26 Prill 2024

Mujku: T’i largojmë dhunën në familje, divorcet dhe braktisjen e fëmijëve

Prishtinë, 2 korrik - Qendra për Punë Sociale në Prishtinë (QPS) është duke zhvilluar aktivitete dhe shërbime institucionale me shumë rëndësi për familjet në nevojë sociale, për braktisjen e fëmijëve, për divorcet, për dhunën në familje, strehimin e viktimave të dhunës në familje e shumë aktivitete tjera.

Të gjitha këto aktivitete kjo Qendër i zhvillon në shërbim për një familje të shëndoshë në çdo aspekt, sepse kur familja është e shëndoshë, edhe shoqëria është e shëndoshë, ka thënë në një intervistë ekskluzive për Portalin Ekonomia-ks.com, drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku.

“Janë më se 46 forma të mbrojtjes sociale dhe janë 55 lloje të klientëve në shërbime sociale profesionale, si dhe janë dikund mbi 1600 familje që marrin ndihmën e skemës sociale dhe rreth 2000 dokumente të ndryshme që janë vërtetime”, ka thënë Mujku.

“Angazhohemi në ofrimin e ndihmës sociale për familjet në nevojë, në parandalimin e braktisjes së fëmijëve, në ofrimin e shërbimeve për përkujdesje të fëmijëve të braktisur, në ofrimin e ndihmës për viktimat e dhunës në familje, në parandalimin e divorceve dhe në bashkimin e bashkëshortëve dhe shumë shërbime dhe aktivitete të tjera sociale dhe që kanë të bëjnë me familjen”, ka thënë drejtori Mujku.

Ekonomia: Me cilat aktivitete është marrë deri më tash Qendra për Punë Sociale e komunës së Prishtinës?

Vebi Mujku: Qendra për Punë Sociale (QPS) në Prishtinë është marrë dhe merret me të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijëve. Pra, duke filluar prej formave bazike të mbrojtjes së fëmijëve deri tek të moshuarit në gjendje të nevojës sociale me familje, të cilat janë në skemën e asistencës sociale dhe me qasje administrative.

QPS-ja funksionon prej viteve të ’60-a pa ndërprerje dhe deri në vitin 2009 ka funksionuar në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndërsa prej vitit 2009 funksionon në kuadër të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale pranë Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Janë më se 46 forma të mbrojtjes sociale dhe janë 55 lloje të klientëve në shërbime sociale profesionale, si dhe janë dikund rreth 1600 familje që marrin ndihmën e skemës sociale dhe rreth 2000 dokumente, të cilat janë vërtetim për armëmbajtje, për humbje të shtetësisë, për fitim të shtetësisë dhe punësim.

Ekonomia-ks.com: Sa është aktive Qendra për Punë Sociale në drejtim të realizimit të së drejtës për familjet sociale?

Vebi Mujku: QPS-ja ka në mandat përkujdesjen për secilën familje e cila është në gjendje të nevojës sociale. Pra, përkujdeset qoftë nga aspekti material, qoftë nga aspekti profesional.

Kur është fjala te ndihma sociale, ne i kemi dikund rreth 6000 anëtarë, pra 1600 familje që marrin ndihmë sociale me një mesatare prej 95 eurove në muaj. Ndërsa, sa i përket ofrimit të përkujdesjes sociale të drejtpërdrejtë për fëmijët, atëherë kemi një numër relativisht të madh, rreth 2000 klientë në vit. Shumica e klientëve janë fëmijë, duke mos i përjashtuar edhe personat me aftësi të kufizuara, si dhe të moshuarit për strehim rezidencial.

Ekonomia-ks.com: A keni ndërhyrë në divorce të bashkëshortëve dhe sa ia keni arritur që t’i bashkoni përsëri bashkëshortët?

Vebi Miftari: Në mandatin tonë është përkujdesja për të gjitha rastet e dhunës në familje, si dhe në rastet kur kanë të bëjnë me divorcet. Fjala është për rastet kur kanë të bëjnë me fëmijë. Ne në të gjitha rastet pothuaj se ndërhyjmë dhe ne deshtëm nuk deshtëm ngase asnjë rast i divorcit nuk mund të realizohet pa tentimin, përpjekjen dhe angazhimin e QPS-së për sanimin e marrëdhënieve bashkëshortore.

