28 Mars 2024

MSh dhe Caritas me Memorandum për përkujdesje shëndetësore shtëpiake

Prishtinë, 4 gusht - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Imet Rrahmani dhe Përfaqësuesi i Caritas Kosova, z, Pal Baftia nënshkruan sot Memorandumin e bashkëpunimit, me qëllim të përkrahjes së projektit “Përkujdesja Shëndetësore Shtëpiake” që implementohet nga Caritas Kosova sipas modelit të Caritas-it Gjerman.

Me anë të këtij projekti, Caritas Kosova do të ofrojë shërbime cilësore dhe profesionale për persona të sëmurë, me regjim shtrati, të palëvizshëm, të vetmuar dhe të moshuar që trajtohen në familje dhe kanë nevojë permanente për përkujdesje shëndetësore shtëpiake. Këto shërbime, do të ofrohen me përkrahjen profesionale të ekspertëve të Caritasit Gjerman në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë.

Ministri Rrahmani tha se Memorandumi konkretizon një bashkëpunim midis Ministrisë dhe Caritas-it që ka për qëllim të lehtësojë ofrimin e shërbimeve shëndetësore shtëpiake për persona në nevojë, duke ndihmuar edhe komunat që këto shërbime të jenë sa më cilësore. “Qëllimi themelor i projektit është që qytetarëve të vendit në nevojë, t’u ofrohen shërbime shëndetësore në shtëpi përmes ekipeve profesionale”, theksoi Ministri Rrahmani.

Pal Baftia tha se memorandumi konkretizon një bashkëpunim midis Ministrisë dhe Caritas-it, ndërsa përfitues janë prej 1200-1400 qytetarë të vendit në 12 komuna të Kosovës përmes ofrimit të shërbimeve shëndetësore infermierike dhe të Kujdesit Parësor Shëndetësor si dhe asistencë me medikamente. 

Caritas Kosova do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet publike shëndetësore, për të bashkërenduar shërbimet e ofruara. Në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë, Caritas Kosova do të raportojë për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e projektit dhe do të ofrojë trajnime për stafin e projektit dhe potencialisht për stafin e institucioneve publike me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë. 

Ministria e Shëndetësisë ndërkaq e ka të njohur dhe përkrahë shërbimin e përkujdesjes shëndetësore të  ofruar nga Caritas Kosova në territorin e Republikës së Kosovës, ndërsa do të ofrojë këshillime profesionale dhe informacione relevante mbi implementimin e projektit. Po ashtu do të zhvillojë vizita zyrtare në projekt dhe tek përfituesit në familje.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)