20 Prill 2024

Shënohet dita ndërkombëtare e luftimit të fistulës obstetrike

Prishtinë, 23 maj - Koalicioni i Organizatave për Shëndet Riprodhues dhe të Drejta të Shëndetit Riprodhues përuron ditën ndërkombëtare të luftimit të fistulës obstetrike.

Dita ndërkombëtare e luftimit të fistulës obstetrike, e cila shënohet më 23 maj, përurohet nga Koalicioni i Organizatave për Shëndet Riprodhues dhe të Drejta të Shëndetit Riprodhues. Fistula obstetrike është një nga lëndimet më serioze nga e cila vuajnë përafërsisht 2 milion femra dhe çdo vit preken 50.000 deri 100.000 të tjera.

Fistula obstetrike është një vrimë në mes të vaginës dhe fshikëzës urinare që shkaktohet nga lindja e tejzgjatur. Kjo pastaj shkakton rrjedhje urinare dhe defikim. Kjo gjendje është dukuri e vendeve të pazhvilluara dhe luftimi i fistulës obstetrike gjithashtu është i mbështetur nga UNFPA-ja, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsi.

Në një komunikatë zyrtare sot, Dr. Babatunde Osotimehin, drejtori ekzekutiv i UNFPA-së, thekson se “për UNFPA-në, luftimi i fistulës obstetrike mbetet ndër prioritetet kryesore strategjike dhe ne nuk do të ndalemi derisa secila grua dhe vajzë merr kujdesin preventiv që i nevojitet, secila grua dhe vajzë që jeton me këtë gjendje është trajtuar dhe secila e mbijetuar integrohet në shoqëri.

Fistula obstetrike më së shpeshti zhvillohet gjatë lindjes kur koka e foshnjës zbret në legen të nënës dhe nuk mund të kalojë nëpër të zakonisht për shkak se legeni i gruas është shumë i vogël apo sepse foshnja është e madhe. Faktorë të tjerë kontribues përfshijnë moshën e re të lindjes, disproporcionin e pelvikut, kancerin ose rrezatimin për trajtimin e kancerit, dhunën seksuale, si dhe disa nga infeksionet seksualisht të transmetueshme.

Strategjitë për parandalimin e fistulës obstetrike përfshijnë rritjen e mbikëqyrjes së punës, përmirësimin e qasjes në shërbimet e urgjencës obstetrike, kujdesin mjekësor për gratë gjatë dhe pas lindjes, zhvillimin e qendrave të specializuara që trajtojnë gratë e dëmtuara nga kjo gjendje, përmirësimin e qasjes në shërbimet e planifikimit familjar, si rritjen e edukimit për gratë shtatzëna dhe partnerët e tyre.

Në vitin 2003 Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) dhe partnerët e saj filluan fushatën globale për t\'i dhënë fund këtij lëndimi përmes një iniciative bashkëpunuese për të parandaluar fistulën obstetrike dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësorë për ata që janë prekur nga kjo gjendje.

Në Kosovë nuk zotërohen të dhëna rreth kësaj gjendje, andaj edhe Koalicioni apelon që të ndërtohen mekanizmat që regjistrojnë këtë gjendje në regjistrat zyrtarë dhe përmirësojnë shërbimet që parandalojnë dhe trajtojnë fistulën obstetrike.

Koalicioni i Organizatave për Shëndet Riprodhues dhe të Drejta të Shëndetit Riprodhues, aktualisht në procesin e themelimit, synon të përmirësoj politikat, infrastrukturën ligjore dhe ngrisë vetëdijen qytetare mbi shëndetin riprodhues dhe të drejtat mbi shëndet riprodhues në Kosovë. Kjo nismë është e mbështetur nga zyra e UNFPA-së në Kosovë dhe koordinuar nga “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.” Organizatat anëtare përfshijnë: AHED, Artpolis, Health for All, Jeta/Vita, KOPF, Peer Educators Network (PEN), Rrjeti i Grupit të Grave, Shoqata për të Drejtat e Pacientit (PRAK), Shoqata Kosovare për Promovimin, Avancimin dhe Mbrojtjen e Shëndetit të Adoleshentëve, dhe Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (ANF).

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)