18 Prill 2024

Hoxha: Lufta e korrupsionit nuk është betejë e lehtë por do e fitojmë

Prishtinë, 27 tetor - Ministrja e Drejtësisë, znj. Dhurata Hoxha sot ka marr pjesë në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, me temën “Luftë për Luftën kundër Korrupsionit” e mbështetur nga Ambasada e Britanisë në Kosovë.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Hoxha tha se fuqizimi i sundimit të ligjit është e vetmja rrugë për të ndërtuar një shtet ligjor dhe ndërtimi i shtetit ligjor do të fuqizojë edhe pozitën e Kosovës duke realizuar me sukses procesin euro integrues. “Efikasiteti i sistemit të drejtësisë është qenësor për t’u siguruar qytetarëve qasje të barabartë në drejtësi dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e vendit”.

Ministrja Hoxha theksoi tutje se ka detyrim dhe obligim ligjor që qytetarëve t’u ofrohet siguri juridike dhe qasje e barabartë në drejtësi, sepse cenimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, qasja e vonuar në drejtësi, ndikon negativisht edhe në zhvillimin ekonomik të vendit dhe tërheqjen e investimeve. Ministrja po ashtu shtoi se kemi për obligim t’ua forcojmë besimin në sistemin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit, jo vetëm qytetarëve, por edhe investitorëve, miqve tanë, atyre që na besuan dhe kontribuuan për Republikën e Kosovës.

Ministrja Hoxha shtoi se prioritet madhor gjatë këtij mandati, është lufta kundër korrupsionit, “unë jam zotuar se do të angazhohem për të dinamizuar proceset dhe për të fuqizuar sundimin e ligjit dhe përmirësimi i legjislacionit dhe mbikëqyrja e zbatimit të ligjit është një ndër hapat në drejtim të fuqizimit të sistemit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit”, theksoi Ministrja Hoxha.

Gjatë fjalës së saj Ministrja Hoxha përmendi po ashtu hapat konkret që janë ndërmarr në hartimin e legjislacionin adekuat, si dhe kornizës institucionale dhe ligjore për t\'u ballafaquar me korrupsionin.

Për t`i fuqizuar edhe më tej këta mekanizma, Ministrja e Drejtësisë në bashkëpunim me ekspertët e Këshillit të Evropës, do të sjellin asistencën e nevojshme që ligjet të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në luftimin e korrupsionit, të jenë në përputhshmëri me standardet më të larta dhe praktikat më të mira nga Bashkimi Evropian.

Në vazhdën e aktiviteteve, Hoxha theksoi se në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe partnerët ndërkombëtarë jemi duke punuar për të krijuar mekanizma të rritjes së efikasitetit, përgjegjësisë dhe llogaridhënies në institucionet e drejtësisë.

Ministrja Hoxha e përmbylli fjalimin e saj duke shtuar se “Luftimi i korrupsionit as nuk është betejë e lehtë as e njëhershme, lufta me të do të jetë e mundimshme dhe e vazhdueshme, por gjithsesi do ta fitojmë. Do ta fitojmë këtë betejë për vete, gjeneratat që kontribuuan për neve dhe për fëmijët tanë”.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)