23 Prill 2024

Mbahet Akademi Përkujtimore për Heroin e Kosovës, Xhemajl Fetahaj

Prishtinë, 31 maj- Organizuar nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Shqipes”, u mbajt Akademi Përkujtimore në nderim të rënies heroike të Heroit të Kosovës, Xhemajl Fetahaj.

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fadil Gashi, në emër të Qeverisë së Kosovës, para të pranishmëve foli për figurën dhe personalitetin e shquar të Heroit, Xhemajl Fetahaj si dhe Milazim Shalës, duke çmuar përkushtimin dhe kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve.

“Nga ky vend nderimi, me shumë krenari e theksoj se në themelet e këtij vendi është edhe gjaku dhe vepra e Xhemajl Fetahajt dhe Milazim Shalës. Po ashtu dua të potencoj se Kosova fitoi, sepse u punua, u luftua dhe u sakrifikua nga breza të tërë”, tha zëvendësministri Gashi.

Ai, tha po ashtu se Xhemajl Fetahaj dhe Milazim Shala, përkrah shumë idealistëve të tjerë, i vunë gjoksin robërisë së popullit të tyre me ideale që reflektuan dritë lirie. “Armiku gjakatar për asnjë çast nuk mundi ta thyente shpirtin e tyre liridashës. Ishin vullkan i gjallë i atdhetarizmës dhe i shqiptarisë. Xhemajli, Milazimi dhe gjithë dëshmorët tjerë që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, tërësisht ishin të vetëdijshëm se një ditë gjaku dhe sakrifica do të kulmojë me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, theksoi Gashi.

Deputeti Anton Çuni, në emër të Brigadës “138 Agim Ramadani”, kujtoi 113 dëshmorët e Betejës së Koshares dhe ndau momente dhe përjetime të asaj kohe, të cilat, siç tha ai, janë ende të freskëta.

Çuni tha se të dy këta dëshmorë ishin pjesëmarrës të përgatitjes intensive dhe realizimit të misionit për hapjen e korridorit në regjionin e Koshares që në fillimet e saj, duke theksuar më tutje se në hierarkinë ushtarake, Xhemajli nga një oficer zbulimi, do të arrijë të bëhet komandant i kompanisë së parë dhe zëvendëskomandant i batalionit diversant vëzhgues, ndërsa Milazimi nga ushtar vëzhgues, do të arrijë të udhëheq togun kundër mjeteve luftarake të blinduara.

“Të dy këta dëshmorë ishin shembull se si duhet të ndërtohet besimi, mbahet fjala dhe ruhet nderi. Rënia dhe kalimi në përjetësi i Xhemajl Fetahajt dhe Milazim Shalës, e bart një simbolikë dhe porosi të fuqishme, e cila nuk e humb rëndësinë në asnjë rrethanë dhe kohë dhe të cilën ne gjithnjë duhet ta sjellim në kujtesë, kur si komb, shoqëri, por edhe si shtet, përballemi me vendime dhe situata të vështira”, thekoi Anton Çuni.

Më tutje, z.Çuni tha se edhe pse vinin nga formacione të ndryshme politike, kishin ideologji të ndryshme, Xhemajli dhe Milazimi, nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë shembulli më i mirë se si nuk tërhiqen vijat e kuqe në mes shqiptarëve, se si rrënohen kufijtë në mes shqiptarëve dhe si krijohet uniteti mes tyre kur janë përballë një rreziku të përbashkët.

“Ata janë shembulli më i mirë se sa të fuqishëm jemi kur jemi bashkë. Këtë porosi, ata e vulosën me gjak, që të gjithë ne si qytetarë në çfarëdo detyre, përgjegjësie dhe rrethane, t’i qëndrojmë afër njëri tjetrit, ashtu siç qëndruan ata edhe kur vdekjen e kishin të sigurt”, tha deputeti Çuni.

Ndërkaq, bashkëshortja e Xhemajl Fetahajt, Besa Fetahaj pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në këtë akademi, tha se Xhemën e njohu si ushtar të atdheut, të një lufte dhe përpjekjeje për bashkimin e kombit të ndarë dhe të copëtuar.

“Për ne do të mbetet gjithmonë shembull se si duhet dashur atdheu dhe me këtë shembull i rrita dhe edukova dy pasardhësit e tij, Arianin dhe Erzën, por edhe do t’i edukojmë edhe brezat që do të vijnë, sepse ky ishte amaneti i Xhemës dhe i dëshmorëve të kombit e ne amanetin do ta qojmë në vend”, tha Besa Fetahaj.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)