimet e studentëve pjesëmarrës, me rezultate konkrete, ashtu si edhe vet konferenca.

UPISC’16 vazhdon programin e saj më tutje me prezantimet e pjesëmarrësve në datat 3 dhe 4 maj, pastaj me datën 5 maj do të mbahet i pari debat i nivelit ndërkombëtar në Sallën e Kuqe të Fakultetit të Filologjisë, me fillim në ora 10:00. Rreth çështjeve studentore do të flasin panelistët e konfirmuar nga Fakulteti Juridik, Senati i UP-së, Universiteti i Gjakovës, Universiteti Marmara, Kolegji i Selanikut dhe Shoqëria Civile në Kosovë.

Veç këtyre ngjarjeve, janë planifikuar edhe të tjera aktivitete të karakterit kulturor, me ç’rast pjesëmarrësit do të kenë rastin të njihen me natyrën, historinë, kulturën dhe traditat e vendit tonë.

Konferenca dhe sesionet e prezantimeve janë të hapura për publikun e gjerë dhe të gjithë të interesuarit janë të mirëseardhur që të jenë të pranishëm gjatë ndërtimit të historisë më të re të Universitetit të Prishtinës.

Studentët e UP-së, me idenë e re të nisur që nga viti i kaluar, po ndërtojnë urat e bashkëpunimit dhe po hapin dyert e Kosovës për ngjarje ndërkombëtare studentore. Kështu bëhet Kosova!

Shkruar nga Besnik Avdiaj

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)