28 Mars 2024

Bëhuni gati për paketime të standardizuara

Prishtinë, 31 maj - Në kohën kur duhanpirja konsiderohet si një pandemi globale dhe pasojat e saj me të drejtë krahasohen me ato të armëve për shkatërrim në masë, është obligim dhe përgjgjegjësi e institucioneve, shoqërisë civile, qytetarëve dhe i secilit që të fokusohet në angazhimin për reduktimin e këtyre pasojave dhe për të siguruar një mbrojtje efikase të shëndetit publik, para së gjithash për gjeneratat e reja.

Fakti që duhani vret brenda çdo vit rreth 5.4 milionë njerëz në botë, apo në çdo 6.5 sekonda nga një person vdes për shkak të sëmundjesve të lidhura me duhanpirjen, është një argument i mjaftueshëm për të mobilizuar të gjitha potencialet institucionale e profesionale në reduktimin e pasojave të këtij produkti, që për ironi vret 50 % të përdoruesve të tij.

Kështu u tha sot në Prishtinë në shënimin e Ditës Botërore pa duhan, që sivjet shënohet me temën: “Bëhuni gati për paketime të standardizuara”, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHP, në bashkëpunim me Zyrën e OBSH-së në Kosovë dhe KADC.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se MSH do të angazhohet që Liigji për Kontrollin e Duhanit  të zbatohet sa më mirë, qoftë përmes fuqizimit të Inspektoratt Shëndetësor dhe përkrahjes për fuqizimin edhe të inspektorateve të tjera, ashtu edhe me angazhime që lidhen me ngritjen e ndërgjegjësimit dhe njohurive për pasojat e duhanpirjes.

 “Në përmbushje të obligimeve që ka, Ministria është duke bërë fuqizimin e legjislacionit, me që kohë më parë është futur në zbatim Udhëzimi Administrativ për Mjediset pa tym duhani, ndërsa është finalizuar edhe  Udhëzimi për vërejtjet e kombinuara, apo pakot e standardizura që është edhe temë kryesore e kësaj dite”, tha ai, duke bërë të ditur se po sot, ka nënshkruar vendimin për themelimin e Grupit Punues për hartimin e Programit Kombëtar për Kontrollin e Duhanit, si një qasje gjithëpërfshirëse dhe ndërsektoriale me prioritet ngritjen e ndërgjegjësimit kundër duhanit dhe kulturës shëndetësore.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor, Ferid Agani, tha se ky ligj që mbron shëndetin individual por edhe kolektiv të qytetarëve në kohët e fundit është sfiduar nga shkelës të ndryshëm, ndërkohë që ka kritikuar si nivelin qendror ashtu edhe atë lokal për angazhim jo adekuat të zbatimit të tij.

“Konferenca e sotme e ka rolin që të ngre sensibilizimin e të gjithëve për zbatimin e këtij ligji dhe mbajtjen e koherencës në veprime, me qëllim të zbatimit të ligjit”, tha Ministri Agani.

Naser Ramadani, drejtor ekzekutiv i IKSHP-së, duke iu referuar “Hulumtimit gjithpërfshirës të duhanpirjes te të rinjtë e Kosovës (2005)”, tregoi se 1/3 e nxënësve të moshës 12-18 vjeçare që ishte përfshirë në hulumtim kishin pirë cigare ndonjëherë, ndërsa 1 nga 5 nxënës të tillë këtë shprehi e kishin filluar para moshës 10 vjeçare. “Fakti më shqetësues është tymosja pasive, sepse 82% të atyre që kurrë nuk kanë tymosur duhan dhe 95 % të atyre që tash tymosin duhan, janë të eksponuar në thithje pasive të duhanit”, tha Ramadani.

Shefi i Zyrës së OBSh-së në Kosovë, Skënder Syla ka prezantuar një pasqyrë gjithpërfshirëse rreth përdorimit të pakove të standardizuara në vende të ndryshme të botës, bazuar në Kornizën Konventë për Kontrollin e Duhanit të OBSH-së, duke theksuar se hulumtimet e kryera lidhur më këtë tregojnë, se ato kanë ndikim në uljen e prevalcnës së duhanpirjes.

Këto pako të standardizuara, ka theksuar Syla, reduktojnë atraktivitetin e paketimit të duhanit, eliminojnë reklamimin dhe promovimin e duhanit, kufizojnë paketimin mashtrues dhe rrisin efektivitetin e vërejtjeve shëndetësore për duhanin.

Drejtori ekzekutiv i KADC-së, Shkumbin Spahija, organizatë kjo që ka ndihmuar MSh-në në hartimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe legjislacionit sekondar, prezantoi fotografitë për vërejtjet e kombinuara, të cilat grupi punues i ka përzgjedhur për t’i vendosur në pakot e duhanit që në të ardhmen do të importohen në Kosovë, me porosi dekurajuese për duhanpirjen.

Në këtë takim, rreth aspekteve që lidhen me duhanpirjen, ligjin, sfidat dhe hapat e ardhshëm, me diskutime të tyre kanë kontribuar edhe përfaqësuesit e Inspektoratit Sanitar, Inspektoratit Shëndetësor, “Konsumatorit”, Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, profesionistë shëndetësorë dhe pjesëmarrës të tjerë.

Ishte konkludim i përbashkët se aktivitetet për zbatimin e ligjit duhet shtritë në shumë rrafshe dhe se zbatimi është opsioni i vetëm i dobishëm për të ruajtur dhe përparuar shëndetin e qytetarëve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)