25 Prill 2024

Kosova në rrugë të mirë ta mund ekstremizmin dhe terrorizmin

Prishtinë, 26 tetor - Ministria e Punëve të Brendshme po organizon konferencë dy-ditore me temë: ‘Së bashku kundër ekstremizmit të dhunshëm’. Kjo konferencë është mbështetur nga misionit i OSBE-së në Kosovë. 

Konferencën e hapi ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, z. Skender Hyseni, i cili tha se ky takim do të jetë një mundësi e mirë që të këmbejnë përvoja rreth një fenomeni i cili nuk është nacional, por është një fenomen global.

“Ekstremizmi i dhunshëm kulmon në radikalizëm dhe terrorizëm. Kosova nuk bënë përjashtim nga prekja e kësaj të keqeje, mirëpo Kosova në shumë pikëpamje bënë përjashtim në mënyrën se si i është qasur këtij problemi. Mund të konstatoj se sekularlizimin dhe tolerancën mund ta ruajmë vetëm duke e përfshirë të gjithë spektrin social dhe politik në Kosovë ”, theksoi  Hyseni.

Ministri Hyseni vuri në dukje se Republika e Kosovës ka ndërtuar një strategji të shkëlqyeshme për ta luftuar këtë të keqe. 

“Me këtë strategji që janë pjesë të gjitha institucionet dhe bashkësitë fetare në vend, shoqëria civile etj. Feja islame është fe e mirë, fe e paqes dhe e tolerancës. Ne si Ministri e Punëve të Brendshme në strategjinë që kemi ndërtuar me organizatat ndërkombëtare kemi arritur të krijojmë mekanizma referues që kontribuojnë në luftimin e ekstremizmit, siç është anëtarësimi i pesë qyteteve në atë që quhet rrjeti i qyteteve të forta. Një projekt ambicioz që është lansuar në samitin e liderëve kundër terrorizmit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, vitin e kaluar”, tha Hyseni.

Ndërsa Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa, theksoi se kjo konferencë është e rëndësishme, duke shtuar se ekstremizmi dhe radikalizmi janë dukuri që e rrezikojnë shoqërinë.

“Ekstremizmi dhe radikalizmi nuk e kanë një atdhe dhe ata e sfidojnë të gjithë botën. Ne kemi bërë përpjekje që të konstatojmë se cilët janë faktorët që shpien në radikalizëm dhe në luftimin e terrorizmit. Ne jemi në rrugë të mirë si Kosovë, në betejën tonë që ta mundim ekstremizmin dhe terrorizmin”, theksoi  Mustafa.

Kryeministri Mustafa, vuri në pah se është bashkëpunuar edhe me vendet fqinjë në luftimin e ekstremizmit, duke mos e lënë këtë çështje vetëm në duart e organeve të rendit, por edhe shoqëria në përgjithësi në Kosovë ka kontribuar në luftimin e lëtyre dukurive.

Kryeministri Mustafa po ashtu theksoi se është hartuar ligji që e ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftëra të huaja.

“Kemi kërkuar që të jemi pjesë e organizatave, siç janë INTERPOL-i dhe EUROPOL-i, si organizata të rëndësishme botërore, në mënyrë që të jemi pjesë e koalicionit global që edhe Kosova si një vend i vogël ta jap kontributin e saj në luftimin e ekstremizmit”, theksoi Mustafa.

Ndërsa kryesuesi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori, Jan Braathu, theksoi se asnjë vend në botë nuk është plotësisht imun ndaj radikalizmit dhe ekstremizmit, mirëpo duhet të punohet në parandalimin e tij.

Ambasadori Braathu, vuri në dukje se misioni i OSBE-së, bashkë me institucionet e Kosovës është duke punuar në këtë drejtim. OSBE ka një kornizë për luftën kundër terrorizmit dhe një departament të përkushtuar për këtë fushë.

“Grupet e të rinjve, organizatat e ndryshme, mediat, të gjitha luajnë një rol kyç në parandalimin e këtij fenomeni. Po ashtu një rol shumë të rëndësishëm kanë edhe krerët fetarë në parandalim”, ka thënë Braathu.

Kjo konferencë, përgjatë këtyre dy ditëve do të trajtojë aspekte dhe qasje të ndryshme në parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, me fokus të veçantë në rolin e mekanizmave të sigurisë, arsimit, grave dhe udhëheqësve fetarë, në parandalim të këtyre dukurive.

 

Edhe Zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë z. Lirak Çelaj ka marr pjesë në Konferencën e parë ndërkombëtare mbi parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Në hyrje të fjalimit të tij, z. Çelaj përmendi faktin se shteti ligjor dhe shoqëria e shëndoshë janë duke u sfiduar nga dukuri të reja negative siç është ekstremizmi i dhunshëm apo terrorizmi të cilat po sfidojnë edhe politik bërësit dhe vendimmarrësit.

“Sfida e shekullit 21 që i referohet terrorizmit dhe ekstremizmit janë trajtuar me kujdes edhe nga Ministria e Drejtësisë gjatë hartimit të legjislacionit, veçanërisht në kuadër të Kodit Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, ku janë paraparë veprat penale kundër Terrorizmit, duke filluar nga neni 135 deri ne 145” theksoi z. Çelaj.

Gjatë fjalës së tij, Zëvendësministri Çelaj përmendi se Ministria e Drejtësisë ka në mandatin e saj krijimin e legjislacionit si dhe në kuadër të saj ka edhe Agjencionet e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe atë Sprovues të Kosovës. Në përputhje me kompetencat që ka dhe nga vlerësimet dhe analizat e bëra që të tentohet të parandalohet radikalizmi dhe ekstremizmi në mënyrë të veçantë tek të burgosurit, ka hartuar Strategjinë për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale 2016-2020 në të cilën këto çështje janë trajtuar me theks të veçantë dhe e cila tani më është në përfundim.

“Këto dy agjencione janë institucione shumë të rëndësishme në luftën kundër ekstremizmit, terrorizmit dhe radikalizmit pasi që një nga detyrat e tyre është edhe vet rehabilitimi gjegjësisht riintegrimi i kryerësve të këtyre veprave penale”, tha Zëvendësministri Çelaj.

Ai shtoi po ashtu se këto dy agjencione duhet të kenë strategji të veprimit dhe trajtimit të këtyre të burgosurve e cila do të specifikonte mënyrën e trajtimit të tyre dhe e cila do të jepte përgjigje në pyetjen se këta të burgosur a duhet të vuajnë dënimin në një qeli apo program të njëjtë me të dënuarit e tjerë apo duhet të izolohen vetëm kryerësit e kësaj  vepre penale.

Në fund të fjalës së tij, Zëvendësministri Çelaj theksoi se Ministria e Drejtësisë zotohet se do jete në hap me kohën për luftim të dukurive negative në Kosovë, përmes hartimit të politikave dhe legjislacionit, konform standardeve më të avancuara ndërkombëtare dhe është e hapur për çfarëdo bashkëpunimi në mënyrë që të arrihet qëllimi i përbashkët, luftimi i ekstremizmit.

Në këtë konferencë po marrin pjesë përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme nga mbarë bota, përshi: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Turqia dhe vendet e rajonit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)