Kjo përpjekje mund të them që relativisht mirë ka rezultuar pozitivisht në sanimin e marrëdhënieve bashkëshortore. Në 3 vitet e fundit i kemi pasur 12 raste ku i kemi sanuar çiftet bashkëshortore, kurse në rastet tjera që kanë inicuar procedurë divorci, përderisa rastet tjera të cilat kanë pësuar dhunë në familje, ato rast i kemi sanuar pa problem shumicën prej tyre.

Mirëpo, nuk don të thotë kjo që nuk është një numër relativisht i madh edhe i atyre që kanë bërë propozim për divorc dhe kanë ardhur deri të divorci.


Ekonomia: Pse ndodhin divorcet dhe cilat janë arsyet më të shpeshta që shkaktojnë divorcet?

Vebi Mujku: Arsyet e divorcit janë të ndryshme. Divorcet ndodhin kryesisht te shtresa më e pasur e popullatës, jo tek shtresa e varfër.

Faktorët janë tqë ndryshëm, duke filluar prej faktorëve, përmirësimi i gjendjes ekonomike, pastaj divorcet shpesh ndodhin edhe për shkak të përdorimit të substancave narkotike, përdorimit të bixhozit, pastaj për shkak të përdorimit të alkoolit dhe ka arsye të tjera të cilat vijnë apo janë si shkaktar i divorcit në familjet shqiptare.

Shpeshherë shkak i divorcit është edhe tradhtia bashkëshortore, kemi raste edhe të dukurisë së vjedhjes. për shkak të vjedhjes apo të tradhtisë bashkëshortore përmes humbjes së të mirave materiale. Pra, faktorët janë të ndryshëm dhe secili rast i ka specifikat e veta, po rastet mund të them që janë relativisht të mëdha.

Në vitin 2015 kemi pasur 77 raste të dhunës në familje, ku një pjesë e tyre dërmuese kanë inicuar edhe procedurë të shkurorëzimit.

Ekonomia: A ka fëmijë të braktisur në komunën e Prishtinës dhe nëse ka, sa janë dhe kush kujdeset për ta?

Vebi Mujku: Po. Në komunën e Prishtinës numri i fëmijëve të braktisur është në rënie e sipër. Mund të them se gjatë 10 vjetshit të fundit kemi pasur më tepër se 80 fëmijë të braktisur.

Për çdo vjet numri i fëmijëve të braktisur është në rënie e sipër. Kjo tregon se është rritur niveli i vetëdijes së popullatës që mos të ketë fëmijë të braktisur. Gjatë vitit 2016, deri më tani, i kemi 3 raste të braktisjes së fëmijëve. Për dallim të viteve të fundit kemi pasur 5, 6, 7 deri në 12 raste të braktisjes së fëmijëve.

Ne jemi ata të cilët kujdesemi për të gjithë fëmijët pa përkujdesje prindërore, pra fëmijë të braktisur, prej momentit të vendosjes në spital, hospitalizimin, vendosjen e tij familjar, ndjekjen e të gjitha procedurave të strehmit deri te forma e adoptimit, pra deri sa ta bëjmë një zgjidhje të përhershme për ata fëmijë.

Edhe pse ekziston strehimorja, kusht primar e kemi bashkimin familjar, pra kusht primar e kemi bashkimin e fëmijës me familjen e cila e ka braktisur fëmijën.

Në këto tri apo katër vitet e fundit kemi arritur që t’i bashkojmë 5 a 6 raste të fëmijëve të braktisur me familjet e tyre.

Braktisja e fëmijëv ka ndikuar që shumëherë që shumë nëna në mungesë të kushteve materiale dhe financiare, banimi social, të braktisin fëmijën e tyre. Në këtë drejtim kemi arritur që të ndihmojmë në mosbraktisje dhe kemi bërë parandalimin e braktisjes së fëmijëve.

