24 Prill 2024

Bajrami: UP-ja ka nevojë për mbështetjen e të gjitha palëve

Prishtinë, 8 tetor - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), së bashku me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë investuar shumë që këtë vit akademik, konkursi i pranimit të studentëve në Universitet të realizohet me sukses dhe sipas planifikimeve dhe kapaciteteve të njësive akademike.

Janë ndërmarrë të gjitha veprimet për fillimin me kohë dhe të rregullt të vitit të ri akademik në nivelin Baçelor dhe Master dhe kjo paraqet një sukses në punën e Universitetit.

Për këtë, MAShT e vlerëson lartë angazhimin dhe përkushtimin e Universitetit për të filluar vitin akademik, me një proces të rregullt të pranimit të studentëve, të bazuar në rezultatet e kandidatëve dhe të administruar me profesionalizëm dhe transparencë të plotë publike.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, prof. dr. Arsim Bajrami, me shqetësim ka përcjellur zhvillimet e fundit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Me këtë rast, Ministri Bajrami ju bën thirrje të gjitha organeve të Universitetit që të veprojnë me përgjegjësi të lartë akademike dhe shoqërore. Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, si institucioni më i madh dhe më prestigjioz i arsimit të lartë në Kosovë, duhet të angazhohet maksimalisht në përmbushjen e misionit të vetë duke kryer detyrat e veta me përgjegjësi, në ofrimin e një mësimdhënie të cilësisë sa më të mirë, duke vlerësuar me përgjegjësi kontributin e kuadrit të saj akademik dhe duke mos lejuar në asnjë moment që cilado interesa të ngushta personale ose grupore të vihen mbi parimet dhe interesin e përgjithshëm të Universitetit.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, inkurajon secilin studentë të Universitetit, që të gjitha kërkesat e tyre t’i adresojnë në mënyrë të arsyeshme, në përputhje me Statutin e Universitetit dhe vendimet e Senatit. Të gjitha veprimet që pengojnë procesin mësimor nëpër njësitë akademike dhe punën e Rektoratit janë të papranueshme dhe dëmtojnë interesat e studentëve dhe punën e Universitetit.

Në të kaluarën e afërm, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, është përballuar me situata të rënda të vështirësive dhe dështimeve të njëpasnjëshme. Situata të tilla, kanë shkaktuar brenda një periudhe të shkurtër ndryshime të shpeshta të menaxhmenteve të Universitetit dhe kjo ka reflektuar negativisht në punën dhe imazhin e Universitetit.

Sot, Universiteti ka nevojë për angazhimin dhe mbështetjen e të gjitha palëve për ruajtjen e stabilitetit institucional dhe vendosjen e rendit akademik. Në këtë drejtim, kërkesat për shkarkim të rektorit të Universitetit nuk janë në interes të Universitetit dhe si të tilla janë të papranueshme dhe në kundërshtim me angazhimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për mbështetjen e Universitetit në përmirësimin e cilësisë.

Avancimi akademik i kuadrit të Universitetit duhet të bëhet mbi bazë të meritave, arritjeve dhe rezultateve të punës akademike. Kriteret statutare lidhur me avancimin e personelit akademik duhet të respektohen dhe të zbatohen me përpikëri nga të gjitha organet e Universitetit.

Statuti i Universitetit përcakton qartë kushtet për emërim dhe avancim në çfarëdo titulli të personelit akademik duke caktuar kriteret për kualifikimet përkatëse dhe nivelin e lartë të kompetencës akademike e përvojës shkencore të dëshmuar me një numër të rëndësishëm të monografive, teksteve mësimore dhe publikimeve në revista ndërkombëtare shkencore apo artistike. Procedurat për emërim duhet të bëhen në mënyrë transparente dhe kriteret statutare për avancim nuk mund të tejkalohen me votim të organeve të Universitetit. 

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” duhet që sa më parë, të funksionalizojë Komisionin e Etikës dhe të shqyrtoj të gjitha rastet e shkeljeve të etikës akademike të raportuara vazhdimisht në opinionin publik. Shoqëria me të drejtë, kërkon që ndaj të gjitha rasteve të tilla të jepet përgjigje adekuate dhe të merren masat konkrete të ndëshkimit. Organet e Universitetit duhet të ndërmarrin masa konkrete të përgjegjësisë ndaj secilit që pengon punën e Universitetit, si dhe të adresojnë përgjegjësinë për rastet e dështimit të akreditimit të programeve të studimit.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, prof. dr. Arsim Bajrami, vlerëson punën e menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe përkrah angazhimet e mëtutjeshme për përmirësimin e cilësisë në Universitet, duke i bërë apel të gjithë kuadrit intelektual dhe akademik të Universitetit, të kryejnë detyrat me përgjegjësinë më të lartë dhe të ofrojnë kontributin e tyre në përpjekjet e përbashkëta për cilësi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)