29 Mars 2024

Rezultatet e procesit të akreditimit shpallen në prill

Prishtinë, 22 mars - Në muajin prill, do të shpallet një pjesë e rezultateve të procesit të akreditimit dhe ri-akreditimit për institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.

Agjencia Kosovare për Akreditim, bëri të ditur se në këtë proces, i nënshtrohen ri-akreditimit Universiteti i Pejës, i Prizrenit, programe të reja nga Universitetit të Prishtinës si dhe nga Kolegjet. Zyrtarë të Agjencisë dhe Ministria e Arsimit, thonë se tani është koha që ofertat e programeve të institucioneve të arsimit të lartë t’i përshtaten nevojave të tregut të punës.

Vizitat e ekspertëve nëpër institucionet e arsimit të lartë në vend kanë filluar më herët dhe pritet që raportet e tyre të procedohen në mbledhjen e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, e cila do të mbahet në muajin prill. Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë në Agjencinë e Akreditimit, Ferdie Zhushi Etemi, tha për Radio Kosovën, se kjo agjendë ka ndryshuar për arsye se volumi i madh i punës në muajin korrik është i vështirë për tu menaxhuar, kështu që është vendosur që disa rezultate të ri-akreditimit të shpallen në muajin prill.

“Ne kemi marrë aplikacione nga Universiteti i Prishtinës, i kemi dhënë aprovim për ato që i plotësojnë kushtet për të hyrë në proces. Kryesisht kemi të bëjmë me ri-akreditim të programeve dhe disa programe të reja. Ndërsa me një tempo të njëtrajtshme po vazhdohet edhe ri-akreditimi i programeve në Kolegjet Private dhe akreditimi institucional për ato institucione qe iu skadon akreditimi këtë vit”, tha ajo.
Zhushi bëri të ditur se ky raund i procesit të akreditimit përfshin ri-akreditimin e disa institucioneve, Universitetin e Pejës, si universitet i ri si dhe ri-akreditimin e Universitetit të Prizrenit. Ajo theksoi se tani është koha që ofertat e programeve të institucioneve të arsimit të lartë duhet të ndryshojnë, në mënyrë që të përshtaten me nevojat e tregut të punës.

“Presim që institucionet me të vërtetë të hulumtojnë të shohin se cilat janë kërkesat e tregut dhe t’i shkurtojnë vendet në ato fusha të cilat tashmë janë të stërmbushura dhe të bëjnë orientimin nga fusha të cilat sigurojnë perspektive për studentët e diplomuar. Sektori publik duhet të zhvillohet më shumë nga fusha e bujqësisë, fusha e shkencave teknike, të natyrës dhe IT. Ka kaluar koha e programeve të fushave shoqërore siç janë: Juridiku, Ekonomiku e Shkencat Politike.

Tani duhet të shikohet se cilat fusha e çojnë Kosovën drejt zhvillimit ekonomik dhe cilat garantojnë punë për të diplomuarit”, theksoi ajo.


Ndërsa, sa u përket institucioneve private, Zhushi tha se duhet të profilizohen dhe të drejtojnë ofertat e tyre në bazë të kërkesave të tregut. Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ditë më parë pati thënë se do të punohet bashkë me universitetet publike, që programet e reja të orientohen drejt shkencave ekzakte.

Ndërkohë, për të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat, rezultatet e tjera të akreditimit dhe ri-akreditimit do të shpallen më 7 korrik. (RTK)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)