27 Prill 2024

Për tri vjet, 400 mjekë ikën nga Kosova

Prishtinë, 26 janar - Kuadri specialistik mjekësor, po vazhdon të ikë nga Kosova për të kërkuar punë dhe kushte më të mira në vende të ndryshme të botës.

Vetëm për tre vjet nga Kosova kanë ikur rreth 400 mjekë, ka deklaruar Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë.

\"Ne kemi bërë një hulumtim, dhe nga Kosova për tre vjet kanë ikur 400 mjekë, pa i llogaritur infermierët. Ne kemi organizuar një pyetësor ku prej 1 mijë studentëve që i kemi anketuar, 73 për qind e tyre kanë deklaruar se do të ikin jashtë vendit\", ka deklaruar Syla për Radion Evropa e Lirë (REL).

Sipas tij, nuk është çështja vetëm te pagat, por nuk ka sistem të mirë shëndetësor, nuk ka planifikim të mirë të punësimit, politizimi i shëndetësisë e shumë faktorë tjerë. “Ky fenomen është i pandalshёm, edhe pse njerëzit e kryejnë shkollën dhe duhet ikin. Është shumë vështirë që në moshën 45-vjeçare një mjek të ikë jashtë vendit dhe të fillojnë të mësojnë gjuhën për t’u punësuar\", ka shtuar Syla.

Ndryshe, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër referente për tërë Kosovën, janë të punësuar 613 mjekë dhe 1882 infermierë. Paga e mjekëve specialistë është rreth 600 euro në muaj, derisa infermieri për punën që kryen paguhet rreth 300 euro në muaj.

Zyrtarja për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Mirlinda Qyqalla, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ikja e mjekëve nga institucioni publik shëndetësor është fenomen që ndodh.

\"Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, në vitin 2012 kanë ikur 3 mjekë specialistë me vetëdëshirë, derisa po këtë vit edhe 11 infermierë kanë ikur nga ky institucion. Ndërkaq, në vitin 2013 kanë ikur 6 mjekë specialistë dhe 15 infermierë, për të vazhduar më pastaj në vitin 2014 e deri më tani sipas statistikave tona, kanë ikur 6 mjekë specialistë dhe 8 infermierë\", ka deklaruar Qyqalla.

Sipas saj, statistikat flasin se numri i atyre që kërkojnë punë në klinikat e këtij institucioni është i madh, derisa punësimi i tyre nuk ndodh.

\"QKUK-ja ka nevojë për staf shtesë të infermierëve, por që një gjë e tillë nukmund të ndodh tash, deri sa të shikohet mundësia buxhetore. Me kushtet e punës, politikat shëndetësore dhe me pagesë, nuk janë pajtuar shumë mjekë specialistë, andaj kjo ka qenë edhe arsyeja e ikjes nga Kosova për të kërkuar punë në vende të ndryshme të Evropës e më gjerë”, ka deklaruar ajo.

Profesionistë shëndetësorë tashmë kanë deklaruar se për këtë dukuri duhet të ndërmerren masa, në mënyrë që të zvogëlohet numri i ikjes së mjekëve dhe të krijohen mundësi të kthehet, siç thonë ata, truri i Kosovës, pasi që ata që kryejnë specializimet edhe aftësohen për punë.

/REL/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)