28 Mars 2024

Përmbyllet fushata vetëdijesuese për arsimin gjithëpërfshirës

Prishtinë, 30 tetor - Përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Ambasada e Italisë në Kosovë, organizata “Save dhe Children”, “Handikos” dhe institucione gjithëpërfshirëse të arsimit parashkollor dhe shkollor, morën pjesë në ceremoninë përmbyllëse të fushatës së përbashkët trejavore, e cila me qëllim të vetëdijesimit mbi të drejtën e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore, respektivisht arsimin gjithëpërfshirës.

Këshilltari i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Azem Guri, me këtë rast ka theksuar se, politika e MAShT-it bazohet në dokumentet ndërkombëtare për arsimin gjithëpërfshirës, drejt institucioneve të cilat i shikojnë pozitivisht dallimet mes njerëzve, përkrahin të mësuarit dhe i përgjigjen nevojave institucionale.

“Arsimi është thelbësor në luftën kundër varfërisë, mbrojtjen e fëmijëve nga punët e rrezikshme dhe shfrytëzueze, promovimin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë, mbrojtjen e mjedisit dhe arsimit gjithëpërfshirës. Politika e MAShT-it është barazi e mundësive për fëmijët me nevoja të veçanta dhe të rriturit në mjedise të integruara”, është shprehur këshilltari Guri.

Ndër të tjera, z. Guri përmendi fuqizimin e kapaciteteve të mësimdhënësve, krijimin e 40 shkollave dhe institucioneve parashkollore dhe shkollore gjithëpërfshirëse, hartimin dhe botimin e dokumenteve, broshurave dhe doracakëve mbi arsimin gjithëpërfshirës, organizimin e konferencave kombëtare dhe ndërkombëtare, hartimin dhe botimin e një kurrikule gjithëpërfshirëse, zbatimin efektiv dhe forcimin e mjeteve legjislative dhe të politikave, zhvillimin e Strategjisë Kombëtare të Arsimit Gjithëpërfshirës, përkthimin dhe përshtatjen e Indeksit për Arsimin Gjithëpërfshirës, etj.

Ambasadori i Italisë në Kosovë , z. Andreas Ferrares vlerësoi lartë punën e institucioneve të arsimit në Kosovë dhe rëndësinë që po i japin arsimit gjithëpërfshirës. Ai foli edhe për institucionin parashkollor “Integj”, i cili është një shembull i mirë i integrimit të fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore.

Drejtori i organizatës “Save dhe Children” për Kosovë, z. Ahmet Kryeziu foli për punën e organiztës në avancimin dhe krijimin e legjislacionit dhe politikave, të cilat do të inkorporojnë praktikat gjithëpërfshirëse dhe mekanizmat e përshtatshëm financiar për arritjen e ndryshimeve pozitive afatgjata për të gjithë fëmijët.

Drejtori i organizatës “Handikos”, z. Bexhet Binaku, tha se kjo organizatë në rrugëtimin e saj, rëndësi të veçantë i ka kushtuar komponentës së edukumit dhe arsimimit të personave me nevoja të veçanta në ambiente gjithëpërfshirëse, çka është edhe qëllimi thelbësor i kësaj fushate.

Aktorja e njohur Yllka Gashi, e cila është edhe ambasore e “Save the Children” për fëmijët me nevoja të veçanta tha: “Nga ky rrugëtim jo i gjatë, kam mësuar gjëra tepër të rëndësishmë, por mbi të gjitha kam njohur prindër, forca dhe dashuria e pakusht e të cilëve më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme”.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)