20 Prill 2024

Prokuroria ngrit aktakuzë kundër tre personave për krim të organizuar

Prishtinë, 1 korrik - Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, kundër tre të pandehurve M.B., D.B., dhe ZH.M., për veprat penale: Krimi i Organizuar, në kundërshtim me nenin 274 par. 1 dhe par. 2 të KPK-së, lidhur me veprat penale: Kontrabandimi i mallrave, në kundërshtim me nenin 273 par.1 të KPK-së, Shmangia nga Tatimi, në kundërshtim me nenin 249 par. 2 lidhur me par. 1të KPK-së dhe Shmangia nga Akciza dhe detyrimet e importit, në kundërshtim me nenin 298 të ligjit mbi Doganat dhe Akcizat.

Sipas aktakuzës të pandehurit në periudhën kohore prej 22.05.2009 deri më 14.07.2011 me dashje dhe me dijeni,  aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit, duke e ditur se pjesëmarrja e tyre do të kontribuojë në realizimin e veprimtarisë kriminale.

Të pandehurit karburantet e naftës të blera në Serbi, i kanë futur ilegalisht në Kosovë, përmes kompanive të tyre, të cilat nuk posedonin licencë për importin e karburanteve. Këto karburante transportoheshin nga auto transportuesit, të cilët ishin të regjistruar në Republikën e Serbisë dhe të njëjtat nuk paraqiteshin në terminalin doganor në jug të Mitrovicës, ku kanë qenë të obliguar të zhdoganohen.

Transportuesit i dërgonin ato karburante direkt në pompa të benzinës, të cilat gjenden ne veri të Kosovës dhe të cilat nuk kanë leje përkatëse për tregti me karburante.

Pasi që nuk paguajnë tatim për karburante kjo sasi e karburanteve shitej me çmim më të lirë gjegjësisht nën çmimin e tregut, ku rezulton se të pandehurit e lartcekur të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, duke futur mallra të importuara në mënyrë të kundërligjshme dhe të kontrabanduara nga Serbia në Kosovë në vlerë të përgjithshme prej 3,035,911.36€, i kanë shkaktuar dëm në shkallë të madhe buxhetit të Kosovës, duke iu shmangur pagesës së akcizës në shumë prej 1,243,348.59€, llojit të tatimit në emër të TVSH-së në shumë prej 684,681.60€, tatimit të paragjykuar 3% në vlerën e shitur në shumën prej 92,705.43€ dhe në emër të kontributeve pensionale në shumën prej 30,901.81€.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit, për veprat penale që akuzohen, t’i shpallë fajtor dhe t’i gjykojë sipas ligjit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)