24 Prill 2024

Ministria Hoxha e fokusuar në forcimin e luftës kundër korrupsionit

Prishtinë, 26 tetor - Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të kryesuar  nga kryetarja Albulena Haxhiu, ka raportuar ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, lidhur me zbatimin e rekomandimeve të Komisionit për Legjislacion të adresuara gjatë vitit 2015.

Ministrja Hoxha tha se pakoja e reformimit të ligjeve do të jetë një proces gjithëpërfshirës, duke përmendur Ligjin për ndërmjetësim, Ligjin për noterinë, Ligjin e përmbarimit, që prekin anën komerciale, si dhe ndryshim-plotësimin e Ligjit për procedurën penale, kodin penal, që do të ketë parasysh të gjithë akterët e sundimit të ligjit, në një proces i cili do të zgjasë dy vite.

Ministrja e Drejtësisë tha se Ministria është e fokusuar në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në parimin se askush nuk është mbi ligjin.

Gjithashtu, shtoi ministrja Hoxha, për nismën e Ligjit për amnisti Gjykata Kushtetuese ka dhënë opinion se ligjet për amnisti nxirren kur ka konflikt për t’i dhënë fund dhunës si pjesë një marrëveshjeje paqësore. 

Ndërsa, lidhur me zbatimin e rekomandimeve të Komisionit për Legjislacion, të adresuara gjatë vitit 2015, ministrja e Drejtësisë tha se deri tani janë nënshkruar të gjitha rregullat e brendshme, përshirë rendin shtëpiak në institucionet korrektuese, qendrave të paraburgimit, burgun e sigurisë së lartë dhe në kuadër të këtyre akteve, është e rregulluar edhe mënyra e shfrytëzimit vjetor, duke pohuar se me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë, në programin legjislativ ka hyrë për ndryshim-plotësim Ligji për ekzekutimin e sanksioneve penale.

Ministrja potencoi se me hapjen e burgut të sigurisë së lartë, në qendrat korrektuese janë vendosur të paraburgosurit që kanë qenë në Prishtinë, ku kapaciteti tani është i madh. Tani, shtoi ministrja Hoxha, është hyrë në fazën e  hapjes së qendra të tjera, ndër to edhe ajo afër Pallatit të Drejtësisë, me 300 shtretër.

Shqetësimi i ministres ishin kufizimet buxhetore, të cilat, pamundësojnë një trajtim më të mirë në këto institucione. Ajo përmendi se me Kodin për  Drejtësinë për  të mitur, është propozuar që paraburgimi për të mitur të ulet në 6 muaj.

“Ne kemi kontrolle të rregullta në këto institucione. Kemi realizuar 1960 kontrolle  në të gjitha institucionet, sipas legjislacionit në fuqi”, theksoi ministrja Hoxha.

Po ashtu, ajo bëri të ditur se në programin legjislativ, pas pranimit të rekomandimit të Komisionit, me një punë intensive janë përfshirë edhe plotësim ndryshimi i ligjeve për KPK, KGJK dhe ZPD.

Pas prezantimit të ministres Hoxha, anëtarët e Komisionit kërkuan sqarime të shumta për çështje të ndryshme, si: për çështjen e një lloj vetingu moral të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për çështjen e ZPD-së në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, vlerësimin paraprak të projektligjeve, në mënyrë që të mos vijnë shumë shpesh në plotësim-ndryshim, parashkrimin për veprat korruptive, për Ligjin antimafia, për buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë, rastin e Nehat Thaçit, rastin Drenica, politizimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ankesat e të burgosurve për rrahje nga vet të burgosurit brenda në burg, kolizioni i ligjeve etj.

Në të gjitha këto çështje të ngritura, ministrja Hoxha dha sqarimet përkatëse.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)