26 Prill 2024

VV: Protesta e nesërme do të jetë masive, demarkacioni nuk kalon

Prishtinë, 31 gusht - Lëvizja Vetëvendosje! ftoi edhe një herë qytetarët e Kosovës dhe gjithë shqiptarët që të bashkohen në protestën e nesërme, në sheshin ‘Skënderbeu’, të Prishtinës.

Deputeti Albin Kurti dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, bënë thirrje për protestë, duke deklaruar se nuk mund të lejojmë që tradhtia dhe krimi të legjetimohen.

Kurti e quajti marrëveshjen për demarkacionin si marrëveshje personale të Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Kadri Veselit dhe Murat Mehës. Ai përmendi peticionin me mbi 205 mijë nënshkrime dhe akivitetet e shumta në kundërshtim të demarkacionit me Malin e Zi.

“Kosova nuk ka as tokë për të falur, e as gjak për të shkelur. Në ata 8200 hektarë, ne kemi dëshmorë tanët të kombit dhe kemi beteja të fituara çlirimtare. Nuk mund të heqim dorë prej asaj pjese të territorit, që ka edhe pasuri e bukuri natyrore, që ka edhe kuota strategjike ushtarake, por që ka edhe peshë të madhe për historinë dhe të ardhmen tone”, theksoi deputeti Albin Kurti.

Më tej, ai shtoi se beteja e nesërme është betejë e gjithë qytetarëve, sepse secili kemi përgjegjësi dhe jemi përgjegjës për ta ndalur tradhtinë.

Kurti foli edhe për kthimin e Boiken Abazit në Kosovë, i cili së fundi u konfirmua në Këshill të Përgjithshëm me shumicën dërmuese të votave si Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë, dhe i cili më herët, gjatë muajit mars, ishte dëbuar nga Kosova padrejtësisht me urdhër të pushtetit. Ai tregoi se që nga prilli, kur kanë kaluar mbi 130 ditë, gjykata nuk ka marrë kurrfarë vendimi, prandaj kjo çështje është e fituar edhe nga ana ligjore.

E në fjalën e tij, Boiken Abazi, e quajti kufirin Kosovë-Shqipëri kufi të padrejtë, si dhe arrestimet e 6 aktivistëve gjatë ditës së djeshme i quajti veprime të ndërmmara nga pushteti nën panik, si dhe kërkoi lirim të mënjehershëm të tyre.

“Nuk duhet harruar asnjëherë se kufiri Kosovë-Shqipëri është kufiri i Jugosllavisë. Kjo vijë kufitare që padrejtësisht na ndan, qëndron në trupin e kombit tonë si një plagë e hapur. Por gjithashtu nuk duhet harruar se shqiptarët nuk arriti dot t’i mbante të ndarë as ushtria gjenociadale e Jugosllavisë dhe Serbisë, e aq më pak mund të na mbajnë të ndarë sot klani i kriminelëve ordinerë që kanë kapur shtetin e Kosovës”, tha Abazi në fillim të fjalës së tij.

Abazi tha poashtu se protesta e 1 shtatorit është historike, për të cilën tha se ka për t’u mbajtur mend dhe për t’u shënuar në historinë e popullit shqiptar si dita e tradhtisë, ose si kthesa e madhe drejt çlirimit të dytë të Kosovës, çlirim nga ata që e kanë kapur shtetin dhe e kanë shtypur e shtrydhur këtë popull për 17 vite rresht.

Fare në fund, Kurti dhe Abazi ftuan gjithë shqiptarët në Kosovë e diasporë, në Shqipëri dhe gjitha viset shqiptare, që nesër me 1 shtator, të bashkohen në protestën historike në sheshin ‘Skënderbeu’, në Prishtinë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)