Ekonomia: A ka raste të dhunës në familje dhe a keni ndërhyrë edhe në këtë segment, duke larguar dhunën në familje dhe a jeni marrë me trajtimin e viktimave të dhunës në familje?

Vebi Mujku: Dhuna në familje është njëra prej dukurive që punojmë më së shpeshti dhe kemi raste mjaft shumë. E thash edhe më heret se në vitin 2015 janë 77 raste të dhunës në familje që janë paraqitur, që janë evidentuar dhe që ne i dijmë, e sa ka të tjera që nuk i dijmë fare.

Nga këto raste, pra prej 77 rasteve të dhunës në familje, prej tyre 8 janë viktima meshkuj, kurse të tjerat, pra 69, janë viktima femrat.

Ne prej momentit të intervenimit, pra momentit të parë kur intervenojmë pas marrjes së informatës nga policia apo nga ndonjë qytetar, merremi me vendosjen e viktimës në strehimore deri te procedurat e fundit të besimit të fëmiut, pajtimit të fëmiut, realizimit të së drejtës të kontaktimit, etj.

Ne punojmë në të gjitha procedurat dhe në të gjitha rastet e viktimave të dhunës në familje, pra në të gjitha rastet kur ka të bëj me fëmiun, jo në ato raste kur nuk kemi të bëjmë me fëmiun.

Ekonomia: Ku i strehoni viktimat e dhunës në familje dhe a keni ndërhyrë edhe në këtë segment, duke larguar dhunën në familje dhe a jeni marrë me trajtimin e viktimave?

Vebi Mujku: Viktimat e dhunës në familje strehohen kryesisht në Strehimoren për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve që është në regjionin e Prishtinës 1. Mirëpo, ne i kemi 8 këso strehimore në tërë Kosovën.

Ndërsa, në varësi prej rasteve viktimat e dhunës edhe mund ta ndërrojnë lokacionin. Ato qëndrojnë aty për një periudhë relativisht sa është e nevojshme, me mundësi të qëndrimit 6 muaj plus 6 muaj.

Mirëpo ne çdoherë bëjmë përpjekje që sa më parë që është e mudshme t’i largojmë nga strehimorja dhe insistojmë çdoherë që kryesi i dhunës të sanksionohet dhe ta vuaj dënimin dhe jo viktima të qëndrojë në strehimore me fëmijë.

Ky është mandati ynë kryesor me të cilin merremi në bashkëpunim të ngushtë me policinë dhe me gjykatat.  

Ekonomia: Për fund z,drejtor, cili do të ishte mesazhi i juaj për fëmijët e braktisur, për viktimat e dhunës në familje dhe për të divorcuarit apo ata që akoma janë në proces të divorcit?

Vebi Mujku: Mesazhet janë të ndryshme, sepse secila prej këtyre katogorive i ka kushtet dhe specifikat e veta. Duke e pas parasysh se kur familja është e shëndoshë, është edhe shoqëria e shëndoshë, secili le ta mendon ate që nuk e dëshiron për vete, mos t’ia bëj tjetrit.

 Pra, secili duhet ta dijë dhe ta ketë parasysh se fëmija ka nevojë për prindër dhe nuk ka nevojë për ta braktisur, fëmija ka nevojë të rritet me prindër, secili fëmijë e ka fatin e vet dhe mos të mirren parasysh vetëm kushtet momentale materiale, por të kenë parasysh lidhja afatgjate fëmijë-prind dhe mirëqenia e fëmiut dhe secila nënë që ka mbetur shtatzënë le ta mbanë fëmiun pranë vetes dhe të kujdeset për atë fëmijë, sepse ne si institucione do t’i dalim në ndihmë.

Ndërsa, sa i përket rasteve të dhunës, ju lutem edhe meshkujve, edhe femrave, të dyja palëve, që të jenë sa më të kujdesshëm në raport me njëri tjetrin dhe ta ruajnë bashkëshortësinë të cilën e kanë dhe ta ruajnë mirëqenien e fëmijëve, sepse dhuna nuk shpie askund.

/Intervistoi: Ahmet Pllana/

   

   

              

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)