16 Prill 2024

MPB: S'ka vend për shqetësim

Prishtinë, 24 qershor - Ministria e Punëve të Brendshme, ka njoftuar, se nuk ka vend për shqetësim dhe se Auditori i Përgjithshëm ka dhënë vlerësimin e tij, në Raportin nr. 21.16.1-2015-08, të bërë publik tashmë.

MPB thekson, se ky raport është një prej raporteve më të mira ndër vite që konfirmon qeverisjen e mirë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ky raport, dëshmon trendin e përmirësimit në administrim, vit pas viti të administrimit të MPB-s. Raporti i Auditorit thekson se për pasqyrat financiare - nuk ka asnjë rekomandim; për prokurimin e selisë qendrore - nuk ka asnjë rekomandim; për Aranzhimet e llogaridhënies - nuk ka asnjë rekomandim; për sistemin e auditimit të brendshëm-asnjë rekomandim; për planifikimin dhe realizimin e buxhetit-asnjë rekomandim; të hyrat e MPB- asnjë rekomandim.

Sigurisht se ka procese të cilat kërkojnë përmirësim të mëtutjeshëm, e që shkaktohen kryesisht nga faktorë jashtë përgjegjësive të MPB-së dhe ne i kemi pranuar ato vërejtje si dhe do të hartojmë planin e adresimit të rekomandimeve,  siç kërkohet me legjislacionin në fuqi. Duhet theksuar, se MPB-së, i duhet ende kohë për të arritur shkallën e perfeksionit, situatë kjo kur auditori nuk do të ketë vërejtje.

Raporti i Auditorit të Përgjithshëm, duhet lexuar si i tërë dhe jo i shkëputur me disa paragrafë, sepse ashtu i ndarë nuk pasqyron gjendjen reale. Deklarata e AAK, në fakt, është në kundërshtim me vetë deklarimet e Auditorit, një pjesë të së cilës po e shkëpusim si më poshtë:

“Pasqyrat financiare paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale të pranimeve dhe pagesave, si dhe të buxhetit të realizuar të MPB-së për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2015. Auditori nuk ka  rekomandime lidhur me PVF-të, që nënkupton se është në përputhje të plotë me rregullat dhe standardet e kërkuara.

Për më shumë, njoftojmë opinionin publik se sa i përket Menaxhimit Financiar, Auditori ka konstatuar se “Menaxhimi financiar dhe kontrolli kanë dëshmuar proces relativisht të mirë të rishikimit dhe siguri në zbatimin e legjislacionit dhe proceseve të tjera të kontrollit. Në vitin 2015, MPB ka përdorur afro 99% të buxhet final me një përmirësim prej 4% në raport më vitin paraprak”
 
Ndërsa te kategoria e Audituar - Planifikimi dhe Realizimi i Buxhetit, Auditori ka theksuar se “Në vitin 2015, MPB ka përdorur afro 99% të buxhetit final ose 110,171,541€, me një përmirësim prej 4%, krahasuar me vitin 2014. Realizimi i buxhetit ishte bërë në nivel të kënaqshëm dhe më poshtë jepen shpjegimet për pozitën aktuale. Andaj edhe nuk ka dhënë asnjë rekomandim në këtë fushë.

Ndërsa sa i përket Qeverisje së mirë, konkluzioni i përgjithshëm mbi qeverisjen, të dhënë nga auditori është se: Menaxhmenti ka zbatuar një sërë kontrollesh të brendshme për të siguruar se sistemet financiare funksionojnë siç duhet. Gjatë analizave sa i përket çështjes së raportimeve kemi vërejtur se është një sistem mirë i zhvilluar i raportimit të brendshëm dhe një monitorim i vazhdueshëm. Agjencitë Ekzekutive kanë strukturën e tyre organizative, menaxhuese dhe llogaridhënëse. Këto janë përgjegjëse për raportim, ku janë përcaktuar qartë si dhe janë aplikuar mënyrat dhe proceset e llogaridhënies dhe raportimit.

Në raport me vitin e kaluar, menaxhmenti i MPB-së, kishte bërë përmirësime në aranzhimet e qeverisjes së mirë. Raportimi ishte në nivel të duhur. Menaxhmenti ka zbatuar një sërë kontrollesh të brendshme për të siguruar se sistemet financiare funksionojnë siç duhet. Është e rëndësishme që ato të përfshijnë raportimin e duhur te menaxhmenti për të mundësuar një përgjigje efektive dhe me kohë ndaj problemeve operative të identifikuara. Agjencitë Ekzekutive kanë strukturën e tyre organizative, menaxhuese dhe llogaridhënëse. Këto janë përgjegjëse për raportim, ku janë përcaktuar qartë si dhe janë aplikuar mënyrat dhe proceset e llogaridhënies dhe raportimit.

Njësia e Auditimit të Brendshëm (NJAB), kishte realizuar disa raporte të auditimit për menaxhmentin. Ato ofruan një pasqyrë të qartë mbi nivelin e sigurisë së kontrolleve të brendshme dhe efektivitetin e tyre. KA kishte bërë përcjelljen e implementimit të rekomandimeve për të gjithë agjencitë ekzekutive në kuadër të MPB me një raportim - analizë tre mujore mbi gjendjen e zbatimit të rekomandimeve, përfshirë auditimin e brendshëm dhe të jashtëm. Sipas raportit përmbledhës të KA-së, shohim se nga 184 rekomandimet e dhëna nga auditimi i brendshëm, 100 rekomandime janë implementuar, 82 janë në proces të adresimit apo pjesërisht të adresuara, ndërsa dy nuk janë adresuar. Ne analizuam në përgjithësi raportet e NJAB-së dhe vlerësuam se raportet ishin cilësore. Ato i ofruan menaxhmentit një pasqyrë të qartë mbi nivelin e sigurisë së kontrolleve të brendshme dhe efektivitetin e tyre.

Si përfundim, mund të konstatojmë se edhe në bazë të vlerësimeve të përgjithshme të Auditorit të Përgjithshëm, se ka përmirësim të dukshëm të qeverisjes së mirë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, po ashtu konstatohen edhe vlerësime maksimale të realizmit të buxhetit për vitin 2015, që tregon për planifikim dhe realizim të shkëlqyer të projekteve për vitin e kaluar. Ne si MPB do t’i adresojmë të gjitha rekomandimet që janë dhënë nga auditori në mënyrë që të përmirësojmë edhe më tej performacën.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)