25 Prill 2024

Kosova me financimin te dobët në luftimin e kancerit

Prishtinë, 18 dhjetor - Bordi Nacional për Kontroll të Kancerit (MSh ) dhe Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) - Zyra në Kosovë, organizuan sot në Prishtinë  tryezën e rrumbullakët, me rastin e lansimit të raportit lidhur me shërbimet për parandalimin, diagnozën dhe trajtimin e  kancerit të qafës së mitrës, të gjirit dhe të prostatës në Kosovë.

Ky vlerësimi është kryer nga anëtarët e Bordit Nacional për Kontroll të Kancerit, në bashkëpunim me konsulentin ndërkombëtar, Dr. Philip Davis, të përkrahur nga UNFPA, zyra në Prishtinë.

Qëllimi i tryezës ishte diskutimi i të gjeturave dhe rekomandimeve  lidhur me situatën aktuale të shërbimeve për parandalimin, diagnozën dhe trajtimin e  kancerit të qafës së mitrës, të gjirit dhe të prostatës, si dhe hapat e mëtutjeshëm për zhvillimin e Planit të veprimit për skriningun e kancerit në Kosovë.

Dr. Merita Vuthaj (MSh), tha se luftimi i kancerit është një problem që po sfidon mbarë botën, ndërsa sa i përket Kosovës, ajo tha se me përkrahjen e Ministrisë së Shëndetësisë është themeluar Instituti i Onkologjisë si dhe është arritur të ngrihen shërbimet që mbulojnë trajtimin e kancerit përfshirë shërbimet kirurgjike, ato të kimio-terapisë dhe radioterapisë.

Ajo ka theksuar, gjithashtu,  edhe punën e Bordit për Kontroll të Kancerit të ngritur nga MSh me punën e të cilit është arritur të regjistrohen edhe të dhënat për sëmundjen e kancerit në Kosovë si dhe hartimi i Programit Nacional për parandalimin dhe luftimin e kancerit në Kosovë.

Dr. Visare Mujko-Nimani (UNFPA), tha se rezultatet e vlerësimit do të ndihmojnë Ministrinë e Shëndetësisë dhe profesionistët shëndetësor që të ngritin një plan konkret veprimi për zbatimin e Planit Nacional të parandalimit dhe kontrollit të kancerit në Kosovë. 

Kurse dr. Zarfife Miftari (UNFPA) ka pasqyruar mbështetjen që kjo zyrë i ka dhënë sektorit shëndetësor në Kosovë në fusha të ndryshme dhe aspektet dhe metodologjinë e realizimit të vlerësimit, duke spikatur edhe hartëzimin e shërbimeve dhe kapaciteteve që lidhen me luftimin e kancerit.

Dr. Elvis Ahmedi, kryetar i Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit tha se Bordi ka hartuar Programin Nacional për parandalimin dhe luftimin e kancerit, por se këtij Programi i duhet bashkëngjitur një plan veprimi që të bëhet i zbatueshëm.  Ai tha se krahasuar me vitet e kaluara janë bërë përparime të dukshme në kohën e diagnostikimit dhe trajtimit, porse sfida ende mbesin sigurimi i plotë i mbështetjes politike për programet kundër kancerit, buxheti dhe korniza ligjore.

Dr. Ahmedi tha se regjistri i kancerit që ishte sfidë ringjallja e tij ka filluar të prodhojë të dhëna rreth rasteve të kancerit në Kosovë, edhe-pse, të dhënat e raportuara janë të nënvlerësuara. Ai tërhoqi vërejtjen për financimin e dobët të shëndetësisë në Kosovë që reflekton edhe në luftimin e kancerit.

Dr. Skënder Syla (OBSH), përshëndeti raportin e vlerësimit dhe theksoi mbështetjen e kësaj organizate për fuqizimin e masave për parandalimin dhe luftimin e kancerit në Kosovë.

Dr. Merita Berisha (IKSHP) dhe anëtare e Bordit për Kontrollin e Kancerit ka prezantuar të gjeturat e vlerësimit të shërbimeve lidhur me parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit të qafës së mitrës, gjirit dhe të prostatës, kurse rekomandimet janë bërë nga eksperti ndërkombëtar Dr. Philip Davis.

Në mesin e rekomandimeve janë fuqizimi i Bordit për Kontroll të Kancerit, fuqizimi i kapacitete si në diagnostikim ashtu edhe në trajtim, ngritja e resurseve të reja, aparaturave, përgatitjet për skreening programe, sigurimi i mbështetjes së plotë politike dhe financiare, etj.

Në këtë tryezë, ku kontributin e tyre e dhanë edhe klinicistë të fushave të ndryshme nga QKUK dhe spitalet e tjera, u theksua se katër llojet e tumoreve që renditen me numër më të lartë të rasteve në bazë të raportimeve në IKSHP janë tumorët e gjirit; ata të traktit të frymëmarrjes; tumorët e lëkurës dhe tumorët e traktit digjestiv. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)